Pse s’po i arrin Rusia objektivat e saj strategjike në Ukrainë

J L

Dilaver Goxhaj

 

Po bëhet një muaj që Ushtria Ruse ka futur në Ukrainë, në luftim, pothuajse 90% të 200.000 forcave të saj ushtarake të grumbulluara në kufi me Ukrainën, para fillimit të operacioneve të saja ushtarake, ndëshkimore dhe aneksuese.

Që nga data 24 shkurt janë të shumtë ata që i bëjnë pyetje vetes se përse Rusia e ka ndërrmarë këtë ofensivë dhe cilat janë objektivat e saj?

Për të kuptuar më mirë objektivat e kësaj lufte në Ukrainë të ndërrmarë nga Rusia, le të ndalemi pak për të shtjelluar se cilat janë këta objektiva që burojnë nga ai vendim politik i Rusisë pse ndërmorri atë luftë.

Teoria moderne ushtarake e ndan luftën në tre nivele, të cilët janë:

  1. Niveli Strategjik i luftë
  2. Niveli Operativ (Operacional) i luftës
  3. Niveli taktik i luftës.

Çdo nivel i kësaj lufte ka të bëjë me zbatimin e një strategjia, e cila është gjatë gjithë kohës pre e rivlerësimit gjatë çdo etape, për shkak se lufta në vetvete është dinamike.

Le ti shohim këto nivele një e nga një.

Niveli Strategjik

Niveli strategjik ka të bëjë me përcaktimin dhe mbështetjen e politikave kombëtare, e cila lidhet drejtpërdrejt me rezultatin përfundimtar të luftës. Në këtë nivel përfshihet koncepti strategjik, i cili përfshin planet për përgatitjen e të gjithë instrumenteve kombëtarë të pushtetit për luftë, si dhe udhëzimet praktike për përgatitjen e forcave të armatosura për arritjen strategjike të objektivit (objektivave).

Niveli Operacional

Niveli Operativ i luftës merret me përpunimin e teorisë dhe të përgatitjes, të drejtimit e të zhvillimit të operacioneve ushtarake, në përputhje me kërkesat e strategjisë. Si nyje ndërlidhëse midis strategjisë dhe taktikës, arti operativ studjon, përpunon dhe përcakton mënyrat dhe metodat e pregatitjes,, të drejtimit dhe të zhvillimit të operacioneve ushtarake për realizimin e qëllimeve të strategjisë dhe jep të dhëna e nxjerr detyra për taktikën, në mënyrë që taktika të mund të zgjedhë drejt e në kohën e duhur detyrat luftarake që rrjedhin nga qëllimi i fundit i operacionit, të cilit taktika i shërben.

Niveli Taktik

Ky nivel është  mjeshtëria që merret me studimin dhe përpunimin e mënyrave dhe metodave konkrete të veprimeve luftarake, për të zbatuar detyrën që shtron operacioni ushtarak, në përputhje me qëllimet e strategjisë së luftës, me humbje minimale forcash e mjetesh në terren, në kontakt direkt me armikun.

Pra për të qënë më të qartë na rezulton që

Niveli Taktik = forcat në një luftim;

Niveli Operacional = forcat në një operacion (një betejë a disa beteja) të këtyre forcave të vendosura në një teatër lufte,

Niveli Strategjik = qellimi i luftës.

Në nivelin Strategjik teoricieni i luftës Von Klauzeviç përcakton objektivat që janë:

1) Shkatërrimin e plotë ose i forcave kryesore të armikut.

2) Pushtimin e plotë ose i pjesëshëm i vendit të armikut.

3) Minimalisht, thyerjen e vullnetit të armikut për të luftuar.

Me këto tre përcaktime të qarta, le të shohim objektivat strategjike të përcaktuar nga Rusia për këtë luftë, të cilat janë:

  1. a) Demilitarizimi i ushtrisë së Ukrainës.
  2. b) Krijimin e kushteve të nevojshme, (pamvarësisht kufijve), për të krijuar lidhje dhe forcim të gjithëve objektivave si një të vetëm.

Qartësisht në këto objektiva duken të tre pikat që përcakton Klauzeviçi, ku me demilitarizim të ushtrisë kuptohet shkatërrim i plotë i saj dhe, nëse arrihet shaktërrimi i saj, atëhere thyhet edhe vullneti për të bërë luftë. Ndërsa, me krijimin e kushteve për të qënë të gjithë objektivat një i vetëm, kuptohet pushtim i pjesëshëm i Ukrainës.

Le të shohim pikën e dytë që nënkupton pushtim të pjesëshëm të Ukrainës. Cfarë do të thotë kjo?

Për të sqaruar këtë do të na duhet t’i referohemi historisë.

Në vitin 1764 Rusia arriti të pushtonte territoret jugore të Ukrainës, që në atë kohë i përkisnin mbretërisë Kozake. Këto territore përbëheshin nga Luhansku, Donetsku, Dniepropetrovska (Mariupoli), Zaporizhia, Mikolayev dhe Odesa.

Pasi u aneksuan, këto territore u quajtën atëherë nga Kateria me emrin Nova Rusia. 10 vite më vonë këtyre territoreve ju shtua edhe Krimeja.

Deri në fund të revolucionit të Tetorit, në 1922, këto territore qeveriseshin nga Rusia e asaj kohe. Në këtë vit këto territore ju dhanë Ukrainës, si pjesë e Bashkimit Sovjetik. Në vitin 2014, republikat e vet-shpallura të Luhanskut dhe Donetskut formuan federatën e Nova Rusia, por në vitin 2015 kjo iniciativë politike u vendos që të ngrihej.

Pse duhej sqaruar kjo?

Tashti vimë në sqarimin e këtyre objektivave të lartpërmendur në teatrin e luftës aktuale, për të kuptuar sqarimin e mësipërm historik.

Me fillimin e ofensivës, forcat Ruse lëvizën në 4 drejtime kryesore, të cilat janë:

  1. Nga Voronezhi (në Rusi) në drejtim – Luhanskut; dhe nga Rostovi (në Rusi) në drejtim – Donbasit.
  2. Nga Kursku (në Rusi), në drejtimin: Ҫherniv – Sumi – Kharkov.
  3. Nga Bjellorusia, në drejrtimin: Ҫernobil – Kiev.
  4. Nga Krimea, në drejtim: Mariupol – Kherson – Mikolajev.

Dy drejtimet e para jan në jug të Ukrainë; i treti në lindje të Ukrainës, dhe i katërti në veri të saj. Pikërish, drejtimi i katërt ka tërhequr gjithë vemendjen e Perëndimit. Kjo për faktin se ky drejtim nuk po ecën me ritmin e tre drejtimeve të tjerë, por ka ngecur në vend, në rrethinat e Kievit, pa tentuar ta shpërtei seriozisht mbrojtjen e tij.

Ndërsa në Jug, ku përparimi i forcave Ruse ka qënë dukshëm më i suksesshëm, shihet vakët, ose më shumë vetëm si një katastrofë humanitare sesa si një humbje serioze. Në këtë drejtim të jugut, forcat Ruse kanë arrritur të shpërthejnë vijat mbrojtëse të Ukrainës dhe të marrin nga ana e Krimesë qytetet e Kherson dhe Melitopolit. Gjatë javës që sapo kaloi arritën të ndërpresin edhe daljen e Ukrainës në Detin Azov të Mariupolit duke krijuar kështu një lidhje tokësore midis forcave të tyre që vinë nga Krimea dhe atyre që vinë nga Dombasi; pra, duke bërë një lidhje tokësore të kësaj republike të vetshpallur me Krimenë. Në të njëjtën kohë kanë rreshtuar në Detin e Zi, përballë Odesës, gati një armatë të tërë detare me mbi 15 anije amfibe të gatshme për zbarkim, të cilat presin urdhërin e Shtabit të Përgjithëshëm, i cili po pret mbarimin e operacionit në Mariupol dhe pastaj përqëndrim e forcave në drejtim të Mikolajevit, me qëllim që t’i dalin Odesës në shpinë dhe në krahë.

 

Ajo çfarë vihet re, është përdorimi i forcave (ose i drejtimit verior) për në Kiev, si një diversion magjik. Këtu Shtabi i Përgjithëshëm i Ushtrisë Ruse ka bërë një lëvizje prej prestigjatori. Ata, me një numër të vogël forcash special, dhanë një goditje fillestare në drejtim të Kievit, për të krijuar idenë e rreme se gjoja kishin qëllim kryesor marrjen e Kievit dhe rrëzimin e Qeverisë.

Por po të shohim taktikën e përdorur nga forcat ruse në këtë drejtim, ajo nuk është e njëjtë më taktikën e forcave të tjera ruse që veprojnë në tre drejtimiet e tjera.

Dimë se në vitin 2014 Ruse miratoi doktrinën e saj të re ushtarake. Në këtë doktrinë ata përcaktojnë qartësisht taktikën e veprimit dhe nivelin operacional të trupave, e cila funksionon sipas kësaj mënyre: Në fillim, si skalion i pare, hidhen në sulm Brigadat e motorrizuara, për të çarë vijat e mbrojtjes. Porsa i shpërthejnë këto vija, atëherë menjëherë hidhen në sulm forcat e skalionit të dytë, që janë forca të blinduara rëndë, në të cilat hyjnë tanket, dhe që përdoren për të zgjeruar shtegun.

Pas këtyre, si skalion i tretë, hidhen në sulm forcat e Gardës Kombëtre e Federatës Ruse, të cilat kanë për detyrë të fshijë çdo lloj xhepi rezistence të mbetur si dhe të mbajnë e të ruajnë objektet kritike nga sabotimi. Gjatë këtij operacioni, gjatë gjithë kohës bëhet mbulim i afërt ajror.

Në realitet kjo doktrinë u zbatua me përpikmëri në dy drejtimet jugore. Ndërsa në drejtimin lindor nuk u zbatua në ditët e para, por filloi zbatimin menjëherë pas ditës së pestë.

 

Ndërsa në drejtimin e veriut, (ai në drejtim të Kievit), kjo taktikë nuk u zbatua fare. Biles edhe një autokollonë disa kilometra e gjatë, nuk u sigurua aspak me mbulim ajror për një javë që ajo qëndroi pa lëvizur dhe që, çuditërisht nuk u sulmua as nga forcat e këmbësorisë dhe as nga artileria tokësore e Ukrainës!

Pra, sikundër shihet, mos aplikimi i doktrinës së tyre, mos mbulimi dhe mos çuarja në drejtimin e veriut të forcave të tyre më të trajnuara, (pasi forcat më të trajnuara dhe më me eksperiencë të tyre që janë Ushtria e 58 e Kaukazit dhe Divizioni I 7 Ajror), janë përqëndruan në drejtim të Mikolajevit, me qëllim fundor – Odesën, nuk u përdorën në Kiev. Ndërsa në Kiev u përdorën vetëm ato njësi që i përkisnin Gardës Kombëtare. Kjo tregon se Kievi nuk ka qënë qëllimi kryesor i tyre, por vetëm diversion.

Me sa kuptohet, Rusët kërkuan të krijonin te Ukrainasit dhe tek Perëndimi idenë mashtruese, se qëllimi i tyre kryesor ishte dhe është Kievi; por, në realitet, duke u nisur nga lloji i forcave, taktikat dhe doktrina e përdorur në jug, duket qartësisht që qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj ekspedite ushtarake është realizimi i pikës “B” të Putinit: Krijimin e kushteve të nevojshme, (pamvarësisht kufijve), për të krijuar lidhje dhe forcim të gjithë objektivave si një të vetëm, që do të thotë marrjen e gjithë brigjeve jugorë të Ukrainës në Detin e Zi dhe Detin Azov.

Qëllimi strategjik i tyre është kontrolli i plotë i gjithë kësaj vije bregdetare, që nis në Mariupol dhe përfundon në Odesë, në kufi me Rumaninë dhe me Moldavinë. Në këtë mënyrë Rusia i heq Ukrainës mundësinë e daljes në det, duke e shndërruar atë thjesht në një shtet të izoluar, përveç që do të ketë edhe një ushtri të shkatërruar, duke u gjendur gjithnji nën presionin rus të pushtimit të ndonjë hapësire tjetër, dhe i pamundshëm për të rimarrë Ukraina territoret e saja.

Pra, me pak fjalë, me realizim e këtij qëllimi nga ana e Rusisë, do të kemi një Federatë Ruse e cila do të kontrollonte edhe një pjesë të lindjes së Ukrainës si dhe gjithë jugun e saj e bregdetin, duke filluar që nga deti Azov e deri në Odesa ,duke i dalë Evropës në kufi e duke u shndërruar Rusinë në një bishë shum herë më të fuqishme e më të rrezikshme nga ajo që bota e njeh që prej përfundimit të luftës së Ftohtë. Duke marrë kontrollin e vijës bregdetare, automatikisht bie poshtë pretendimi i Perëndimit, se Putini po kërkon të marrë Kievin, për të marrë kontrollin politik të vendit.

Me marrjen nën kontroll të atij territori në jug, kjo do sjelli në Ukrainën e pas lufte një turbolencë të madhe politike, pasi, duke mos pasur më dalje në det, ajo do të kthehet në një vend të varfër dhe jo më të qëndrueshëm politikisht.

Me marrjen e Jugut të Ukrainës, të asaj që në histori është njohur si Novaja Rusia, e gjymton Ukrainën ekonomikisht dhe e kthen atë në një vend politikisht të parëndësishëm edhe për NATO-n, edhe për Evropën.

Dhe këtu vimë te pyetja, që pas këtij leximi të gjatë, të gjithë ja bëjnë vetes: Kush e fiton këtë luftë?

Në rast se do e përkufizjmë “fitoren” si detyrim të Putinit që të pranojë një armëpushim dhe të tërhiqet nga pjesa më e madhe e territorit Ukrainas, pa e gjymtuar atë ekonomikisht dhe politikisht, atëherë mund të thuhet se Ukraina e ka fituar këtë luftë. Por kjo do të thotë që Ukraina të ruaj daljen e saj në Detin e Zi dhe të rimari dy republikat e vetshpallura.

Por, në rast se Rusia do të pranojë një armëpushim, por duke e mbajtur kontrollin e Detit Azov, të Mariupolit, Donabsit, Luhanskut, Mikolajevit dhe Khersonit, atëhrë kjo do të ishte një humbje e pjesëshme për Ukrainën. Por nëse kësaj do i shtohej edhe Odesa, atëherë kjo do të ishte një humbje totale për Ukrainën.

Prandaj, përparimi me kosto dhe i ngadalë i forcave Ruse në këtë luftë nuk duhet të keqinterpretohet ashtu si po bëhet deri më tani, si dështim i qëllimeve politike dhe ushtarake të Moskës.

Gjithashtu, me valën e madhe të refugjatëve ukrainas që largohen nga lufta në drejtim të Evropës, Rusia po arrin edhe një qëllim tjetër strategjiko – politik në raport me Evropën, duke përhapur firkën e destabilizimit në gjithë Evropën.

Përfundimisht, thënë shkurt e qartë, Evropa dhe NATO deri më tashti janë marrë vetëm më mbulimin dhe komentimin e nivelit taktik të luftës, dhe kanë lënë jashtë kalkulimeve nivelin operativ dhe strategjik të saj, atë për të cilën lufta bëhet. Dhe, sin ë nivelin strategjik edhe në atë operacional, Rusët po bëjnë përditë përparime të vogla dhe të konsiderueshme.

Duke qënë se luftën e shikojmë të gjithë nga jashtë, shpesh ajo barazohet me të kuptuarin, por që në realitet janë gjithnjë të ndryshme.

 

Share This Article
1 Comment
  • Nje analize e shkeqyshme e bazuar ne shkencen moderne ushtarake qe tregon se autori tregon te verteten duke analizar me shume mjeshtri ,fakte dhe informacion se si po zhvillohet kjo lufte

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *