Pensionet e invaliditetit, dokumentet që duhen nëse nuk keni Librezën e Punës

J L

Me pension invaliditeti trajtohet çdo person që bëhet i paaftë për punë dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike, duke përfshirë këtu edhe verbimin. Kërkesa, së bashku me dokumentet e duhura duhet të paraqiten pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore ku aplikuesi që kërkon të dalë në pension invaliditeti ka vendbanimin e tij. Dokumentacioni i detyrueshëm për të përfituar pension invaliditeti duhet të përfshijë: Fotokopjen e Kartës së identitetit, Certifikatë familjare, Certifikatë martese (e detyrueshme vetëm për femrat), Librezën e punës, Librezën e kontributeve, Vërtetimin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak që është i detyrueshëm vetëm për meshkujt, Fletë drejtimin për në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, fletëdalje nga spitali, Ekzaminime të veçanta, analiza mjekësore,  si dhe vërtetim për pagesën e paaftësisë së përkohshme.

Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se personat që janë në kushtet e përfitimit të pensioneve të invaliditetit, por që për arsye të ndryshme nuk kanë librezën e punës dhe të kontributeve mund të dorëzojnë një sërë dokumentesh të tjera shtesë. Konkretisht, dokumentacioni shtesë në rastet e mungesës së librezës së punës dhe asaj të kontributeve duhet të përfshijë: Vërtetim nga Qendra e punës për periudhat e punës, vërtetim page për kontributet që nga viti 1994 deri në 2011, vërtetim page për kontribut që nga viti 2012 deri në lënien e punës, vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë), vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë, mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve, vërtetim për pagesën kalimtare si ushtarak), si dhe një vërtetim nga Qendra e punës për periudhat e punës. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar dosjen e plotë të dokumenteve, së bashku me institucionet ku mund të sigurohen.

Tre kategoritë e caktimit të invaliditetit

Në vartësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, invaliditeti klasifikohet në tri grupe: Invaliditet i pjesshëm: kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë Për punë, Invaliditet i plotë: kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë, si dhe invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari.

Kushtet e përfitimit

Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të. Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi.

Invaliditeti i pjesshëm dhe i reduktuar

I siguruari merr pension për invaliditet të pjesshëm, kur ka plotësuar periudhën minimale të

sigurimit, dhe kur për çdo arsye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhet i paaftë të kryejë punën e fundit, por mund të punojë në kushte të veçanta pune. Shkalla e invaliditetit dhe puna që do të kryejë i siguruari, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë. Pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit. Ai llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit.

Masa e pensionit të invaliditetit të reduktuar llogaritet duke shumëzuar masën e llogaritur të invaliditetit të plotë me koeficientin që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti.

Të ardhurat shtesë

Kur përfituesi i një pensioni invaliditeti bëhet fizikisht ose psikikisht i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme të një personi tjetër, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 përqind të bazës së vlerësuar neto. Nevoja për kujdesje të vazhdueshme e një personi tjetër përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë.  Një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti, dhe që ka në ngarkim fëmijët deri në moshën 18 vjeç, ose kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në moshën 25 vjeç, merr një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 përqind të pensionit bazë, por jo më shumë se 30 përqind.

Ankimi në Komisionin Epror

Kundër Vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë të nivelit të parë, personi mund të bëjë ankim brenda 30 ditëve në Komisionin Epror Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. Ankimi paraqitet në formën e parashikuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi i Komisionit Epror është i formës së prerë.

 

Dokumentacioni i detyrueshëm                              Institucioni që lëshon dokumentin

Fotokopje e Kartës së identitetit                                             Vetë personi

Certifikatë familjare                                                               Portali e-Albania, DRSSH

Certifikatë martese (e detyrueshme vetëm për femrat)         Zyra e Gjendjes Civile

Librezë pune                                                                           Vetë personi

Librezë kontributesh                                                               Qendra e Punës

Vërtetim për Shërbimin e Detyrueshëm Ushtarak (meshkujt) Qendra e Personel Rekrutimit

Fletë drejtimi për KMCAP                                                       Institucioni mjekësor i autorizuar

Fletë dalje Spitali                                                                    Institucioni mjekësor i autorizuar

Ekzaminime të veçanta                                                           Institucioni mjekësor i autorizuar

Analiza mjekësore                                                                  Institucioni mjekësor i autorizuar

Vërtetim për pagesën e paaftësisë së përkohshme               Qendra e Punës

 

 

Dokumentacioni shtesë në rastet e mungesës së Librezës së punës dhe asaj të Kontributeve:

Vërtetim nga Qendra e punës për periudhat e punës                                   Qendra e Punës

Vërtetim page për kontributet që nga viti 1994 deri në 2011                       DRSSH

Vërtetim page për kontribut që nga viti 2012 deri në lënien e punës          Portali e-Albania, DRSSH

Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë)                                                Zyra e Punës

Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë                                                Gjykata

Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve                                               Vetë personi

Vërtetim për Pagesën kalimtare si ushtarak)                                                Qendra e Punës

Vërtetim nga Qendra e punës për periudhat e punës                                   Qendra e Punës

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *