Hetimi i cilësisë së diplomave që lëshojnë universitetet shqiptare qofshin këto publike, apo private parashikon nxjerrjen e rezultateve konkrete rreth muajit qershor. Grupi i ekspertëve të ngritur nga Ministria e Arsimit ka përmbyllur fazën e parë të vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë në vend, teksa do jetë agjencia e huaj e përzgjedhur, ajo që do të vijojë procesin përfundimtar të vlerësimit të cilësisë nëpërmjet procesit të akreditimit. Konfirmimi është bërë gjatë ditës së djeshme nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla gjatë takimit të zhvilluar me homologun kosovar, Ram Buja. Me nxjerrjen e rezultateve konkrete të këtij vlerësimi studentët gjatë vitit të ardhshëm akademik 2014-2015, do ta kenë më të qartë për të zgjedhur universitetin që ofron diploma cilësore dhe të besueshme në tregun e punës. Ndërkohë që shumë të tjerë që janë diplomuar tashmë, ose janë në prag të diplomimit do mund të mësojnë se sa e pranueshme apo e besueshme është diploma e tyre për tregun e punës. Sa i takon kontrolleve të kryera deri më tani në shumë struktura universitare janë konstatuar probleme të shumta sa i takon funksionimit të disa programeve studimore, një pjesë e mirë e të cilave nuk duhet të funksionojnë fare. Sipas të dhënave të nxjerrja nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të lartë në vendin tonë aktualisht funksionojnë 15 institucionet publike dhe 44 private të arsimit të lartë. Numri i studentëve në të gjithë vendin është rreth 160 mijë, ndërsa numri i programeve të studimit ku ata mund të studiojnë është 1350. “Deri në muajin qershor do të kemi një tablo të qartë që vjen nga investigimi që do të kryeje një agjenci e pavarur, anëtare e ENKA-s (Organizata evropiane e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë), për akreditimin e universiteteve publike dhe jopublike në Shqipëri. Ky do të jetë momenti i parë me interes publik për të parë sa, dhe si këto universitete në Shqipëri mundësojnë garantimin e parametrave të cilësisë sipas standardeve evropiane dhe sigurisht hap pas hapi ne do të ndërtojmë gjithë vëmendjen e nevojshme në mënyrë që të operojmë me këto kërkesa të studentëve dhe problematikat që kanë ardhur nga vështirësitë që lidhen me akreditimin e këtyre universiteteve. Ka përfunduar ekspertiza e parë dhe më pas do të vij agjencia e huaj, kështu brenda qershorit ne do të mundësojmë një pamje të plotë transparente të gjithë situatës”, ka deklaruar ministrja Nikolla. Vizita e homologut është pritur me protesta nga dhjetëra studentë kosovarë, të cilët janë diplomuar në universitetet private shqiptarë. Por, diploma e tyre nuk ka asnjë vlerë pasi tregu i punës në Kosovë, si dhe Ministria e Arsimit në këtë vend refuzon njohjen e tyre për shkak të mungesës së marrëveshjeve të lidhura ndërmjet universiteteve private shqiptare dhe këtyre institucioneve. Sa i takon këtij problemi, të dy ministrat Buja dha Nikolla kanë pohuar nisjen e diskutimeve në zgjidhjen e këtij ngërçi. “Mbi 1600 studentë kosovarë kanë diploma të fituara në universitetet shqiptare që do të thotë nuk është një numër i vogël dhe nuk mund të luhet me këtë njerëz”, ka konfirmua Niman Bardhi, një nga përfaqësuesit e studentëve kosovar pjesëmarrës në protestën e zhvilluar dje para MAS. “Garantova ministrin e Kosovës për një vendosmëri dhe dëshirë të Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që në këtë moment në ketë moment të rëndësishëm që lidhet me njohjen e diplomave të këtyre studentëve, ne të njohim publikun dhe çdo familje në Shqipëri dhe në Kosovë për cilësinë e këtyre universiteteve”, ka shtuar rreth kësaj problematike ministrja Lindita Nikolla.
Ndryshimet në arsimin parauniversitar
Planifikohet rikthimi i strukturës 5+4+3 në arsimin parauniversitar
Gjatë takimit të dy ministrat janë ndalur edhe në çështjen e unifikimit të teksteve që do të përdoren nga nxënësit e arsimit parauniversitar. Pas abetares, reforma kurrikulare është në rrugën e duhur për tu zhvilluar edhe për tekstet e tjera, por para se të bëhet një gjë e tillë parashikohet që të përshtatet struktura e arsimit parauniversitar ndërmjet të dy vende. Sipas ligjit të ri të arsimit parauniversitar Shqipëria ndjek strukturën e arsimit parauniversitar 6+3+3, ndërsa shteti kosovar 5+4+3. Ministria Nikolla ka deklaruar se po mendohet rikthimi i strukturës së mëparshme. Në këto kushte sistemi ynë shkollor në ciklin 9 vjeçar do të ndryshojë përsëri. Nuk do të jetë ai 6+3+3, por 5+4+3, siç është edhe sistemi aktual që përdoret në arsimin parauniversitar të Kosovës. Me përshtatjen e kësaj strukture do të veprohet edhe me unifikimin e teksteve të tjera mësimore, duke konfirmuar kështu përdorimin e teksteve të njëjta nga nxënësit e të dyja vendeve.
Programet e ofruara nga institucionet e arsimit të lartë në vend
Publike Private Total
Diploma 2 vjeçare 9 4 13
Diploma “Bachelor” 240 317 557
Master Profesional 128 145 273
Master Shkencor 174 196 370
Studime Specializuese Afatgjata 23 2 25
Diploma Doktoraturë 96 20 116
