Dje ishte 22 marsi, plot 30 vjet nga ardhja e PD-së në pushtet për herë të parë. Thuajse askush nuk u kujtua ta kremtonte këtë, aq më pak kishte arsye ta kujtonte apo festonte PD-ja aktuale që i ngjan një çete të shpartalluar. Me këtë rast, po risjellim në vëmendje një intervistë ekskluzive të ish-Kryeministrit demokrat Aleksandër Meksi, dhënë ekskluzivisht për gazetën DITA në mars të vitit 2014. Situata në PD është thuajse e njëjta: në 2014 PD vinte pas një humbjeje të thellë, ndërsa aktualisht ajo ka një bilanc humbjesh të njëpasnjëshme. Prandaj dhe kjo intervistë e zotit Meksi ruan ende koherencën e saj…
Ai rrëfen se ku bashkohen dhe ku ndahen 22 marsi i ’92-shit me 23 qershorin e 2013-s. Pse humbi Partia Demokratike dhe pse nuk po analizohet humbja. Disa episode nga qeveria e parë demokrate në gjysmën e parë viteve ’90 dhe disa sugjerime për qeverisjen e Ramës.
– Zoti Meksi, sot është 22 mars. 22 vjet më parë Partia Demokratike shënonte një fitore historike. Pas atyre zgjedhjeve ju u zgjodhët Kryeministri i parë demokrat pas gjysmë shekulli diktature. Sa e rëndësishme është ajo datë për ju?
– Ju me të drejtë e konsideroni 22 marsin si një ditë historike. Nuk ishte fjala për fitoren e një partie apo të një tjetre, sikurse është normale të ndodhë në çdo vend demokratik. Më 22 mars 1992 u ndërrua sistemi, ndaj dhe kjo datë ka një vlerë të madhe historike. Por me të nuk duhet të abuzohet edhe pse ishte një fitore e Partisë Demokratike. Ajo është një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, sepse nga diktatura dhe skamja shpëtuan gjithë shqiptarët.
– Në vazhdim të kësaj logjike, zgjedhjet e 23 qershorit të vitit të kaluar që shënuan një humbje katastrofike të PD-së, janë krahasuar me 22 marsin e vitit ’92, madje dhe nga ambasadori amerikan. Ju jeni i këtij mendimi?
– Jo, dhe kjo që thoni ju nuk më ndikon. 23 qershori i vitit të kaluar ishte një ditë zgjedhjesh dhe solli një rotacion në pushtet, jo ndryshim sistemi ekonomiko-shoqëror. Prandaj unë e konsideroj krahasimin midis këtyre dy datave të gabuar e sipërfaqësor. Nuk duhet shpërdoruar kështu rëndësia e disa datave simbolike. Përndryshe do t’i shpallnim si historike të gjitha ditët e zgjedhjeve që bëhen në çdo katër vjet.
– Sidoqoftë, rezultati i 23 qershorit ishte befasues për demokratët, apo jo?
– Rezultati i Zgjedhjeve të 23 Qershorit ishte për mjaft njerëz i papritur, ndërsa për të tjerë, më se i natyrshëm, sepse ata që ndiqnin me vëmendje ndodhitë e disa viteve qeverisje edhe njihnin gjykimin e elektoratit për të, nëpërmjet kontakteve me njerëzit e thjeshtë dhe vlerësimin e tyre për atë që ndodhte ne Shqipërinë reale dhe jo në atë virtuale, të fjalimeve e mediave pro qeverisë, e kishin të qartë çfarë do të ndodhte. Zgjedhjet nuk ishin më të mirat, siç flitet duke u rrekur të na mbushin mendjen, qoftë në shqip apo anglisht, por sidoqoftë ishin më të pranueshme se sa zgjedhjet përpara tyre. Thuhet se pati votime familjare e blerje votash, se pati çrregullime në numërim në dëm të partive të vogla, çka nuk më habit, por këto çrregullime mendoj se nuk ndikuan në kahjen e rezultatit i cili nuk ka arsye të kontestohet. Nuk mund të lemë pa përmendur faktin që në këto zgjedhje për shkak të sistemit zgjedhor aspak demokratik dhe listave të mbyllura, ishin të favorizuara dy koalicionet, duke pamundësuar një pol të tretë dhe çdo alternativë tjetër, si dhe me deputetë të emëruar e jo të zgjedhur nga zgjedhësit apo anëtarësia e partive.
– Sidoqoftë, unë këmbëngul tek 23 qershori. Pse të mos quhet kjo një fitore historike për shqiptarët si 22 marsi i 92-shit?
– Pavarësisht krahasimit të pavend për zgjedhjet e 23 qershorit me ato të vitit 1992, zgjedhjet politike të vitit 2013 kanë një rëndësi jo të vogël në se do të realizohet pritshmëria e votuesve të shumtë për ndryshim, drejtësi ligjore e sociale, në të kundërt ato kthehen në votë kundër. Zgjedhjet e vitit 1992, siç kam thënë gjetkë, sollën, me më se 2/3 e votave, përmbysjen dhe ndryshimin e një sistemi diktature komuniste, e përsërisim sistemi, gjysmëshekullor tek ne, pas rrëzimit të sistemit socialist botëror dhe fillimin e periudhës së tranzicionit për ndërtimin e një shoqërie dhe shteti të ri demokratik, që po rezulton i vështirë dhe me zigzage e shmangie, që erdhën duke u shtuar në kohë, që ngarkojnë me përgjegjësi klasën politike e jo vetëm atë. Ndërsa zgjedhjet e 2013-s paraqesin përmbysjen, me votën masive të votuesve, të një qeverisje që kishte tjetërsuar arritjet në ekonominë e tregut të lirë, në shtetin ligjor e të drejtat e njeriut, një rrugë e filluar përpara saj, me pasoja për të ardhmen e vendit.
– Zoti Meksi ju kini qenë Kryeministri i parë demokrat në fillim të viteve ’90. Si e përjetuat dhe si e analizoni humbjen e partisë tuaj në 23 qershor?
– E thatë mirë, sepse de jure unë vazhdoj të jem anëtar i …
– …por, jeni i tërhequr?
– Jo, por deri sa nuk na dëgjojnë jam angazhuar me disa punë që mendoj se janë edhe ato të dobishme..
– Pra, a është bërë analiza e humbjes së PD-së dhe sa po reflekton ajo parti nga humbja?
– Unë pres që të analizohet humbja në PD. Deri më tani kjo nuk po kryhet dhe mbase nuk e dëshirojnë ata që janë përgjegjës për të. Më e natyrshme do të ishte të shtrohej pyetja: si dhe pse ndodhi ky rezultat, që nuk është vetëm rotacion, që do të ishte një ndodhi normale në një shtet demokratik, por një shprehje masive e dëshirës për ndryshime rrënjësore, çka bie dhe një pritshmëri po aq të madhe për ndryshim, jo në formë frazeologji e dukje, por në rezultate të prekshme, që ngarkon mazhorancën e re me përgjegjësi përpara shqiptarëve.
Kështu hyjmë në thelbin e problemit. Nënvizojmë se për njerëzit janë parësore rezultatet ekonomike, domethënë rritja e prekshme e mirëqenies, siguria e jetës dhe e pronës vetjake e tregues të tjerë të cilësisë të jetës, përmirësim i gjithçkaje që kritikohej, përfshirë këtu dhe luftën ndaj korrupsionit e mbi të gjitha drejtësi e një administratë që shërben. Të gjitha këto patën ndikim në rezultatin e 23 qershorit. Sigurisht që këto zgjedhje për rëndësinë e tyre e për ndryshimet që sollën lipset të analizohen si rezultatet në përgjithësi: në rang kombëtar, ashtu e në hollësi: për çdo njësi vendore. Kjo nuk po bëhet dhe nuk është hera e parë që dështimin Sali Berisha nuk e analizon, por e kalon duke “reformuar” PD-në’ me klanin e vet e duke larguar kundërshtarët (qoftë dhe të sajuar). Kjo ndodhi në 1997 me grupin e 27-tëve, që ne e patëm quajtur ”fillimi i bolshevizimit të PD-së”. Këtë e bëri me dorëheqjen e tij formale duke zgjedhur (emëruar ai) me “një anëtar një votë” (sic) Kryetarin, një rregull demokratik i mohuar vazhdimisht me kryeneçësi nga ai dhe partia e tij dhe që nuk përfshihet për këtë rast në Statut. Kjo nuk e reformon Partinë Demokratike, përkundrazi, duke mos e rikthyer atë në shtëpinë e gjithë demokratëve e zvogëlon dhe rolin e saj opozitar.
– Sipas Aleksandër Meksit, çfarë e shkaktoi këtë humbje katastrofike të PD-së?
– Mendoj se zgjedhjet u humbën nga mos pranimi i vazhdimësisë së kësaj qeverisje, nga arroganca e prepotenca e drejtuesve në qendër e ata lokalë të shtetit dhe të PD-së; nga kundërshtimi për liderin dhe veglat e tij, klanin e klientët. Zgjedhjet u humbën për shkak të krahinarizmit e nepotizmit të tejskajshëm, e kundërta e meritokracisë; për mostolerimin e mendimit ndryshe dhe debatit në parti e qeverisje. U humbën për monopolet që nuk i zhbëri, për mos luftim efikas të krimit, të korrupsionit e trafiqeve, për dëmtimet në territor e mjedis, për deformimin e tregut të lirë, për përdorimin jo efektiv në dobi të zhvillimit ekonomik të fondeve buxhetore e për rritjen e borxhit publik, për mënjanimin e biznesit vendas e lejimin e grabitjes së pasurive kombëtare, që të gjitha së bashku prunë varfërimin e shqiptarëve dhe rritën papunësinë. Po kështu, për shkeljen e detyrimeve programore ndaj pronarëve dhe ndaj të përndjekurve e mos bërjen e lustracionit. U humbën, për shpërfilljen ndaj ligjit e mungesën e skrupujve moralë, por u ndihmuan dhe nga heshtja e të gjithë neve demokratëve, dhe e fundit në këtë numërim u humbën për fushatën për deputet të emëruar e katapultuar e nga ata që me “punën” e tyre treguan se sa realisht ishin demokratë e atdhetarë. Këto veprime në tërësi që veç të tjerave vonuan dhe integrimin në BE sollën natyrshëm humbjen e zgjedhjeve.
– Pra edhe demokratët, një pjesë e konsiderueshme e tyre, mendoni se votuan kundër qeverisjes së Berishës?
– Mendoj se ka pasur edhe shumë demokratë që kanë votuar në mos kundër, por për parti të tjera të koalicionit të djeshëm qeverisës ose nuk kanë marrë pjesë në votim. Por, siç thamë dhe më sipër, elektorati shqiptar votoi në mënyrë aktive por edhe pasivisht për rrëzimin e saj. Besoj se demokratët e vërtetë kjo humbje e sidomos përmasat e saj, i ka hidhëruar edhe kur e pranojnë se Qeveria dhe drejtuesit e partisë e kishin bërë hak këtë rezultat, dhe kur nuk ja kanë dhënë votën listës aspak demokratike. Mjafton të krahasojmë rezultatet e 23 Qershorit me ato të zgjedhjeve të vitit ’97, në kushte aspak normale për të kuptuar përmasat e humbjes. Ky rezultat nuk mund të justifikohet por duhet të analizohet e të bëhen sa më parë ndryshime. Ende nuk është shumë vonë.
– Çfarë duhej bërë, sipas jush, menjëherë pas zgjedhjeve?
– Nuk kam ndonjë propozim të ri prandaj po përsëris fjalë për fjalë çfarë kam propozuar më parë. Duhet të jepte dorëheqje Kryesia e PD-së, qeveritarët e 8 viteve dhe Kryetarët e strukturave të PD-së në bazë. Pra, jo vetëm dhe formalisht, që të mbijetojnë partnerët, Kryetari (pavarësisht se drejtimi personal i Partisë dhe i Shtetit nënkupton dhe përgjegjësinë personale). Dorëheqja, sipas këtij propozimi, nuk do të thotë për ta humbjen e të drejtave që u jep Statuti dhe për të kandiduar me rregulla të reja, për strukturat drejtuese të Partisë në bazë e qendër. Menjëherë pas kësaj Këshilli Kombëtar, ata që mbeten, si i vetmi organ vendimmarrës, duhej të zgjidhte brenda Partisë një grup të ngushtë për të amenduar Statutin, për të futur parimin “një anëtar një votë” për të gjitha nivelet e zgjedhjeve në PD. Po kështu një debat i anëtarësisë duhet të analizojë zgjedhjet dhe gjendjen e PD-së, gabimet që sollën këtë rezultat e përgjegjësitë, evidentimi i të cilave do të mundësojë mospërsëritjen e tyre. Rishkrimi i Programit në përputhje me misionin e një partie me të vërtetë demokratike dhe të qendrës se djathtë, e cila lufton për të jetësuar idealet e dhjetorit, është gjithashtu domosdoshmëri. Në se do të vazhdohet me kryeneçësi dhe me veprimet e derisotme, gjendja e PD-së nuk do të përmirësohet.
– Nejse, edhe kaq sa thatë, mjafton për të kuptuar thelbin e disfatës. Tani kemi një qeveri tjetër. Çfarë mendimi keni për qeverinë Rama?
– Është një qeveri me mandat të mjaftueshëm për reforma, por është ende larg pritshmërive të saj. Ky vend ka nevojë për përparim dhe sa më shpejt. Po të tregoj një fakt. PD mori një mandat të fortë në 22 mars të 92-shit. Unë kam bërë betimin si Kryeministër, bashkë me anëtarët e kabinetit më 19 prill 1992. Menjëherë filluam me reformat radikale që i duheshin vendit dhe që natyrisht kishin koston e tyre. Pas dy muajsh, pra qysh nga 1 korriku filluan ndryshimet në të gjitha aspektet, kuptohet që ishte një situatë krejt tjetër dhe punohej me të tjerë parametra.
– Mund të na tregoni ndonjë detaj nga puna juaj në fillimet si Kryeministër i vendit?
– Po, do të sjell këtu një dëshmi. Pak ditë pas votëbesimit të Qeverisë së parë Demokratike të dalë nga zgjedhjet e para të lira dhe të ndershme në historinë e vendit, dhe marrjes së votëbesimit (28 Prill 1992), u zhvillua një takim pune i gjithë Kabinetit me të dërguarin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që asistonte Qeverinë shqiptare, për t’u informuar mbi ecurinë e bisedimeve të përbashkëta, për detajimin e Programit Qeveritar të aprovuar ato ditë në Kuvendin e Shqipërisë, program i cili detyrimisht duhej të miratohej dhe nga FMN, për të siguruar mbështetjen financiare dhe ekonomike të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe qeverive të vendeve mike, aq të nevojshme për të nxjerrë vendin nga kolapsi ekonomik dhe financiar në të cilin e kishin prurë 46 vite regjim komunist. Për një periudhë dy mujore (deri në fund të Qershorit) u përgatit gjithë baza e nevojshme ligjore dhe institucionale për të filluar Reformën më të vështirë, më komplekse dhe, siç thonin dikur ata të FMN-së, më të suksesshmen në gjithë lindjen ish komuniste. Ajo konsistoi në heqjen e 80 përqindëshit, në liberalizimin e çmimeve të të gjithë artikujve ushqimorë, në heqjen e subvencioneve për ndërmarrjet shtetërore, në liberalizimin e kursit të këmbimeve të valutës, në liberalizimin dhe privatizimin e transportit, tregtisë dhe ndërtimeve, si dhe masa të tjera në lëmin e legjislacionit dhe liberalizimit të ekonomisë. Gjatë 7-8 muajve të vitit ’92 (për fatin e mirë të shqiptarëve) Reforma mori për mirë dhe arritjet e saj u ndjenë nga të gjithë, ashtu si dhe vështirësitë e kësaj përmbysje të madhe dhe sidomos krijimi i papunësisë. Në fund të vitit ’92 u krye dhe privatizimi i banesave, i cili i hapi horizonte të mëdha ndërtimit, duke u bërë ndërtimi i banesave një degë e rëndësishme e ekonomisë, kuptohet krahas bujqësisë dhe tregtisë. Gjithë këto ndryshime kanë nevojë të studiohen me të mirat dhe të këqijat e tyre, detyrë me sa duket kjo për të ardhmen. Shënojmë se për të qenë të besueshme këto studime, duhet që të mbështeten në shifra dhe fakte të dokumentuara dhe jo të jenë fryt i pozicionimit politik të autorit.
– Domethënë, me këto që po më thoni, ju aludoni apo mendoni se qeveria Rama është e vonuar me disa reforma?
– Unë nuk e thashë këtë. Ju e përjetoni intensivisht realitetin dhe kini mendimin tuaj. Qeveria në të vërtetë duhet të punojë me atë ritëm sipas mandatit dhe premtimeve që ka bërë. Shtyrja e afateve dhe realizimit të premtimeve është jo vetëm në dëm të qeverisë por dhe të vendit. Ia ke premtuar popullit këtë e atë, bëji, së paku ato që mund të bëhen,çfarë pret. Në një vështrim të shpejtë të lëvizjes jo të vogël të elektoratit kuptohet që shumica e shqiptarëve në 23 qershor nuk dëshironte që të mbetej në fuqi Partia Demokratike me qeverinë e saj dhe për këtë votoi majtas, më tepër se herët e tjera, e ka të drejtë të kërkoj ndryshime.
– Një nga problemet më të mëdha në këtë vend është korrupsioni, që është dhe një nga prioritetet që na ka vënë BE-ja…
– Po ju tregoj diçka që mund të tingëllojë si humor. Në kohën e qeverisë sime, shumë njerëz nuk e dinin kuptimin e fjalës korrupsion. Ku mund ta merrnim me mend ne atëherë se ky do të bëhej një nga problemet më të mëdha në vend. A e di që shumë në PD nuk e kanë marrë vesh se kanë humbur zgjedhjet, sepse shumica e tyre kanë vënë shumë pasuri, janë sërish deputetë, kanë imunitet. Madje tani ndihen edhe më mirë dhe me më pak telashe. Kanë edhe sigurinë se askush nuk do të merret me korrupsionin e tyre, i cili duhet faktuar dhe nuk duhet të përdoret për akuza politike.
– Megjithatë, zoti Meksi, duket se qershori që vjen është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë: pritet marrja e statusit të vendit kandidat për në BE. Mos ky fakt kushtëzon dhe shumë nga zhvillimet aktuale në vend?
– Marrja e Statusit mendoj se më shumë se nga ne, varet nga BE. Po të duan ata e japin statusin, po të duan nuk e japin. Për ne si shqiptarë më shumë rëndësi kanë një sërë problemesh të brendshme, domethënë se sa të interesuar jemi ne për këtë integrim. Të gjithë bashkë kemi një defekt; harrojmë shpejt, sidomos të këqijat e jetës, por asnjëherë fyerjen apo dhunën, sidomos kur është individuale. Shpesh në biseda me njerëz të ndryshëm, deri dhe “ekspertë” të çështjeve ekonomike (ata që shkruajnë në gazeta), ndjen se kanë harruar të kaluarën jo shumë të largët, kanë gjykime e vlerësime personale aprioristike, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin e dikurshëm. Një ndër ato gjykime, që të habit më shumë, lidhet me kolapsin e plotë në kuptimin më të plotë të fjalës, të ekonomisë shqiptare në fund të viteve tetëdhjetë. Kanë harruar atë fjalën që dëgjohej shpesh gjatë protestave antikomuniste: “e filluat me triska e mbaruat me tallona”. Kanë harruar radhët e gjata tek furrat e bukës, 80 përqindëshin, mungesën e investimeve, teknologjinë e vjetruar e të tjera. Edhe ato që kanë mbetur reale nga ajo kohë si Hidrocentralet, rezervuarët, aeroporti, pasuritë nëntokësore, uji, toka, kanë nevojë për investime të konsiderueshme, për t’u përdorur me leverdishmëri në kushtet e ekonomisë së tregut dhe se, veç kësaj, struktura e ekonomisë shqiptare ka ndryshuar tërësisht dhe do të jenë privatët ata që do realizojnë investime prodhuese. Sigurisht këtu ndikon edhe mos shpjegimi dhe moskuptimi sa duhet i realiteteve të reja ekonomike si dhe gjykimi për zhvillimet ekonomike jo mbi bazën e shifrave për treguesit bazë. Një rast konkret përbën mosshpjegimi publikut, madje as dhe militantëve dhe as i elektoratit, i detyrimeve tona për në Bashkimin Evropian, i rrugës që do përshkojmë dhe i punës që duhet bërë e treguesit që duhet të arrijë ekonomia, të detyrueshme për t’u plotësuar që të pranohemi. Me sa duket rruga për në Evropë është e gjatë dhe do na haj shumë vite jetë dhe mbase ja vlen të shkojmë në këmbë atje para se të na marri ajo në gjirin e saj.
Intervistoi Xh. Shehu
DITA, 22 mars 2014
