Ekskluzive/ Intervistë me Prof. Rami Memushaj: Rruga e mundimshme drejt standardizimit të shqipes

Ornela

Intervistoi Xhevdet Shehu

Gjuha standarde e nisi udhëtimin e vet nga Shkupi, e vijoi në Prishtinë dhe u kurorëzua në Tiranë. Konsulta e Prishtinës e ngriti de facto statusin e shqipes nga gjuhë letrare e shtetit amë në gjuhë letrare të të gjithë kombit, dmth. në gjuhë standarde; Kongresi i Drejtshkrimit e sanksionoi de jure vendimin e marrë në Prishtinë; kurse shteti komunist bëri detyrën që do të kishte bërë çdo shtet kombëtar – monarkik, fashist, komunist a demokratik –  mbështeti vendimet e marra në këtë Kongres nga intelektualët atdhetarë brenda e jashtë kufijve.

Këtë vit mbushen plot 50 vjet nga Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, i cili unifikoi gjuhën shqipe. Ky Kongres mbetet një nga ngjarjet kulmore të kulturës sonë kombëtare. Në datën 11 mars, gazeta DITA botoi shkrimin e Prof. Xhevat Lloshit “50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit”, i cili deri në muajin nëntor të këtij viti do të pasohet edhe nga një sërë shkrimesh të tjerë të gjuhëtarëve dhe intelektualëve shqiptarë për këtë ngjarje të rëndësishme.

Sot ne po nisim botimin e kësaj interviste ekskluzive me Prof. Rami Memushajn

Profesor Memushaj, unë nuk mendoj se është herët të bashkëbisedojmë për një ngjarje të madhe kulturore, sikurse ishte Kongresi i Drejtshkrimit i 50 viteve më parë. Në të vërtetë, Kongresi u mbajt në nëntor të vitit 1972. Për nga rëndësia që pati dhe ka, a mund të konsiderohej ky vit si “Viti i Kongresit të Shqipes?

– Historia njeh rrugë të ndryshme të kalimit nga shteti parakombëtar te kombi dhe te shteti kombëtar: diku këtij procesi i kanë çelur udhë shtetet perandorake, diku monarkitë dhe diku lëvizjet kulturore, siç ka ndodhur në Shqipëri dhe në vende të tjera të Europës Jugore dhe Juglindore që u shkëputën nga Perandoria Otomane. Procesi i ngjizjes së kombit në këto vende nuk ka qenë spontan, po i qëllimshëm dhe i planifikuar në të gjitha aspektet. Në këtë proces të planifikuar faktori gjuhësor ka luajtur një rol aq të rëndësishëm, saqë në tipologjitë sociolinguistike shtetet kombëtare të këtyre vendeve quhen “shtete gjuhësore”.

Planifikimi gjuhësor i shqipes ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në ngjizjen e njësisë kombëtare dhe në modernizimin e kombit, dhe kongreset gjuhësore kanë qenë ato që e kanë përshpejtuar dhe i kanë vënë vulën këtij procesi. Kongresi i Manastirit, që përmbylli fazën e parë të planifikimit gjuhësor të shqipes, i dha fund morisë së alfabeteve që përdoreshin para tij, duke pranuar vetëm dy prej tyre. Dokumenti i parë i shpalljes së Pavarësisë u hartua me alfabetin latin të miratuar nga Kongresi; ky alfabet, që u përdor edhe në dokumentacionin e shtetit të parë shqiptar, u pranua gjithandej ku flitej gjuha shqipe. Njësimi i alfabetit shënoi një hap përpara në rrugën e bashkimit kombëtar. Mbetej të hidhej hapi i dytë – krijimi i një gjuhe të përbashkët letrare që do t’i shërbente shtetit shqiptar, por do të ishte edhe faktori themelor për ruajtjen e identitetit kombëtar në trojet që iu shkëputën trungut amë, si Kosova, Maqedonia Perëndimore, jugu i Malit të Zi etj. Mirëpo kjo nuk mund të arrihej në kushtet kur në Shqipërinë politike gjuha zyrtare mbështetej në toskërishten, kurse në trojet në ish-Jugosllavi përdorej gegërishtja. Këtë lloj dygjuhësie qarqet politike të Beogradit u përpoqën ta shfrytëzonin për të thelluar ndarjen kombëtare të shqiptarëve. Këto rrethana historike e bënë të domosdoshme nevojën e marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së gjuhës letrare të përbashkët për të gjitha pjesët e kombit, brenda e jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar. Kjo marrëveshje u arrit në nëntor 1972, në Kongresin e Drejtshkrimit, që përmbylli fazën e dytë të planifikimit gjuhësor të shqipes, duke i vënë vulën procesit të njësimit me pranimin si gjuhë standarde, kudo ku flitet shqipja, të gjuhës letrare të shtetit amë. Bashkimi gjuhësor i shqiptarëve që u arrit në këtë Kongres, u mbylli shtegun përpjekjeve për t’i përçarë.
Pra, këto dy kongrese gjuhësore janë ato që i bashkuan shqiptarët. Pa to, veçanërisht pa Kongresin e Drejtshkrimit, shqiptarët do të kishin sot dy gjuhë standarde dhe do të shkonin duke u bërë dy popuj të ndryshëm, ashtu siç janë maqedonasit dhe bullgarët. Prandaj viti 1972, nga rëndësia që pati për forcimin e unitetit kombëtar, mund të konsiderohet si “viti i Kongresit të shqipes”. Veprimtaritë e planifikuara në këtë pesëdhjetëvjetor të tij, besojmë se do të vënë më mirë në dukje rëndësinë që pati ky Kongres për shqiptarët.

Njësimi i gjuhës ishte jo vetëm një arritje e madhe kulturore e historike e shqiptarëve, po dhe një sukses i gjuhësisë sonë, që e zgjidhi vetë problemin e standardizimit, pa ia lënë politikës këtë detyrë. Kjo kuptohet më mirë, po të krahasohemi me shtete me një traditë të gjatë letrare, si p.sh. Greqia, ku ky proces përfundoi vetëm më 1976 dhe me vendim të parlamentit, që caktoi si gjuhë standarde variantin dhimotiqi.

 

– A ka pasur mirëkuptim apo “konsensus” gjithëkombëtar, sikurse flitet sot, midis gjuhëtarëve për standardizimin e gjuhës shqipe në atë kohë?

– Nga dokumentacioni i botuar i Kongresit të Drejtshkrimit del se nuk ka pasur asnjë kundërshti. Në asnjë nga kumtesat ose diskutimet e delegatëve nga trevat brenda e jashtë kufijve të shtetit shqiptar nuk janë shprehur mospajtime. Projektrezoluta e Kongresit u hodh në votë dhe u miratua njëzëri nga delegatët dhe më 25 nëntor 1972 dokumenti i Rezolutës u nënshkrua nga të 87 delegatët e tij. Edhe grupi i autorëve që u mor me hartimin përfundimtar të rregullave të drejtshkrimit, në zbatimin e propozimeve të Kongresit ndoqi rrugën e bashkëpëlqimit. Në opinionin shqiptar të kohës nuk ka pasur kundërshtime ndaj këtij procesi as në Shqipëri, as në ish-Jugosllavi. Lidhur me këtë, studiuesja amerikane Xhenet Bajron pyetjes se a ka pasur ndonjë kundërshtim nga shqiptarët e ish-Jugosllavisë ndaj normës së krijuar në Tiranë, i përgjigjet duke thënë se “nuk duket që kjo lëvizje të ketë ngjallur ndonjë ndjenjë armiqësie” (Word, vol. 30, nr. 1-2, 1979, prill-gusht, f. 39). Edhe akad. Rexhep Ismajli, që u ka bërë një vështrim kritik Konsultës së Prishtinës dhe Kongresit të Drejtshkrimit, duke mos gjetur emra kritikësh as këndej, as andej kufirit, thotë se kjo ka ndodhur ngaqë në të dy anët e kombit “hapësira për kontestime ka munguar” (Drejtshkrimet e shqipes, Prishtinë, 2005, f. 144). Ky shpjegim mund të pranohet deri diku për Shqipërinë politike, po jo për trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, ku zërat kundër do të kishin edhe mbështetjen e Beogradit.

 

– Një nga kontestimet që është bërë pas vitit 1990 nga disa gjuhëtarë është fakti se standardizimi u arrit në kohën e diktaturës komuniste. A qëndron ky argument?

– Standardizimi i gjuhës, si çdo standardizim tjetër, është një proces që nuk kryhet brenda një kohe të shkurtër. Ai është një proces i gjatë, që nënkupton hedhjen e një radhe hapash për të arritur deri te rezultati përfundimtar. Të standardizosh gjuhën, do të thotë që nga variantet e saj letrare, i përpunuar e i pasuruar me elemente edhe nga variantet e tjera letrare, të pranohet në shkallë kombëtare. Standardizimi i shqipes, si proces i mbështetur nga shteti, ka nisur që më 1917, me Komisinë Letrare të Shkodrës, dhe vijoi deri më 1972.

Shteti shqiptar i paraluftës përdori si gjuhë zyrtare variantin e Elbasanit, të propozuar si gjuhë letrare nga Komisia, kurse shteti i pasluftës përdori si gjuhë zyrtare toskërishten. Nga tri variantet letrare të kohës – toskërishtja, shkodranishtja dhe gegërishtja me bazë elbasanishten – varianti toskë kishte fituar përparësi si nga shkalla e njësimit (fakt i pranuar që më 1944 nga Selman Riza dhe më 1989 nga Arshi Pipa), nga prodhimi më i madh letrar, sidomos nga Rilindja e këndej, ashtu edhe nga prestigji që kishte fituar në atë kohë. Ndërkohë, në fushat e tjera të ligjërimit të shkruar vijuan të përdoreshin edhe dy variantet e tjera. Mirëpo shkolla kishte nevojë për një gjuhë të vetme, çka bëri që më 1951 Ministria e Arsimit të vendoste që abetarja të botohej vetëm në toskërishte dhe pas saj edhe tekstet e tjera mësimore. Por ky nuk ishte një veprim arbitrar, sikundër mëtojnë kritikët e standardizimit. Me themelimin më 1947 të Institutit të Studimeve, një nga tri seksionet e të cilit ishte ai i gjuhës shqipe dhe i letërsisë, i drejtuar nga prof. Aleksandër Xhuvani, filloi puna për studimin e gjuhës dhe për hartimin e gramatikës dhe të fjalorit të shqipes. Më 1949 u botua “Gramatika e gjuhës shqipe” (Morfologjia) dhe më 1952 “Sintaksa”, që përshkruanin gramatikën e toskërishtes, të dyja të hartuara nga Kostaq Cipoja në toskërishten letrare. Më 1954 Instituti i Shkencave botoi “Fjalorin e gjuhës shqipe”, që autorët e quajnë fjalor “përshkrues e normativ”, edhe ky në variantin toskë. Autorë të kësaj vepre ishin Kostaq Cipoja (kryetar), Eqrem Çabej, Mahir Domi, Anton Krajni e Osman Myderrizi, nga të cilët vetëm Çabej ishte toskë. Fakti që autorët e quajnë këtë fjalor “normativ”, dëshmon se që në fillim të viteve ’50 të shekullit të shkuar gjuhëtarët më me emër të kohës, që zgjodhën t’i shkruanin këto vepra bazë në variantin e përpunuar të toskërishtes letrare, ishin të bindur për përparësitë e këtij varianti. Me botimin e abetares, gramatikës dhe të fjalorit në këtë variant u çel rruga që ky të shërbente jo vetëm si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar, po edhe si gjuhë letrare e Shqipërisë politike, dmth. të shërbente jo vetëm si gjuhë e administratës, por dhe e shkollës dhe e radios, duke mbizotëruar edhe në fushën e publicistikës, të shkencës e të letërsisë artistike.

Por gjuha letrare e Shqipërisë politike nuk mund të quhej gjuhë letrare kombëtare (dmth. gjuhë standarde), sikundër pohonte Dh. Shuteriqi në sesionin e dytë shkencor të vitit 1952, për arsyen e thjeshtë se nuk ishte pranuar nga trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, ku si gjuhë letrare përdorej gegërishtja. Vërtet, atje kishte pasur zëra për përdorimin e ortografisë së Tiranës (Idriz Ajeti më 1958) apo për përdorimin si gjuhë letrare të gjuhës letrare të Shqipërisë politike (Petro Janura, Murteza Peza e Krume Jakovksi rreth viteve 1960-1962). Megjithatë, do të duhej të kalonin edhe disa vite që gjuha letrare e Shqipërisë të përdorej nga shqiptarët jashtë kufijve. Kështu, më 12 janar 1967, gazeta “Flaka e vllaznimit”, që botohej në Shkup, doli me titullin “Flaka e vëllazërimit”. Ky numër i gazetës ka edhe një shkrim me titull “Pse nisi ‘Flaka’ ta përdorë toskërishten”, në të cilin thuhet: “Fletorja jonë ‘Flaka e vëllazërimit’ prej disa muajsh në shtyllat e veta filloi ta përdorë atë gjuhë letrare shqipe, e cila ka për bazë toskërishten. Ajo këtë rrugë do ta vazhdojë edhe në të ardhmen…” Shkrimi mbyllet me këtë deklarim: “Duke respektuar faktin se në vendin amë pjesa dërmonjëse e popullit shqiptar, me përjashtim të disave, po e përdorin toskërishten si gjuhë të shkrimit, s’ka asnjë pengesë që toskërishtja të mos përdoret edhe ndër ne. Pastaj kjo, nëse sot, kur bashkëpunimi në këtë drejtim midis pjesës së popullit shqiptar në Jugosllavi dhe asaj në Shqipëri, për shkak të qëndrimit të njohur të qeverisë shqiptare, nuk ekziston fare, është e do të mbetet një kontribut i ynë i rëndësishëm e i çmuar për zhvillimin e kulturës e arësimit të popullit shqiptar në tërësi.” (të pjerrëtat tonat – R. M.)

Ky hap i “Flakës” u ndoq një vit më vonë nga Konsulta e Prishtinës e prillit 1968, e cila u deklarua se “njeh, njëzëri, si gjuhë të vetën letrare gjuhën letrare të vendit ëmë” dhe autorizoi Institutin Albanologjik dhe Katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe “ta njohtojnë Universitetin Shtetëror të Tiranës me konkluzat e tubimit…” dhe, nga ana tjetër, “t’u rekomandojnë institucioneve e enteve arësimore e pedagogjike, gazetare e botuese, shkencore e kulturale që të krijojnë mundësitë e zbatimit sa më të shpejtë të konkluzave të Konsultës …” (Gjurmime albanologjike, Prishtinë, 1968, 1).

Pra, gjuha standarde e nisi udhëtimin e vet nga Shkupi, e vijoi në Prishtinë dhe u kurorëzua në Tiranë. Konsulta e Prishtinës e ngriti de facto statusin e shqipes nga gjuhë letrare e shtetit amë në gjuhë letrare të të gjithë kombit, dmth. në gjuhë standarde; Kongresi i Drejtshkrimit e sanksionoi de jure vendimin e marrë në Prishtinë; kurse shteti komunist bëri detyrën që do të kishte bërë çdo shtet kombëtar – monarkik, fashist, komunist a demokratik –  mbështeti vendimet e marra në këtë Kongres nga intelektualët atdhetarë brenda e jashtë kufijve.

Procesi i standardizimit të gjuhës sonë është ndjekur edhe nga studiues e albanologë të huaj, të cilët e kanë parë këtë proces si një histori suksesi. Jenet Bajroni, që standardizimin e shqipes e ka trajtuar në një monografi të vetën, të botuar vetëm 4 vjet pas Kongresit, e sheh si një proces të përfunduar, duke shtuar se “shqipja po hyn në një stad më të lartë të zhvillimit, në atë të kultivimit” (Selection among Alternates in Language Standardization…”, 1976, f. 120). Në përgjigje të pyetjes suaj, është me rëndësi të shtojmë këtu edhe konstatimin e kësaj gjuhëtareje se nisma për standardizimin “u iniciua nga shqiptarët e Jugosllavisë” (Ëord, vol. 30, f. 31). Pra, Bajroni thotë se nuk ua imponoi Tirana gjuhën e vet letrare, po shqiptarët e trojeve e zgjodhën me vullnetin e tyre. Ndërsa albanologu gjerman Armin Hecer, që i ka ndjekur me vëmendje diskutimet e viteve ’90 për gjuhën standarde, në një artikull të botuar më 1996 në Mynih, ndër të tjera, thekson: “Në Shqipëri norma letrare u vendos me anë të një mirëkuptimi ndërmjet Akademisë së Shkencave (Tiranë) dhe Institutit Albanologjik (Prishtinë)” (Hylli i Dritës, 2010, 3, f. 97).

Pas këtyre vlerësimeve të të huajve, na duket se nuk është e nevojshme të merremi edhe me vlerësimet e gjuhëtarëve dhe të intelektualëve shqiptarë të të gjitha trevave.

 

– A shikoni se pas sulmeve kundër shqipes standarde, ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë?

Sulmet kundër shqipes standarde filluan, së pari, nga njerëz të emigracionit politik, të cilët nuk i njihnin rrethanat politike që çuan në vendimin e Kongresit të Drejtshkrimit. R. Ismajli përmend këtu Ernest Koliqin, që, ndonëse nuk doli hapur kundër gjuhës standarde, në një shkrim në revistën “Shejzat” shprehej se “përmes përdorimit të ‘shqipes letrare’ të njësuar po humbiste një element i rëndësishëm i gjuhës – natyrshmëria” (Drejtshkrimet e shqipes, f. 144). Pas Kongresit, është shqiptuar hapur kundër standardit njëfarë Tahir Kolgjini, i cili po në “Shejzat”, duke iu përgjigjur pyetjes: “A na shtrëngon ndonji arsye qi t’i imponohet shqiptarit në Jugosllavi dialekti i jugut si gjuhë e unjisuar”, përgjigjet: “Shqiptarëve në Jugosllaví nuk iu mungon kurrgjâ, për sá i përket shqipes” dhe se “Shqiptari në Jugosllaví, kurse nuk e ka tretun, si duhet, shprehjen e vet, si ka për t’a honepsun dialektin e Jugut…?” (Drejtshkrimet e shqipes, f. 145).

Por sulmet më të ashpra i erdhën gjuhës standarde nga Arshi Pipa, me librin e tij “The Politics of Language in Socialist Albania” (1989), në të cilin ai mbron idenë se nuk ishte nevoja për një gjuhë të njësuar, se “shqiptarët ishin mësuar me gjuhën e tyre me dy dialekte, ashtu si me shqiponjën e zezë me dy krerë në flamurin e tyre të kuq” (f. 210). Ai i akuzon edhe intelektualët kosovarë se “duke pranuar gjuhën zyrtare të Shqipërisë socialiste, e identifikuan veten me stalinizmin shqiptar, duke i rënë ndesh qëndrimit antistalinist të Jugosllavisë” (f. 5). Për të “gjuha letrare e njësuar është një instrument politik” i udhëheqjes komuniste për nënshtruar toskët, një “kolonializëm gjuhësor i brendshëm” (domestic linguistic colonialism). Duke hequr një paralele midis serbokroatishtes dhe shqipes dydialektore, ai parasheh që “Shqipëria herët a vonë do të përjetojë atë që përjetoi Jugosllavia” (f. 220), dmth. një konflikt midis gegëve e toskëve si ai midis kroatëve e serbëve. Për frymën përçarëse që mundohet të mbjellë, kjo vepër është një manifest antikombëtar. Kuptohet qartë se urrejtja për kundërshtarët politikë, po edhe fryma e theksuar krahinoriste, ua kishte errësuar gjykimin njerëzve të tillë.

Këto teza të A. Pipës u bënë të njohura në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit komunist. Të frymëzuar prej tij, një numër intelektualësh u ngritën kundër gjuhës standarde, duke e quajtur standardizimin të kryer me “urdhër administrativ” dhe duke kërkuar përdorimin paralel edhe të gegërishtes letrare të standardizuar (Bahri Beci). Në një letër të korrikut të vitit 1992, 420 “gjuhëtarë” (!) shkodranë kërkonin të rishikohej gjuha letrare “e njësuar”; të shkruhej krahas saj edhe “gegnishtja letrare”; dhe, së fundi, e ardhmja e letrarishtes shqipe (e gjuhës standarde – R. M.) “t’i lehet momentit të favorshëm historik” (Albanica, Ëinter 1992, nr. 3-4, f. 123). A. Heceri, duke iu referuar këtyre, thotë se “ata ish-komunistë, të cilët prej 1990-s zbuluan pasionin e tyre për demokracinë e tipit perëndimor dhe që sot grupohen në Partinë Demokratike ose në fraksionet e saj, janë të prirë që normën gjuhësore të arritur njëherë e një kohë ta vënë në diskutim” (Hylli i Dritës, 2010, 3, f. 93). Sulme të tilla kundër standardit që nisën nga fillimi i viteve ’90 ishin të nxitura nga spektri politik i djathtë, që shfrytëzoi për këtë qëllim edhe mendësitë krahinoriste të një pjese të veriorëve. Vetë udhëheqësi historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka qenë nxitës fillimisht në prapaskenë dhe më vonë hapur i këtyre përpjekjeve, siç del nga pohimet e tij të kohëve të fundit. Më 2017, në televizionin “Rrokum” të Prishtinës ai do të deklaronte se Kongresi i Drejtshkrimit bëri gabim që nuk mori gegërishten si bazë të gjuhës standarde. Dhe këtë vit, pak më shumë se një muaj më parë, në një takim me Fakultetin e Filologjisë në Shkodër, ku bëri thirrje që “gjuhës shqipe t’i rikthehet paskajorja, të rishikohet drejtshkrimi”, pranoi me gojën e tij se “u mora me këtë problem më prapa”, por ata “të cilët duhet të merrnin këtë inisiativë, ata kishin shkruajtur mijëra faqe në drejtim të kundërt” dhe e kishin vështirë të kthenin. Thirrja e tij në këtë takim ishte: “Ka ardhë koha… që prangat që iu vunë gjuhës shqipe në kongresin e quajtur të drejtshkrimit të vitit 1972 t’i hiqen gjuhës”, dmth. që gjuhës shqipe t’i rikthehej paskajorja dhe të rishihet drejtshkrimi i vitit 1972. Ky person “grata” për Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës i nxiti pedagogët e Filologjisë “të marrin nismën”, duke i inkurajuar me fjalët: “Ata të cilët e konsiderojnë këtë si një qëndrim përçarës, ata janë përçarës vetë.”

 

(Vijon)

 

 

 

Share This Article