Requiem për Rrahman Celibashin

J L

Ilmi S.Qazimi 

 

E kishim bërë zakon  që në atë ditë t’i festonim datëlindjen. Vajza e tij e dashur, Diana, ishte mësuar që pikërisht në atë datë të priste vetëm urime nga brenda dhe jashtë vendit, prej vëllezërve, motrës, nipërve, mbesave, kushërirave,nga Dashamiri, Berti prej Greqie, Veriu nga Italia, Leonardi prej Amerike, por edhe nga shumë miq, të afërm, të njohur. Ishte ditë e ftohtë dimri ajo e 8 janarit 2022, kur morëm lajmin e ndarjes nga jeta  të mësuesit veteran dhe kuadrit të mirënjohur të Skraparit, Rrahman Celibashi. Ditëlindjen e tij, ndoshta, ishte po ai që e ktheu  edhe në ditë të largimit fizik prej jetës.

Nxënës i zellshëm dhe kuadër i përkushtuar

Rrahmani kish lindur më 8 janar të vitit 1936, në fshatin Therepel të Skraparit, në një familje të varfër, por mjaft arsimdashëse,  punëtore, mikpritëse dhe shumë patriote. Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindjen e tij, ai vijoi shkollën 7 vjeçare në qytetin e Çorovodës dhe studimet i kryente me bursën e shtetit, ku i mbuloheshin të gjitha shpenzimet. Konvikti i shkollës u kthye në një shtëpi të dytë të Rrahmanit, por edhe atyre nxënësve të tjerë të ardhur edhe nga fshatrat e ndryshëm të rrethit. Vitet e para pas çlirimit ishin vërtet të vështira për vendin tonë,por pushteti popullor shtroi direktivën “na duhet më shumë bukë dhe kulturë”. E mbi këtë bazë u çelën shumë shkolla dhe krahas u përgatitën edhe kuadrot  mësimdhënës. Rrahmani,nga që ishte me rezultate të larta dhe i talentuar, u përzgjodh të ishte njeri prej djemve që do të niste studimet në Shkollën Pedagogjike ose Normale siç vazhdonte të quhej asokohe në Elbasan.

Njëherazi , në atë shkollë ai kreu edhe kursin për gjuhën e huaj ruse dhe pas mbarimit të kësaj shkolle u emërua në zonën e Tomorricës në fshatin Gjerbës, në një shkolle ku kishte shumë pak mësues skraparllinj. Pjesa kryesore e kolegeve të tij ishin të ardhur nga rrethet e tjera, si Berat, Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër. Puna e tij e mirë dhe cilësore si mësues dhe edukator ra shumë shpejt në sy dhe pas pak vitesh Rrahman Celibashi emërohet si inspektor në seksionin e arsimit të rrethit, ku punoi deri në vitin 1963. Gjithsesi në ato vite hedh shtat në Poliçan Uzina Mekanike me karakter  ushtarak, (më vonë kombinat), vepër kjo që kishte shumë nevojë jo vetëm për fuqi punëtore, por edhe për kuadro drejtues e të shkolluar. Emërimi i tij si përgjegjës, apo  e thënë  ndryshe, shef  i  administratës së Uzinës, ishte një detyrë e re dhe një përzgjedhje që u bë prej nomenklaturave përkatëse mbi bazën e karakteristikës së tij të shkëlqyer. Jo rastësisht ishte zgjedhur ky kuadër i aftë, sepse kishte cilësi  të larta  njerëzore, ndjenjë përgjegjësie dhe ndërgjegje të pastër në punë si dhe një sërë   aftësish  profesionale në shërbim të detyrës dhe  njerëzve. Ishin këto virtyte  që u bënë arsyeja kryesore e njohjes për mirë  të Rrahmanit, nga tërë efektivi i ndërmarrjes, nëpunës, punëtorë dhe kuadro drejtues të këtij kombinati, të cilët  krijuan respekt absolut për njeriun dhe kuadrin e duhur, në vendin e duhur, në një institucion të atillë të rëndësishëm të kohës.

Dasmë në futboll

Në librin e botuar së fundmi “Qyteti i 5 shtatorit”, autori Ilir J.Hoxha zbulon detaje nga aktiviteti i njeriut të respektuar Rrahman Celibashi,  në moshën e rinisë së tij, përsa i përket sportit të dashur të  futbollit. Rrahmani ishte themeluesi dhe anëtari i formacionit të parë të ekipit “5 Shtatori”, krahas emrave të tillë të  mësuesve  dhe kuadrove aq të respektuar e të paharruar Emir Qafa, Myslim Hotova, Hektor Bregasi, Syrja Carcani, Muharrem Memollari, Bardhyl Dardha, Enver Kahremani, Zenel Dyrmishi, Zihni Hasanaj, si dhe Xhevdet Shallari. Duke iu referuar shkrimit “Dasmë  në futboll”, autori shkruan se 31 korriku 1960 solli takimin “5 Shtatori” me  “Tirana rreth”. Kjo ditë ishte dy herë e rëndësishme për mësuesin nga Therepeli, Rrahman Celibashi, mbrojtësin e ekipit që ishte njëherazi edhe mësues. Pikërisht atë ditë, ai do të zyrtarizonte edhe martesën e tij me zonjën e nderuar Gjyrxhie Hasanaj. Karvani i dasmorëve pasi do të përshëndeste shokët e skuadrës, do ta vijonte rrugën për ta pritur dhëndrin në pasdite vonë. Një histori vërtet interesante por që u vlerësua nga drejtuesit kryesorë të partisë dhe pushtetit në  rreth të cilët i vendosën në dispozicion një makinë të vogël “Gaz 69”, më e mira e kohës, për ta dërguar dhëndrrin në Therepel pas ndeshjes, për ta vazhduar dasmën sipas traditës. Kjo histori, që mbeti e tillë deri në ditët e sotme,  tregonte jo vetëm se sa vlerë kishte futbolli atëkohë kur ai nuk konsiderohej  biznes,por veçanërisht  se sa shumë  çmohej   profesioni i mësuesit si edukator  i gjithanshëm i brezit të ri. Është  ky fakt që flet se sa respekt  gëzonte Rrahmani në qytetin e Çorovodës dhe në tërë ato anë ku ai kishte lënë gjurmë  të pashlyera mirësie, atdhetarie dhe  njerëzore. Me pas ai, natyrshëm  zgjodhi të mos mbetej  futbollist, por roli i tij ishte si përgjegjës ekipi dhe organizator i futbollit të  skuadrës “5 Shtatori”.

Korrekt dhe i ndershëm-dy cilësitë kryesore në rrugën e sukseseve

Mirësia dhe edukata e tij, ishin tipar dallues që e kanë gdhëndur në memorien e tyre shumë nga nxënësit për ish-mësuesin e dashur dhe të respektuar Rrahman Celibashi.Puna e  tij  këmbëngulëse,  sfidonte edhe vështirësitë e kohës dhe në tërësi ai nuk lejonte që nga  duart e tij të dilnin asnjëherë nxënës të papërgatitur. Ishte  njeri me edukatë, urtësi dhe të ushqente shpresë, durim e guxim me fjalët dhe veprimet si edukator. Novrus Naska,një punonjës i hershëm i arsimit në Skrapar, vlerëson lart aftësitë profesionale, virtytet dhe cilësitë  e mira  të Rr.Celibashit, si mësues por edhe si inspektor arsimi. Nga kujtimet e tij ai risjell në vëmendje punën që bënte në makinën e shkrimit, si tematikën e dokumenteve të zyrës dhe sqarimet e detajuara  që  iu jepte çdo vartësi apo qytetari për problemet që dilnin  gjatë punës. Zonja  Liri Naska ruan të njëjtën konsideratë pozitive si ish-nxënëse, duke treguar se sa bukur  shpjegonte mësues Rrahmani  në orën e mësimit të gjuhës ruse, duke e bërë atë një gjuhë të dashur falë mënyrës se si e përcillte  materialin mësimor  te nxënësit.

Novruz Zaimi ish-punonjës i kinoklubit të qytetit të  Poliçanit përmes kujtimeve të tij vjen në dy këndvështrime. “Korrektesa, rigoroziteti, ndershmëria në punë dhe ndihma që iu jepte të tjerëve, ishin tiparet  e atij njeriu që tani nuk e kemi më midis nesh. Mbasi u bëmë miq unë mësova se Shpirti i kunatit tim ishte gjithnjë i prirur për të  vendosur  e forcuar ura sa më të shëndosha miqësie  duke ruajtur traditat më të mira të krahinës,”- thekson Novruzi. Edhe për inxhinier Zenel Çeçon, Rrahmani  përfaqësonte  një vlerë të  shtuar shoqërore e shtetërore të atyre anëve. Zenel Myslimi, ish-sekretar ambasade në Suedi, duke iu rikthyer  kujtimeve të rreth vitit 1967 kur ishte në Kombinatin Mekanik Ushtarak të Poliçanit, rrëfen se  asokohe kishin ardhur shumë punëtorë e kuadro nga Gjerbësi, Çorovoda e tërë Skrapari të cilët pohonin se drejtues i administratës ishte një burrë zotëri, një ish-mësues  që quhej  Rrahman Celibashi. “Puna më lidhi edhe mua me të. Cilësitë e tij aq të larta i kam edhe sot parasysh. Njeri tepër korrekt, shumë i kujdesshëm dhe mjaft i vëmendshëm. Pas shkollimit dhe kualifkimit tim, mu dha mundësia të punoj në disa ambasada të Shqipërisë, si në  Danimarkë, Finlandë, Islandë, Suedi. Kudo ndoqa ato porosi dhe rregulla që më mësoi mësuesi im i jetës, njeriu që  gjeneronte kurdoherë pozitivitet dhe  marrëdhënie të  ndershme njerëzore.” Dhe në të vërtetë Rrahman Celibashi, me ato të mira që ka bërë e me ato gjurmë mbresëlënëse, do të mbetet  i gjallë edhe pas vdekjes. Njerëz të tillë mbeten vetëm të lindur.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *