Nga Ben Andoni
Teksa Kosova po i afrohet 15-vjetorit të shpalljes së saj të pavarësisë dhe lufta në Ukrainë po shkon në një cak ende të panjohur, në sipërfaqe po dalin edhe shumë nga zgjidhjet e ardhshme të saj. Sidomos, në javët e fundit. Një muaj më parë, pikërisht më 27 shkurt, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, përshfaqi institucionalisht kërkesën që Kosovës duhej t’i jepej anëtarësimi i përshpejtuar në NATO. Pak ditë më pas, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e shpalli zyrtarisht në parlament: “Do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejt anëtare e NATO-s”. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri iu përgjigj pak orë më vonë duke i shprehur mbështetje. Pa humbur kohë, në datën 3 mars Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, ku iu kërkua qeverisë të paraqiste kërkesën për anëtarësim në NATO, si edhe të niseshin bisedimet për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Një javë më vonë, Kosova kishte dhe Grupin Ndërinstitucional të Punës për përgatitjen e anëtarësimit në NATO. Kjo ishte kronika kosovare. Dy ditë më parë këtij vendimi parlamentar, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i dha mbështetje të hapur dhe deklaroi se: “Turqia si një shtet i rëndësishëm i NATO-s mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO”. Po pse vallë ndodhën të gjitha në vetëm pak ditë? Të ishte e rastësishme? Jo aq. Agresioni në Ukrainë u tregoi vendeve që vija e kuqe e vetme nga e cila trembet Rusia ose nuk mundet ta kalojë aq lehtë, mbetej thjesht kufiri i shteteve të NATO-s. E këtyre ditëve ishte edhe kërkesa e kongresistit amerikan Riçi Torres përmes një letre që i përcolli presidentit Bajden dhe sekretarit të shtetit Blinken:“është e rëndësisë jetike të ndihmojmë aleatin tonë Kosovë të anëtarësohet në NATO”. Çuditërisht, i vetmi zë i munguar për hyrjen e Kosovës në NATO ishte heshtja e autoriteteve të Tiranës. E shkruajmë e çuditshme pasi Kosova në NATO është një element shtesë jo thjesht për sigurinë e saj kombëtare por edhe për vetë Shqipërinë.
Duket se edhe kjo gjendje i shkoi për shtat Serbisë ose më mirë u shfrytëzua prej saj!! Edhe njëherë tjetër, si në zgjedhjet e shkuara presidenciale, presidenti Vuçiç e përgatiti publikun e vendit të tij se: sërish gjendeshin në udhëkryq por misioni historik peshonte thjesht e vetëm mbi shpinën e tij! Alarmoi duke e bërë fakt se: “Kosova për gjashtë muaj do të hyjë në NATO!” Njësoj si pak kohë ma parë, kur tha se: Serbia do detyrohej me ose pa pahir të njihte pavarësinë e Kosovës, më 14 marsin e këtij viti me një retorikë “të trishtë” deklaroi se “disa në Perëndim duan që katër shtetet anëtare të BE, që janë edhe anëtarë të NATO-s, të njohin Kosovën që Prishtina të hyjë në NATO”. E gjitha kjo sfumoi disi deklaratën e radhës shqetësuese të kryetarit të parlamentit serb Ivica Daçiç në 14 mars kur u lavdërua se “Ne kemi luftuar kundër NATO-s”. Njësoj me protestat e pashfrenuara në ndihmë të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Nëse herën e parë që përmendëm, në skenë ishin më shumë ndryshimet e kufijve, argument të cilit iu shmangën të gjithë, madje edhe pala amerikane, këtë herë Vuçiç kaloi në dimensionin ‘tragjik’: Argumenti për Kosovën në NATO ka përkrahje të gjerë në vetë Aleancën, e për fat të keq Serbia është e pafuqishme përballë saj dhe nuk ka se çfarë të bëjë!!! Një muaj më parë këtij argumenti Vuçiç i shtoi edhe faktin se megjithë argumenti po artikulohej në Kosovë, “ideja e hyrjes së Kosovës në NATO nuk është e shqiptarëve të Kosovës, por është ide e politikanëve nga SHBA”. E shtoi, ai po bënte luftën e tij të madhe.
Në fakt, paçka se ndryshimet që po i imponohen botës mund ta sjellin këtë realitet, ngjarjet në terren nuk japin shumë oksigjen për të. Qoftë Rusia që po e kushtëzon Ukrainën për qasjen ndaj NATO-s, por edhe Kina e sotme e pengojnë hapur zgjerimin e NATO-s. Në këtë tollovi të përbotshme, askush nuk do dëshironte një problem më shumë dhe duket se NATO po respekton në nivelet më të larta këtë marrëdhënie të brishtë, krijuar pas agresionit mbi Ukrainë. A mundet realisht që Serbia të përfitojë edhe në këtë moment, ose më thjeshtë a po mundohet Vuçiç të ndihë fushatën e tij presidenciale, që duhet thënë se edhe këtë herë do të jetë e lehtë?! Paçka se Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja nuk e njohin Kosovën, ato nuk janë kundër zhvillimeve në integrim të BE-së, edhe pse shprehen hapur që të mos e njohin Kosovën. A mundet SHBA-ja të diktojë mbi to? Në kohët e fundit duket e pamundur sepse hapja e vatrave problematike, sidomos në këtë kohë, duket e lodhshme. Mu këtë po përfiton Vuçiç, që i ka shtuar narracionit të tij elementë historikë: Në historinë moderne të Serbisë, por edhe të asaj të kohës së Titos, vetëm pak personazhe kanë qenë të aftë të shihnin në sy problemin e Kosovës, pohon ai me krenari. Si pararendës të tij numëron Dobrica Qosiç dhe ish-kryeministrin e ndjerë Zoran Xhinxhiç. Në fakt është e vërtetë se për Kosovën është folur qysh në Kohën e Titos dhe madje ishte akademiku Qosiç, një nga zërat më të hidhur ndaj Kosovës, që dha opinionet e para reale. Në vitet 1960, Qosiç përkrahu ndarjen e Kosovës në dy pjesë, ku njëra do t’u takonte shqiptarëve dhe një pjesë do t’u mbetej serbëve. Për shkak të tollovisë së krijuar, e korrigjoi propozimin, por ideja bazë ishte e njëjta: “Nëse udha të çon në realizimin e sovranitetit kombëtar serb, e drejtpërsëdrejti shkëputjen e Kosovës dhe Metohisë nga Serbia dhe Jugosllavia, atëherë përplasjet e rënda dhe tragjike dhe aksidentet dhe ndërlikimet historike të paparashikueshme janë të pashmangshme”, u shpreh ai, më 29 maj 1968 në Lidhjen Komuniste të ish-Federatës.
Do kalonin dekada, e do flinte ky argument, por në vitet ’90 për Kosovën do të flitej e stërflitej qysh nga ndarja e territorit, pavarësia mbikëqyrëse, federalizmi, autonomia e plotë ashtu si e gëzon, mostejkalimi i Rezolutës 1244 dhe deri te modeli i Hong Kongut! Të gjitha ofertat mbetën, pasi me pavarësinë e plotë, Prishtina zgjidhi vullnetin e duhur të popullit të saj. Edhe Zoran Xhinxhiç bëri një propozim real në një si traktat të titulluar ‘Strategjia për Kosovën dhe Metohinë’: “Natyrisht, pritja është alternativa më e keqe, por koha po punon kundër interesave tona në Kosovë dhe Metohi”, ka shkruar asokohe. Këto sot i përkasin historisë se Kosova është një stad krejt tjetër: “Opsioni i parë është federalizimi në të cilin shqiptarët dhe serbët do të kishin një status të ngjashëm si myslimanët dhe kroatët në BeH. Kjo zgjidhje do të ofronte garanci të mjaftueshme për serbët që të gëzojnë të drejtat e tyre në përputhje me vetëqeverisjen në Kosovë” shprehej ai asokohe.
