Pranvera Kola
Jo vetëm poliklinikat dhe qendrat shëndetësore, por edhe spitalet në të gjithë vendin vijojnë të raportojnë me qindra vende të lira pune për punonjës të shkencave mjekësore teknike. Pas vlerësimit të bërë në të gjitha strukturat mjekësore të të katër rajoneve: Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka konfirmuar të gjitha vendet e lira të punës për profesionistë të profileve infermieri, teknik laboratori apo imazherie, mami dhe specialitete të tjera të shkencave mjekësore teknike në të gjithë vendin. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë qendrat shëndetësore dhe strukturat spitalore me pozicionet përkatëse të lira për punësimet e reja në këto specialitete.
Autoritetet e dikasterit të Shëndetësisë bëjnë me dije se plotësimi i vendeve vakante do të bëhet me profesionistët që janë aktualisht në listën e pritjes të shpallur nga aplikimet që bëhen nëpërmjet portalit “Infermier për Shqipërinë”. Në këto kushte, të gjithë fituesit e portalit të shpallur në fazat e mëhershme të aplikimeve dhe që aktualisht janë në listëpritje, do të vazhdojnë të punësohen sipas radhës, deri në daljen e fituesve nga konkurrimet që do të zhvillohen sërish gjatë muajve në vijim. Më tej, kandidatët që janë në listëpritje ripozicionohen sipas pikëve që kanë. Për vendet e lira të punës në çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor, kandidati njoftohet nga Komisioni i Vlerësimit të drejtorisë rajonale në varësi të cilës është vendi vakant. Ky njoftim mund të bëhet nëpërmjet postës elektronike, mesazhit në celular dhe telefonatave në adresat që kandidati i ka deklaruar gjatë aplikimit të bërë online dhe me dosje në portalin “Infermier për Shqipërinë”.
Sikundër ka ndodhur edhe në fazat e mëparshme, shumë prej të punësuarve që do zgjidhen nga listat e pritjes për këto vende të lira do të mund të marrin kontratën definitive të punës, ndërsa një pjesë tjetër do të jenë të punësuar provizor, sipas nevojave të shpallura nga qendrat shëndetësore, poliklinikat, apo edhe strukturat spitalore. Për vendet provizore, autoritetet e shëndetit sqarojnë se pas përfundimit të periudhës së punësimit si zëvendësues, teknik i shkencave mjekësore në profilet përkatëse kalon në listën e pritjes duke u renditur në përputhje me pikët totale që ka siguruar nga fazat e konkurrimit nëpërmjet portalit.
Sipas të dhënave të bëra publike, në të gjitha strukturat mjekësore të rajonit të Tiranës janë 42 vende të lira, pjesa dërrmuese e të cilave në infermieri pranë qendrave shëndetësore. Ndërsa në rajonin e Elbasanit janë 80 vende të lira. Po kaq është edhe numri i vendeve për punësimet e reja edhe në strukturat mjekësore që përmbledh Rajoni i Shkodrës, teksa në Vlorë raportohen 76 vende të lira.
Prej tre vitesh, punësimet e reja të profesionistëve të shkencave mjekësore teknike, por edhe të mjekëve në spitale, poliklinika e qendra shëndetësore bëhen nëpërmjet konkurrimeve që zhvillohen në portalin online “Infermier për Shqipërinë”, ku të gjithë të pajisurit me lejen e ushtrimit të profesionit në këto profile mund të konkurrojnë në dy fazat e përcaktuara (aplikimi me dosje dhe faza e dytë që është testimi i informatizuar që zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit). Çdo kandidat që bëhet pjesë e portalit vlerësohet me pikë për secilën fazë konkurrimi. Sipas skemës së përcaktuar në fazën e parë të aplikimit me dosje kandidati vlerësohet rreth arsimimit të kryer, përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën. Për fazën e parë të aplikimit sigurohen deri në 30 pikë. Ndërsa në fazën e dytë që është “Testimi i informatizuar”, marrin pjesë vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, dhe nëpërmjet testimit çdo kandidat mund të sigurojë deri në 70 pikë. Testi përbëhet nga dy pjesë: Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërisë dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri, si dhe pjesa e dytë që përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete.
Tabelat
Vendet e lira në spitalet, poliklinikat dhe qendrat shëndetësore për Rajonin e Tiranës
Vendet e lira në spitalet, poliklinikat dhe qendrat shëndetësore për Rajonin e Vlorës
Vendet e lira në spitalet, poliklinikat dhe qendrat shëndetësore për Rajonin e Shkodrës
Vendet e lira në spitalet, poliklinikat dhe qendrat shëndetësore për Rajonin e Elbasanit
