Qeveria heq kreditë e buta për zyrtarët

anazapta

Qeveria shfuqizon vendimin për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe funksionarëve politikë. Vendimi parashikon që fondet e planifikuara në buxhetin e shtetit për zyrtarët, të alokohen në kategoritë e tjera më në nevojë për strehim, siç janë familjet që banojnë në ish pronë të subjekteve të shpronësuara të cilët përfitojnë kredi me 0 % interes. Gjithashtu, vendimi i heq zyrtarëve të lartë të shtetit mundësinë për t’u trajtuar në mënyrë të privilegjuar, përmes kredive te buta për strehim.

 

Vendimi

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, bëri të ditur se vendimi ka ardhur pas zbulimit të fakteve tronditëse mbi abuzimet që kanë ndodhur me këtë vendim, të miratuar nga Qeveria ‘Berisha’. “Auditimi i kryer nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit zbuloi fakte tronditëse. Programi i kredive të lehtësuara pёr zyrtarёt dhe funksionarёt politikё u përdor pёr tё mbështetur militantёt dhe njerëzit me pushtet rreth qeverisё, në mënyrë të njëanshme, duke mos adresuar problemet e qytetarëve më në nevojë për strehim dhe me të ardhura të ulëta.  Raporti i auditimit tё brendshëm tё Ministrisë, dёshmoi se zyrtarë kanë përfituar kredi pa plotësuar asnjë lloj kriteri”, tha Gjermeni. Në këtë kuadër ajo sqaroi se janё akorduar dhe lidhur kredi lehtësuese me nivelin maksimal tё pёrfitimit, duke mos bërë asnjë përllogaritje. Gjithashtu, janë evidentuar raste tё përfitimit tё kredive lehtёsuese nga 2 programe të  strehimit njёkohёsisht. “Janë gjetur raste tё trajtimit me kredi pёr shtёpi të funksionarёve qё kanë në pronësi 1 ose 2 shtёpi. Zyrtarё tё lartё dhe funksionarё politikё kanё përfituar një kredi të dytë për të blerë banesë jashtë vendit të ushtrimit të detyrës,  madje dhe në zona turistike. Të gjitha këto shkelje, materialet për të cilat i kanë kaluar për hetim prokurorisë,  dëshmojnë qartë se zyrtarët e veshur me pushtet janë trajtuar ndryshe nga qytetarët në nevojë, janë privilegjuar në kundërshtim me ligjet në fuqi”, theksoi ministrja e Zhvillimit Ekonomik.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *