Prof. As. Dr. Artan XH. DUKA
Botuar në DITA
Parandalimi i tragjedisë humanitare në Ukrainë është dështim monumental i komunitetit ndërkombëtar. E keqja nuk duhej të ndodhte dhe tani, duhet ndalur sa më parë.
Pushtimi rus, deri dje i paimagjinueshëm për një kontinent që gëzon paqe prej shtatë dekadash, zuri në befasi shumëkënd. Çdo mëndje normale e quante bllof kërcënimin për luftë por ja që lufta vetëm akt i mëndjeve normale nuk është. Mjerisht, ishte një kronikë e paralajmëruar që tanimë ka lebetitur në panik qytetërimin e shekullit të 21 që, këtej bën plane për kolonizim të Marsit, këtej shtanget me kolonizimin në zëmër të Europës.
Ushtria ruse nuk ka punë në Ukrainë. Me apo pa të drejtë, për çdo pretendim e shqetësim ndaj politikave të fqinjit si aspirimi drejt NATO-s, fati i popullsisë ruse në Ukrainë, Krimea etj, ka plot forume, forma e mënyra paqësore për t’i parashtruar e zgjidhur ato. Dhe kur ka llogjikë, koha prodhon edhe mirëkuptim.
Pushtimi nuk i bën nder Rusisë që ka bërë emër në histori me qëndresat ndaj pushtimit dhe milionat e të rënëve për lirinë e saj dhe vetë Europës. Ky pushtim i paprovokuar nuk të çon kund; pushtimi është një gjë, mbajtja nën pushtim një tjetër. I provuar e stërprovuar historikisht, agresioni është përkufizim i anormales me të humburin e madh palën që e nis atë.
***
Me pushtimin e Ukrainës, Rusia po vet-izolohet dita-ditës përballë denoncimit e damkosjes mbarëbotërore, nga OKB e nivele të tjera, duke prodhuar një standart të pahasur më parë të sjelljes së komunitetit botëror ndaj respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe reagimit ndaj krizës humanitare.
Nga ana tjetër, ky pushtim mjerisht ekspozoi njëkohësisht edhe duart e lidhura dhe mefshtësinë e komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar këtë luftë në rradhë të parë. Nga problematika e vijave të kuqe të trashëguara nga e kaluara, fjala e fundit e thënë e para, bërja e faktit të kryer vetëm nga njëra palë si ndërhyrja në Krime, pavarësia e “ftesa” dombase për ushtrinë ruse, njëlloj si dikur në Siri, aeroportin në Prishtinë etj.
Ndërkohë që Perëndimi heziton, debaton mes vetes, evakuon ambasada, ndruhet të jetë i pranishëm qysh më herët ushtarakisht në Ukrainë, qoftë edhe simbolikisht si masë dekurajuese etj. Më shumë se denoncimi luftës, vlen parandalimi i saj por, kur ai ndodh, prioritet duhet të jetë ndalimi një orë e më parë i saj.
Ukraina sot është e vetme në ballafaqimin “David-Goliat” sepse perëndimi nuk mund të bëhet palë direkt në konflikt. Vetë lufta nuk dihet sa do zgjatë por ajo që dihet është se si do të përfundojë. Në tryezë bisedimesh por me faturë tragjike njerëzore e ekonomike pas.
Por ndërsa komuniteti ndërkombëtar zhgënjeu në parashikimin e parandalimin e kësaj lufte, të paktën të mos zhgënjejë në ndalimin urgjent të saj dhe për hir të jetëve në rrezik, dështimi nuk duhet të jetë mundësi. Në lojë është fati i qindra-mijra civilëve të bllokuar nga konflikti, jeta dhe siguria e të cilëve ia vlen çdo çmim. Shtëpitë, rrugët, uzinat, shkollat, spitalet etj edhe rindërtohen por jetët ikin pakthim dhe për të mbijetuarit ajo nuk do të jetë më kurrë si më parë.
***
Kronika e luftës sot, sesa veprimet ushtarake, dominohet nga episodet pafund të tragjedisë njerëzore dhe krizës humanitare mes civilëve. Civilët në Ukrainë, ukrainas apo rusë qofshin ata, në Kiev apo Donbas, kanë të drejtën e jetës dhe sigurisë në shtëpitë e tyre, në mos, mundësinë e një korridori humanitar drejt saj deri në një armëpushim të shpejtë real.
Siguria e jetës së civilëve duhet të jetë kryefjalë e prioritet i çdo tryeze dhe kurrsesi përpjekjeje për të fituar kohë apo pikë mes palëve. Civilët nuk ka pse aludohen si “mburoja” njerëzore të qëndrave urbane dhe humbja e jetëve nuk mund të përcillet si dëm “rrethanor”.
Ata ishin në shtëpitë e tyre kur lufta u trokiti në derë. Ushtria ruse kurrsesi nuk duhet të bombardojë qëndrat e banuara urbane dhe ajo ukrainase duhet të bëjë çmos të organizojë apo spostojë betejat jashtë tyre sa kohë civilët janë në mes.
Kjo marrëzi ndaj jetës së civilëve por dhe ushtarëve që bijë nënash janë, duhet të marrë fund urgjentisht dhe palët, Ukraina, Rusia e Perëndimi duhet të ulen në tryezë e të mos çohen pa rënë dakort për një armëpushim urgjent për të vijuar më pas me bisedimet për kundërshtitë që nxorrën shejtanin nga shishja. Nuk është as dobësi apo forcë dhe as epërsi apo tërheqje sa kohë paqja dhe jeta e civilëve janë në rrezik.
***
Gjeopolitika është ajo që është dhe palët kanë ato këndvështrime që kanë rreth kontekstit historik të konfliktit dhe zinxhirit shkak-pasojë. Por, jeta e njeriut është mbi gjithshka dhe një padrejtësi e pretenduar diku nuk vihet në vënd duke shkaktuar padrejtësi tjetërkund.
Empatia nuk është asnjëherë e tepërt në komunikim. Lufta në Ukrainë nuk erdhi nga hiçi. Mesa duket “kapaku” historik që iu vu situatës në rajon e më gjërë pas luftës së ftohtë, la plot bishta jashtë që nëpërkëmbin të sotmen tre dekada pas. Dhe kur në lojë është jeta e siguria e qytetarit, përgjegjësi duhet të ndjejmë të gjithë.
Ndërkohë që kufijtë në Europë nuk kuptohen kur kalohen, sot kufiri ruso-ukrainas, por jo vetëm, po ri-ngjall reminishencat e ndarjes së luftës së ftohtë. Në Europë, kudo ku ka kufij, nuk duhet të ketë vënd as për karshillëk të të “voglit” dhe as për patronazh historik të të “madhit”. Paqja dhe bashkëjetesa e mirë ka nevojë vetëm për komunikim dhe mëndje të hapur nga të gjithë. Dhe më shumë se për heronj të luftës, kemi nevojë për heronj të paqes.
Rusia, Ukraina dhe Perëndimi kanë përgjegjësinë historike për të zhbërë pakthim fantazmën e luftës së ftohtë. Etiketimet dhe përjetimet pas viteve 90, nga të dyja anët e perdes së hekurt, duhet të respektojnë nevojën e të gjithëve për respekt dhe besim reciprok. Fituesi të dijë si të festojë, i humburi të dijë si të reflektojë.
Përfundimi luftës së ftohtë duhet të ishte pragu i hapjes së mbarë hapësirës europiane. NATO, BE, Rusia duhet të jenë palë në projektin e mirëbesimit dhe bashkëpunimit reciprok për forcimin e sigurisë dhe konsolidimin e paqes pa kthim në Europë duke lënë vijat e kuqe të së shkuarës pas.
NATO duhet të zgjerohet më tej si instrument sigurie në kontinent gjithnjë duke respektuar ndjeshmëritë historike dhe kohën për reflektim për të mos lënë asnjë pretekst për të spekulluar me sindroma “kubane” të viteve 60 apo shqetësimin për “mur” të ri që ri-izolon Rusinë! Tejkalimi i kompleksit të “izolimit” që krijoi lufta e ftohtë në Rusi do kohën e tij dhe perëndimi ka përgjegjësinë e fituesit për të dëshmuar durim e mirëkuptim.
Rusia nuk është Sërbi dhe qasja e perëndimit ndaj agresionit të rradhës ka tjetër kontekst. Efektet e denoncimit mbarëbotëror të pushtimit dhe sanksionet pasojat e të cilave do i vuajnë edhe rusët e shumtë që nuk janë dakort me këtë luftë, mbeten për t’u parë por e rëndësishme për Perëndimin mbetet që sanksionet të shkurajojnë spekullimin me to dhe autoritarizmi të mos marrë më tej hov në kurriz të aspiratës të popullit rus për më shumë liri e demokraci.
***
Tek ne, së bashku pushteti, opozita, media, shoqëria civile etj, janë bërë një në mbështetjen ndaj Ukrainës duke kontribuar sa munden për të deri në selinë e OKB ku krahas SHBA ishim inisiatorë të denoncimit të pushtimit rus në Ukrainë. Por ndërsa kemi pak në dorë për Ukrainën kemi shumë në dorë për situatën në rajon.
Dikur ishte NATO ajo që i dha fund pushtimit sërb në Kosovë. Konjuktura e atëhershme ishte e favorshme për Kosovën por sërisht dhe sot që Rusia po shpalos haptazi forcën, mbetet sërisht në favor të saj.
Sot Perëndimi e Rusia e kanë tejkaluar diplomacinë tradicionale dhe morinë e komplekseve që bart ajo. Shtetforcimi i Kosovës dhe integrimi saj në BE e NATO nuk do të varen më në të njëjtën masë nga ndjeshmëritë ruse e veglat e saj në rajon. Rusia nuk ka më “gojë” për të predikuar e spekulluar në emër të ligjit ndërkombëtar ndaj dhe bota shqiptare ka mundësinë për të rimarrë, me përkrahjen edhe të Perëndimit, vëndin historik dhe rolin qëndror që i takon si kampione e paqes e frymëzimit euro-atlantik në rajon.

Muri Berlinit ra por ndjenja e mosbesimit mes superfuqive mbeti dhe ukraina sot eshte sheshbeteja re.. mjere populli se behen luftra e pastaj prape se prape ne tavolina ulen por mjere fatkeqet, kjo cmenduri duhet ndalur pastaj karshilleqet e llogarirat me vone, I gjehet ana asaj pune
Shkrim moralizues se si duhet të jetë. Këtë e duam dhe e dimë të gjithë, por problemi që duhet permëndur shprehja:” Popuj jeni vigjilent, se mitra që polli nazizmin nuk është shterpëzuar”! Veprimet e Putinit janë kopje të Hitlerit. Madje më shumë se Hitleri, që nuk kishte bomba atomike, ndërsa Putini kercënon se do t’i perdorë po qe nevoja! Pra, kemi të bëjmë me një nazizëm të plotë dhe nuk ka vënd për shkrime të tilla për të zvogluar rrezikun që paraqitet. Pas Ukrahinës e kanë rradhën vendet e tjera, madje rusët po përmëndin edhe Shqipërinë. Zgjuarsia është që shqiptarët duhen të jenë të përgatitur për çdo situatë dhe të mos mbajnë iluzione për miqësira fallco, si në rastin e “Ballkanit të Hapur”.
Shtabi i NATO me siguri porosite e vyera te Prof. Asit Tan Xhaxho Dukes do ti inspektoje dhe do ti kete prioritet ne strategjine ne vazhdim.
Zoti P.A.D.A.XH.D
Qe nga agersioni Rus Mbi Ukrainen dhe deri me sot nuk kam bere asnje koment po ashtu si dhe shumica e komentuesve te kjo gazete.
.
Nuk mund te komentosh kur gjeja me e lehte (nenvizoj teper e lehte) ne kete konflikt ishte te mbahaj PAQJA ose STATUKUO-JA..
.
Dhe u zgjodh me e veshtira dhe me e pabesueshmja nga te dy palet ose me sakte nga DY SUPERFUQITE..
.
Me ndryshe:
Duhet dhene nje percaktim I sakte ne lidhje me Vrasesin E Cmendur Putin dhe Fajtoret Kryesore Perendimore qe te pakten te bllokonin apo NDERPRISNIN PERKOHESISHT….Nato-zimin e lindjes dhe posacerisht UKRAINA qe te sherbente si lidhje paqsore Lindje Perendim…
.
Duke qene se ka nje sulm kozmik mediatik ne gjithe boten deshiroja te theksoja se nuk I shpetojn pergjegjsise as Biden-n..as Anglia..as Franca…as Gjermania etj
.
Pra e quaj Putini Vrases te Cmendur por nje kamikaz qofte ky presidenti Rusise ose asgjesohet..ose negociohet…sepse rruga qe po ndiqet sot me Perendimin me “pordhe ne zemer” me shume shtohen viktimat ne progresion gjeometrik….
.
Ju lutem shikoni fytyrat e vrerosura te te gjithe udheheqesve te globit..sepse e kuptojne fajin e tyre po aq ekuivalent me demet e krimet e ushtrise Putinit..
Te drejte ke!