Vargje nga rinia e parë

J L

Lamtumirë…

(Baladë dashurie)

 

S’kam dashur kurrë të të lëndoj,

se të kam dashur sa s’ka më,

po ti më ikën-më largohesh,

dhe unë po iki-po të lë.

 

S’besoj se do lëndohesh shumë,

ti ende s’di ç’është dashuria,

ndaj s’munde ta kuptoje dot,

prushin e ndjenjave të mia.

 

Veç bukurisë së pakursyer,

natyra gjë s’të ka dhuruar,

ishe një gonxhe që nuk çele,

u vyshke që pa lulëzuar!

 

Dhe pse e kam kaq të vështirë,

po të përzë nga zemra ime,

më mirë ndriço si yll i largët,

dhe më dil veç në ëndërrime.

 

Pas meje do të vijnë të tjerë,

dhe do të puthin puthjen time,

e ti ashtu si dhe me mua,

do shkrihesh nëpër përqafime.

 

E do t’u thuash-hipokrite,

o-sa të dua s’e them dot,

edhe njëlloj si dhe me mua,

fare më kot do derdhësh lot!

 

Në sa krevate do të shtrihesh,

dhe do të hiqesh virgjëreshë,

kur i mendoj këto të gjitha,

më vjen të qaj edhe të qesh.

 

Unë gjer tani isha i nxehur,

nuk e mohoj që prapë të dua,

sikur të puthesh me gjithë botën,

asnjeri s’di të puthë si mua.

 

Unë vetë jam i lënduar,

e ndofta të lëndova shumë,

kush vallë di të përkëdhelë,

ashtu si përkëdhelja unë!

 

Megjithatë po të uroj,

u bëfsh prapë yll e lëshofsh nure,

më pas besoj se dhe për mua,

do çelë me gaz një tjetër lule.

 

Mbi ndjenjën tonë ra dëborë,

gjithçka më tutje është e kot’,

pra lamtumirë-veç lamtumirë,

se mirupafshim s’të them dot!

 

Prill, 1987

 

Botuar në Dita, 17 Maj 2017

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *