“Nocioni i luftës pengon progresin social-ekonomik”

J L

Ky moment në histori është padyshim moment që të “mos flemë”, por as të mos krijojmë gjendje shqetësuese të anomisë e anarkisë sociale në jetën tonë.

Kështu shprehet sociologu Gëzim Tushi, i cili shton se, fakti që janë rritur dozat e frikërave dhe pasigurive, për shkak të rritjes së çmimeve apo alarmeve lidhur me furnizimet me produkte ushqimore, tregon për praninë e njërës prej formave më të rrezikshme të panikut ekzistencial…

Për çdo konflikt që dëgjojnë në lajme, sidomos konflikti aktual Rusi-Ukrainë, ka shumë njerëz që përjetojnë vështirësi, humbje dhe trauma. Si dikush që ka punuar gjerësisht në këtë temë, a mund të na jepni një kuptim më të plotë të asaj që mund të përjetojnë njerëzit (qoftë edhe fëmijët) nga lajmet mbi luftën apo vështirësitë ekonomike aktuale?

Situata e krijuar nga konflikti i armatosur dhe tërësisht irracional midis Rusisë dhe Ukrainës, është padyshim një gjë e papritur. Të paktën që nga rënia e Murit të Berlinit, përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ndarjes bipolare të botës, kur u krijua ideja e një paqeje të qëndrueshme globale, ky është precedent i një konflagracioni të rrezikshëm lokal dhe me rreziqe kontinentale.

Konflikti nuk është larg nesh. Edhe pse nuk jemi të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në të, natyrshëm që pasojat e tërthorta aktuale dhe në perspektivë janë me ndikime mbi popullin, shtetin dhe shoqërinë shqiptare.

Tani për tani, vështirësitë janë diversifikuara, por kryesisht ato po shfaqen me intensitet të veçantë në aspektin ekonomik, financiar, ushtarak.

Padyshim që një ngjarje e tillë ka filluar të lërë gjurmë në jetën e shoqërisë. Jo vetëm me natyrë sociale e gjithëpërfshirëse për shoqërinë, por edhe psikologjike e të personalizuara për njerëzit në trajtë konkrete, në përputhje me moshën dhe veçoritë psikologjike të personalitetit.

Edhe pse ende në heshtje, në jetën tonë të përditshme kanë filluar të duken shqetësime të natyrave të ndryshme, shpeshherë edhe në forma paniku, lidhur me perspektivën e kësaj lufte dhe sidomos lidhur me ndikimin e saj në jetën tonë social-ekonomike.

Padyshim është moment që të “mos flemë”, por as të mos krijojmë gjendje shqetësuese të anomisë e anarkisë sociale në jetën tonë. Fakti që janë rritur dozat e frikërave dhe pasigurive, për shkak të rritjes së çmimeve apo alarmeve lidhur me furnizimet me produkte ushqimore, tregon për praninë e njërës prej formave më të rrezikshme të panikut ekzistencial.

Grupe moshore të ndryshme kanë forma të ndryshme të perceptimit të rreziqeve që mund të vijnë nga konflikti ushtarak që vërtet nuk është shumë larg nesh.

Për këtë duhet bërë kujdes në të gjithë format e dialogëve interpersonal dhe bombardimit nga lajmet e mediave publike. Sidomos me fëmijët duhet treguar kujdes, sepse për shkak të veçorive moshore, perceptimi i brishtë e delikat i tyre mund të sjellë pasoja shumë serioze.

Në këtë kontekst duhet kujdes nga shkolla e familja, nga mësuesi dhe prindërit kur flasin dhe t’u shpjegojnë atyre “luftën” si një ngjarje shumë tronditëse dhe fare e panjohur dhe përjetuar prej tyre.

Luftërat mund të përfundojnë, por kjo nuk do të thotë se trauma ka mbaruar. Megjithatë ndërtimi i paqes fillon në këtë kontekst. Si ndikon trauma kolektive në vijim të situatës?

Luftërat janë ngjarje sociale nga më tragjiket, efektet e të cilave gjithnjë janë destruktive, shkatërrimtare që e çojnë shoqërinë dhe zhvillimin e saj. Ato janë periudha të errëta që pengojnë zhvillimin, ecjen, progresin social ekonomik. Në mos janë ngjarje që e kthejnë pas historinë.

Problemi është aftësia për t’i përjetuar dhe për t’i administruar traumat. Sidomos kur ato janë shumëdimensionale e me pasoja polivalente.

Aftësia e një populli është që, edhe në situata të tilla të “mos humbasë toruan”, sepse ai që humbet toruan, humbet të sotmen dhe të nesërmen.

Në këtë kontekst duhet që bashkërisht individi, familja, komunitetet fetare, media dhe mbi të gjitha, shteti, të luajnë rolin e “arbitrit” për të respektuar rregullat e lojës sociale edhe në situata të tilla lufte.

Gjakftohtësia dhe racionaliteti, logjika e ftohtë dhe jo paniku, emocionaliteti negativ, duhet të jenë piketa të orientimit të individit dhe shoqërisë, me qëllim që të kemi një perceptim realist, objektiv dhe jo të zmadhuar, alarmant e të hipertrofizuar të situatës. Natyrshmit duke mos “fjetur”. Gjithnjë me vigjilencë dhe me një “sy hapur”.

-A keni ndonjë shembull që tregon pasojat e neglizhencës së shëndetit mendor, apo pasojave sociale pas konflikteve?

Padyshim, ngjarje të tilla janë unikale dhe me pasoja të dukshme. Lufta është një nga dukuritë që lë gjurmë dhe pasoja të thella në jetën materiale e psikologjike të njeriut dhe shoqërisë. Historia tregon se lufta ka pasoja gjatë dhe sidomos pas “teatrit” të zhvillimeve të saj. Viktimat janë njëra anë. Bashkë me to janë situatat post-traumatike. Ne nuk jemi “materialisht” në luftë, nuk jemi “aktorë” në teatrin aktual.

Por ndikimet psikologjike, edhe pse periferike aktualisht, duhen vlerësuar për efektet që kanë në zhvillimin e një neurotizmi social që shoqërohet me një lloj kaotizmi, me frikëra e pasiguri. Kurba e tyre nuk mund të jetë e parashikuar plotësisht.

Megjithatë, për të ruajtur “shëndetin social” të shoqërisë sonë dhe sidomos “shëndetin mendor individual”, duhet të punojmë për të mbajtur nën kontroll ndjenjat, mendimet dhe emocionet e njerëzve tanë, për të mos devijuar nga normaliteti si pasojë e zhvillimeve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Pjekuria jonë, si popull në këtë rast, do të jetë një “aset” me vlerë për të ndihmuar kapërcimin me sa më pak pasoja të kësaj situate që po zhvillohet.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *