Mblidhet Këshilli Ndërministror për aksesin në institucione të PAK

redaktor

Të gjitha ndërtesat e institucioneve shtetërore e private në vend do të bëhen plotësisht të aksesueshme nga personat me aftësi të kufizuara. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë mblodhi sot Këshillin Ndërministror për zbatimin e rregullave të përshtatshmërisë ndërtimore në institucione, ku u diskutua për zbatimin e legjislacionit për mjedis të përshtatur dhe moslejimin e shfaqjes së barrierave të reja ndërtimore.

Në takim e parë të grupit morën pjesë Ministri i MSR-së, Erion Veliaj, Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, dhe përfaqësues të tjerë nga institucione përgjegjëse.

Në fjalën e tij, ministri Veliaj deklaroi se mungesa e qasjes ndërtimore në institucionet shqiptare mënjanon çdo mundësi për të marrë pjesë në punësim, formim, arsim, për të përfituar shërbime shëndetësore ose shërbime publike e private, ose dhe për të marrë pjesë në jetën politike të shumë njerëzve me aftësi të kufizuar.

“Sepse a mund të quhet publike një rrugë kur aty nuk mund të ecin të gjithë?! Ç’mund të thuhet për muzetë, kinematë, teatrot e stadiumet, kur jo të gjithë mund t’i frekuentojnë?! Për çfarë duhen ndërtesat, kur jo të gjithë mund të shijojnë pamjen që ofron lartësia e tyre?!”, u shpreh Veliaj.

Ai vuri në dukje se ngritja e grupit për përshtatshmërinë ndërtimore është një domosdoshmëri dhe parakusht për  krijimin e mundësive për një përshtatje dhe integrim social, pikënisje për të krijuar kushtet për përfshirje, autonomi dhe dinjitet.

“Jemi të ndërgjegjshëm që problemi është kompleks dhe ka edhe kosto financiare, por jemi edhe të vetëdijshëm se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më. Shërbimet publike që ofron shteti nuk janë publike për sa kohë jo të gjithë kanë akses në to, dhe një shtet që nuk garanton aksesin në godinat e veta nuk ka gojë t’ua kërkojë të tjerëve eleminimin e barrierave”, tha Veliaj.

Ministri deklaroi se MMSR-ja është e angazhuar për të garantuar përfshirjen e çdo qytetari shqiptar në jetën sociale, ekonomike e politike, e gjithashtu për të garantuar që çdo shërbim publik që ky shtet ofron të shkojë tek qytetari. “Vetëm duke ndërtuar Shqipërinë gjithëpërfshirëse ne mund të themi se ajo na përket të gjithëve e është atdheu ynë”, përfundoi ai.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Niko Peleshi nënvizoi se aksesi në institucione i personave me aftësi të kufizuar është prioritet i qeverisë, çka fatkeqësisht ndër vite është konsideruar si diçka e tepërt.

“Sot ka ardhur koha ta shohim këtë çështje me një sy tjetër sepse është pjesë e lirive dhe të drejtave të njeriut. Termi ‘person me aftësi të kufizuara’ nuk është i drejtë sepse nuk njoh ndonjë person me aftësi të pakufizuara. Në njëfarë mënyre, të gjithë i kemi të kufizuara aftësitë. Të jesh i kufizuar në një aftësi, nuk do të thotë se nuk mund të spikasësh në një drejtim tjetër”, tha Peleshi.

Synimet e grupit të punës janë dy: Ndalimi i menjëhershëm i krijimit të barrierave të reja në mjedisin urban, si dhe fillimi i punës për eliminimin e barrierave ekzistuese në objektet publike, përmes planifikimit dhe vendosjes së elementeve të aksesit.

Në Urdhrin e Kryeministrit Nr. 239, datë 11.12.2013, për “Ngritjen e grupit ndërministror për zbatimin e rregullave të përshtatshmërisë ndërtimore në institucionet shtetërore, qendrore dhe vendore” parashikohen disa masa ligjore dhe administrative për realizimin e këtij procesi.

Share This Article
1 Comment
  • Vecanerisht te impresjonuar nga vemendja me te cilen po trajtohet ky problem tejet i rendesishem ne gjithperfshirjen e kesaj kategorie sociale ne jeten aktive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *