Mbi gjithë të gjallët!

Ornela

(Baladë e trishtuar)

Tani vij rrallë te varri yt,
gjë tjetër s’më ka mbetur,
s’më thua dot: “Mos u mërzit!”,
se dhe ti vetë je tretur!

T’i dije ti dhimbjet e mia,
do vije ulërimën,
kur prisja gaz nga Perëndia,
më hodhi vetëtimën!

Fëmijtë nga vatra më janë shkulur,
tani vërtitem kot,
dhimbja si thikë më është ngulur,
dhe nuk e shkul më dot!

Veç shkruaj vargje si i marrë,
fletore mbush me dhjetra,
ka frikë vdekja të më marrë,
në thonj edhe në kthetra!

Të paktën ti të ishe gjallë,
t’i ndanim dhimbjet tok,
po ti më ike-Yll i rrallë,
më ike si një zok!

Po ti më ike si një zok,
në tjera hapësira,
ah-veç një ditë të ishim tok,
pa pranga dhe zinxhira!

Se unë zinxhira kam vërtet,
në këmbë dhe në duar,
ndaj vij kaq rrallë-se kam siklet,
tek ti-moj e bekuar!

Vite të gjata jam përpjekur,
si peshku përmbi zall,
të kam-unë ty-dhe pse e vdekur,
mbi gjithë ç’kam të gjallë!

Se nga të gjallët pashë çdo ditë,
veç halle dhe siklete,
ilaç i vetëm edhe dritë,
veç ti-mama-më mbete!

4 Qershor, 2017

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *