Prof. dr. Refik Kadija
Shtetari, filozofi i shkencave dhe esejisti i famshëm i Rilindjes Sir Francis Bacon është i njohur për thëniet e mençura në shumë fusha të jetës të shprehura në esetë e tij. Për librat ai shprehet se “disa libra janë për t’u shijuar, të tjerë për t’u gëlltitur, dhe pak prej tyre për t’u përtypur e për t’u asimiluar”[1]. Sigurisht, nuk bëjnë përjashtim këtu as librat me përshkrime e shënime udhëtimi.
Kurse për udhëtarët që ndërmarrin udhëtime përtej vendlindjes së tyre, Bacon-i jep 10 këshilla të vlefshme në trajtë aforizmash, të shprehura në esenë e tij “Of Travel” (“Mbi udhëtimet”), të cilat po i përmbledhim si më poshtë: 1. Bëje udhëtimin pjesë të edukimit të jetës tënde. Udhëtimi është pjesë e edukimit për të rinjtë dhe pjesë e përvojës për të moshuarit. 2. Mbaj ditar udhëtimi në det ose në tokë. 3. Kërko pamje interesante si: në sallone të princëve (sidomos kur presin në audiencë ambasadorët); në gjykata, kisha e monastire (me monumentet që janë ruajtur atje mbrenda); në muret dhe fortifikimet e qyteteve e kështjellave; portet, antikitetet e rrënojat; thesaret e gurëve të çmuar dhe rrobave, mobiljet dhe gjërat e rralla; mjetet e lundrimit; shtëpitë dhe kopështet për punë shtetrore dhe çlodhje, pranë qyteteve të mëdha; depot e armëve, arsenalet, magazinat, etj. 4. Kërko veprimtari interesante si ushtrime kalorsiake, duele me shpata, stërvitje ushtarake, shfaqje, biblioteka, triumfe, maska, festa, dasma, funerale, ekzekutime me vdekje, e gjëra të tjera si këto. 5. Merr me vete ndonjë libër a gjësendi të shkruar që përshkruan vendin ku do të shkosh, i cili do të jetë një çelës i mirë për hulumtimet tuaja, dhe merr rekomandim për ndonjë person me vlerë në vendin ku do të shkosh që mund ta përdorësh mbështetjen e tij për gjërat që dëshiron të shohësh ose të dish. 6. Kërko larmi përvojash edhe brenda një vendi të vetëm. 7. Tako ose vizito persona eminentë (të shquar) të të gjitha llojeve, të cilët kanë emër të madh jashtë vendit. 8. Shmangu nga udhëtimi me bashkudhëtarë grindavecë. 9. Kur kthehesh në shtëpi, mbaji të gjalla udhëtimet tuaja me ushtrim intelektual (shkëmbim letrash, shkrime, etj.). 10. Kur të kthehesh në shtëpi mos u mburr para njerëzve për përvojat tuaja të udhëtimeve.[2]
***
Duke lexuar librat e udhëtarëve anglezë që eksploruan trojet shqiptare kuptohet qartë se ata i kanë ndjekur këto këshilla të urta të Bejkonit. Të gjithë vizituan “persona eminentë që kishin emër të madh jashtë vendit”, mbajtën “ditare udhëtimesh në tokë e në det”, lexuan paraprakisht librat e paraardhësve ose bashkëkohësve të tyre, vizituan kisha e monastire, kështjella e fortifikime, antikitete e rrënoja arkeologjike, etj. Thuajse të gjithë i vizituan sarajet e Ali Pashë Tepelenës dhe u takuan me të (Bajroni, Hobhauzi, Liku, Hjuzi, Kokerelli, Dr. Hollandi); David Urquhart-i u takua me Mustafa Pashë Bushatliun; Henri Tozeri u takua me Car Nikollën në Cetinë dhe me konsujt anglez e francez në Shkodër, etj. Pastaj, përveç këtyre fakteve, ata nuk ishin udhëtarë të rëndomtë, por personalitete të shquar në vendin e tyre; nuk udhëtuan si turistë, por ndërmorën udhëtime të vështira me misione të paracaktuara. Bajroni, Hobhauzi, Liku, Robert Grejvsi u dërguan me misione politike, diplomatike e ushtarake. Bajroni dhe Hobhauzi u dërguan nga Shoqëria e miqve të Britanisë për të organizuar kryengritjen greke kundër Turqisë dhe më vonë Bajroni vdiq duke marrë pjesë aktive në revolucionin grek; kurse Hobhauzi u bë një nga anëtarët më aktivë të Komitetit për Çlirimin e Greqisë; Kolonel Liku, përveç hartimit të imët topografik të terrenit të gjithë Greqisë dhe Shqipërisë së Jugut, u dërgua me mision politik nga Mbreti i Anglisë tek Ali Pasha për të negociuar për paqe midis Anglisë e Turqisë; David Urquhart-i ishte diplomat e personalitet politik, i cili u dërgua me mision diplomatik në Stamboll për të zgjidhur konfliktin greko-turk për kufijtë. Robert Grejvsi erdhi nga Stambolli në trojet shqiptare për inspektim me një ekip prej 7 vetash që drejtohej nga Ministri i Luftës i Perandorisë Osmane. Etj.
Shekulli XIX, si shekull i ‘lulëzimit’ të letërsisë së udhëtimeve, nëpërmjet udhëtarëve anglo-saksonë, në Ballkan fillon dhe mbaron simbolikisht me Shqipërinë, e cila në imagjinatën anglo-saksone vazhdonte të përfaqësonte pjesën më misterioze dhe më ballkanase të Ballkanit. Tema shqiptare u bë më e prekshme dhe më dominuese pikërisht nëpërmjet poemës liriko-epike të Bajronit “Udhëtimet e Çajld Haroldit”, të cilën e citojnë në veprat e tyre disa prej udhëtarëve anglezë si T. S. Hughes-i, R. Walsh-i, H. Holland-i, H. F. Tozeri, etj. Studjuesja dhe autorja (me origjinë serbo-malazeze por martuar në Angli dhe me banim të përhershëm atje) Vesna Bjelogrliç/Goldsworthy e përshkruan Bajronin si “Kolombi i Ballkanit”[3] kryesisht, ngaqë shumë nga pasuesit e tij, teksa vizitonin Ballkanin që nga gjysma e parë e shek. XIX e deri në mes të këtij shekulli, duket qartë se ata po ndiqnin hapat e tij, duke konfirmuar, kontestuar ose përditësuar përshtypjet e tij.
Udhëtarët e palodhur anglezë e vazhduan këtë traditë bajroniane edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX e më tej. Bile eksplorimi i trojeve shqiptare dhe i njerëzve të saj, i historisë së tyre, gjuhës, folklorit, zakoneve e traditave dhe karakterit të tyre u pasurua edhe me udhëtare – gra të guximshme si Edith Durham, Margaret Hasluck, Rose Lane, Fanny J. Blunt, Georgina Mackenzie e Paulina Irby, etj. Pas vdekjes së Ali Pashës dhe pas konsumimit gradual të potencialit dramatik që u ushqye nga fundi tragjik i vezirit shqiptar të Janinës, vëmendja e udhëtarëve anglosaksonë u shtri gjithnje e më shumë drejt veriut të Shqipërisë që po e trazonte gjithnjë e më shumë pellgun letargjik të perandorisë osmane, drejt viseve ende të pashkelura ose pak të eksploruara nga udhëtarët anglo-saksonë.
Një nga udhëtarët britanikë më të njohur të gjysmës së dytë të shekullit XIX është Henry Fanshawe Tozer (1829-1916), i cili udhëtoi shumë nëpër Greqi dhe krahinat shqiptare të Perandorisë Osmane. Përveçse udhëtar, ai ishte edhe shkrimtar, filolog e gjeograf. Ai është vazhdues i grupit të udhëtarëve anglezë të 3-4 dekadave të para të shekullit XIX – Byron, Leake, Holland, Hughes, Walsh, Finlay, etj. Ai i studjoi veprat e tyre, u frymëzua prej tyre dhe udhëtoi në gjurmët e tyre. Në njohuritë e përshtypjet e tij mbi shqiptarët ai u ndikua në mënyrë të veçantë nga poema e Bajronit “Shtegtimet e Çajld Haroldit”. Kjo vepër u redaktua nga H. F. Tozeri dhe u pajis prej tij me një ‘Parathënie’ prej 26 faqesh mbi jetën, karakterin dhe opinionet fetare të Bajronit, mbi veprën e tij, karakteristikat letrare të saj, ndikimin e saj në letërsinë botërore, si dhe me ‘Shënime’ historike, topografike, letrare e gjuhësore. Kështu kjo pati tre botime: më 1885, 1898 dhe 1916. Me interes për ne janë shënimet e hollësishme të Tozerit në Këngën e Dytë të kësaj poeme për Shqipërinë dhe shqiptarët, Skënderbeun dhe Ali Pashën.
Vepra e tij madhore në 2 vëllime “Kërkime në Malësitë e Turqisë, përfshirë vizitat në malet Ida, Athos, Olimp e Pelion, te shqiptarët e Mirditës dhe në fise të tjerë të largët” (“Researches in the Highlands of Turkey, Including Visits to Mounts Ida, Athos, Olympus, and Pelion, to the Mirdite Albanians, and Other Remote Tribes”) u botua në Londër më 1869 nga botuesi i famshëm John Murray, botues ekskluziv i veprave të shumë shkrimtarëve të shquar të shekullit XIX. Por autori më i shquar ishte Lord Byron-i, i cili u bë mik i ngushtë dhe korrespondent i tij. Murray botoi shumë nga veprat e tij kryesore dhe ishte pikërisht ky botues, i cili më 10 mars 1812 botoi librin e dytë të Bajronit, “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, i cili u shit për pesë ditë dhe e bëri Bajronin të deklaronte: “U ngrita një mëngjes dhe e pashë veten të famshëm”.
Vepra e Tozerit është padyshim një nga ata libra për të cilët filozofi Bacon thotë se janë “për t’u përtypur e për t’u asimiluar”. Kjo vepër përfshin përshtypjet e tre udhëtimeve të Henry Tozer-it nëpër trojet shqiptare midis viteve 1853-1865, dhe përmban përshkrime të hollësishme veçanërisht të Elbasanit, Beratit, Tepelenës, Gjirokastrës, Shkodrës, Mirditës, Prizrenit, etj. Por herë pas here udhëtari anglez e ndërpret itinerarin e udhëtimit dhe përshkrimin topografik e gjeografik të terrenit për të përfshirë edhe mjaft të dhëna me interes të historisë dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.
Gjatë udhëtimit të tij të parë në verën e vitit 1853 ai mblodhi mjaft të dhëna historike, filologjike e folklorike (legjenda, fabula, ballada, këngë e gjëagjëza), të cilat i shtjelloi në tre kapitujt e fundit (28, 29, 30) të vëllimit II të veprës së tij. Në kapitullin XXVIII, f. 238-239, Tozeri tregon legjendën e Urës së Artës, të cilën e krahason me legjendën Rozafës të Kalasë së Shkodrës:
“Ndër pjesët imagjinative që rrëfejnë disa ndodhi romantike, qofshin imagjinare ose jo, ato që tregohen për Urën e Artës meritojnë të përmenden të parat. Historia duket se është sugjeruar nga dridhjet e harqeve të urës dhe shtjellohet si më poshtë: Disa muratorë kishin kohë që merreshin me ndërtimin e urës së Artës, por ajo çfarë ndërtonin gjatë ditës shëmbej gjatë natës. Kur ishin mërzitur në kulm e s’dinin ç’të bënin tjetër, u dëgjua një zë që dilte nga ura, që thoshte se puna nuk mund të kryhej nëse nuk flijohej jeta e gruas së bukur të mjeshtrit murator. Kur e dëgjoi këtë mjeshtri murator në fillim u pushtua nga pikëllimi, por më në fund fitoi dëshira për ta kryer projektin e tij, dhe ai i çoi fjalë asaj që të vinte e veshur me rrobat më të shtrenjta dhe me stolitë e saj. Kur ajo arriti, e pyeti të shoqin pse e kishte thirrur dhe ai iu përgjigj se unaza e tij e matesës i kishte rënë në gropën e njërës prej skelave (shtyllave) që po ndërtonin dhe ajo ishte njeriu i duhur për t’ia nxjerrë. Ajo menjëherë pranoi që ta zbritnin poshtë në gropë por, sapo arriti në fund, ata filluan ta mbulonin me llaç e gëlqere. Kurse vetë i shoqi hodhi gurin e parë. Kur ajo po vdiste, u dëgjua një klithmë dhe në atë çast iu dridh zemra. Qysh atëherë harqet e urës vazhdojnë të dridhen për jetë të jetëve”. Këtu Tozeri jep shënimin në fund të faqes ku tregon për legjendën e murimit të Rozafës: “Një gojëdhanë e ngjashme tregohet edhe për kështjellën e Shkodrës”.
Në Kapitullin XVII (f. 390-391), përveç të tjerave, Tozeri vlerëson lart ndërtuesit dibranë: “Ne e kemi përmendur tashmë se banorët e Dibrës, krahinës rreth luginës së Drinit të Zi, ishin karpentierët e druvarët më të famshëm në Turqi. Një numër i madh i këtij fisi të shqiptarëve emigronin për pjesën më të madhe të vitit, pjesërisht për të prerë dru në male, dhe pjesërisht për të ushtruar profesionin ë tyre si karpentierë. Shumë prej tyre kalojnë pranë Selanikut dhe bile udhëtojnë deri në Azinë e Vogël, por ata gjithmonë kthehen në shtëpi për verë, ku arrijnë jo më vonë se muaji maj….Përsëri Hahn-i përshkruan ekzistencën e grupeve të muratorëve shëtitës midis shqiptarëve dhe i krahason ata me stërgjyshërit e tyre pellazgë, të cilët punësoheshin për të ndërtuar disa nga veprat e mëdha në Athinë, dhe shumica e mureve të lashta massive të Greqisë dhe Italisë duhet t’i referohet punës së dorës të bërë nga ata (Hahn, ‘Reise’, f. 43)”.
(Vijon)
