Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Im atë, Sevo Tarifa, 95, një veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe një socialist, u mërzit kur kexoi sot Letrën time të Hapur për Kryeministrin Rama, botuar në gazetën Dita. “Rama nuk është një socialist i vërtetë”, më tha, “por nuk është kjo koha që të shkruash kundër tij, sepse kjo do i shërbente Berishës dhe Metës”.
U mundova ta sqaroj se, me atë letër, unë nuk dola kundër Edi Ramës dhe nuk kërkova rrëzimin e qeverisë socialiste, por vetëm shpreha hapur bindjet e mia dhe vërejtjet që kam për mënyrën me të cilën ai ka reaguar gjithë këto ditë ndaj kërkesave të drejta të mijëra protestuesve, që nuk i përballojnë dot çmimet e ngitura në mënyrë arbitrare të karburabteve dhe të produkteve të shportës.
“Po, pse ti?” më tha im atë, “le ta kritikojnë të tjerët”.
I shpjegova tim eti se unë bëra thjesht atë që më thotë ndërgjegjja dhe që e konsideroj se është deyra e çdo intelektuali publik të angazhuar. Nëse unë hesht, nëse të gjithë ne që mund të flasim vetëm bëjmë sehir dhe heshim, pushteti bëhet edhe më arrogant.
Kryeministri Rama, duke reaguar publikisht ndaj letrës sime, u shpreh se qëndrimi i tij ndaj protestuesve nuk është arrogant. Ai sërish i cilësoi protestat paqësore kundër rritjes galopante të çmimeve si “një turp kombëtar”.
Një miku im, edhe ai profesor si unë, duke më përcjellë këtë qëndrim të z. Rama siç qe bërë publik në një prej televizioneve tanë, më tha: “Rama nuk është arrogant. Ai është super arrogant”. Ai tha gjithashtu: “Si mund të drejtojë një parti të majtë ky njeri që nuk ka dhimbshuri për askënd”.
Unë nuk prisja që kryeministri të reagonte ndaj letrës sime. Ai gjithnjë ka qenë refraktar ndaj këshillave që i janë dhënë dhe ndaj kritikave që i janë bërë nga koha në kohë. Ai karakterizohet nga një authoritarian persona dhe është narcisist. Qëndrimi i tij ndaj protestave të ditëve të fundit e dëshmon sërish këtë.
Unë përsëri theksoj se qytetarët që protesojnë këto ditë kundër çmimeve të papërballueshme të karburanteve dhe të produkteve të shportës nuk janë as të shtyrë nga Sali Berisha apo Ilir Meta, as naivë sa të mos kuptojnë se çfarë po ndodh në Ukrainë (dhe se ngjarjet në atë vend kanë pasoja që ndikojnë në çdo vend të rajonit dhe të Europës), as të paarsyeshëm sa të kërkojnë gjëra të pamundura, as protestojnë për ta bërë qeverinë shqiptare të ndihet “e turpëruar” në sytë e NATO-s apo të vendeve të Bashkimit Europian, siç pretendon z. kryeminis tër. Në BE nuk hyhet duke mos bërë protesta, por duke iu qasur standardeve europianë.
Qytetarët në të gjitha vendet e BE-se protestojnë. Ne prej tyre kemi mësuar se ç’janë protestat. Zoti kryeministër e di fare mirë se vetëm katër vite më parë, në fund të vitit 2018, Franca demokratike u bë dëshmitare e protestave më të madha (Mouvement des gilets jaunes), që ai vend ka njohur qysh nga protestat e majit 1968 dhe protestuesit u ngritën pikërisht kundër rritjes së taksave së karburantit dhe taksave të tjera të larta.
Protestat paqësore janë një dukuri e zakonshme në botën demokratike. Asnjë qeveritar në këta vende nuk mendon, si zoti Rama, se protestat e qytetarëve janë një “turp” për vendin e tyre, edhe kur këta vende janë anëtarë të NATO-s ose të Bashkimit Europian.
T’i quash protestat paqësore të qytetarëve shqiptarë këto ditë, të cilët janë të pakënaqur me shtrenjtimin e kostos së jetesës, sidomos me shtrenjtimin e çmimeve të karburantit dhe të produkteve të shportës, një “turp kombëtar” është jo vetëm e padrejtë, është jo vetëm cinizëm, por edhe një cilësim i padenjë për kryetarin e një qeverie që ka nëntë vite që e drejton këtë vend.
“Kriza” është bërë një refren i vazhdueshëm për qeverinë e sotme, por ashtu sikurse disa nga sukseset e kësaj qeverie janë arritur duke u përballur me kriza, po kështu dështimet e saj nuk mund të justifikohen vetëm me krizat.
Lidershipi i vërtetë testohet në kohë krizash. Dhe reagimi i një drejtuesi qeverie ndaj një krize kërkon më shumë se sa fjalime. Nga ana tjetër, mesazhi që përcjellin fjalimet e tij mundet ta rrisë besimin e publikut te qeveria e tyre dhe ndjenjën e bashkëpunimit me të, por edhe mundet t’i indinjojë edhe më tej qytetarët.
