Rreziqet tona, socializmi apo fashizmi! Një vështrim mbi essenë “Socializëm ose Barbarizëm” dhe e majta-e djathta në Shqipëri

redaktor

 

Nga Fatos Tarifa

Botuar në DITA

Pardje, në këtë gazetë, Leart Kola botoi një ese të shkurtër titulluar “Socializëm ose barbarizëm”. Ma sugjeruan ta lexoj dhe e lexova me kërshëri për shkak të subjektit të saj dhe të vetë autorit. Edhe pse në esenë e tij nuk gjeta atë çka prisja, më vjen mirë që ka ende intelektualë që “guxojnë” të trajtojnë temën e socializmit dhe t’i shprehin hapur idetë dhe bindjet e tyre socialiste.

Në këtë pikëpamje, ai dhe unë ngjasojmë, por nuk i përkasim së njëjtës shkollë mendimi. Më poshtë trajtoj shkurtimisht disa prej pikëpamjeve dhe qëndrimeve të mia për çështje që Learti i bën fokusin e esesë së tij.

“E Majta” dhe “e Djathta” në politikën shqiptare

Edhe më parë kam vënë në dukje se, në kushtet e sotme të Shqipërisë, nuk bën shumë kuptim të flasim për të Majtën dhe të Djathtën, ose për politikanë të majtë dhe të djathtë.

Unë mendoj se e Majta dhe e Djathta, kjo skemë politike dikotomike, e cila u krijua në Revolucionionin Francez, por u bë një skemë tipike europiane sidomos gjatë periudhës që pasoi mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, kanë humbur sot jo vetëm përmbajtjen e tyre epistemike dhe ontologjike, si taksonomi, por, ndoshta, edhe shumë nga ethosi i tyre politik i dikurshëm.

Kjo duket se ka ndodhur e po ndodh edhe në Shqipëri. Përcaktimet “i majtë” ose “i djathtë” sot te ne krijojnë më shumë konfuzion dhe populizëm se sa sqarojnë pozicionet ideologjike, interesat ekonomike apo qendrimet politike të njerëzve, ose të partive politike.

Mua, sidoqoftë, deri më sot, “të majtët” më kanë bindur më shumë sesa “të djathtët” se mund të pretendojnë për veten e tyre kredencialet e një qeverisjeje më të mirë, por jam i pakënaqur me mënyrën se si e kanë administruar vendin qeveritë socialiste deri më sot, përfshirë edhe qeverinë aktuale.

Të dyja palët, “e Majta” dhe “e Djathta” kanë pasur suksese, por kanë pasur më shumë dështime në politikat e tyre zhvillimore e qeverisëse. Natyrisht, ato u kanë dhënë përgjegjësi politike e drejtuese në administratë edhe disa individëve të ditur, të aftë, të ndershëm e të përkushtuar demokracisë, interesave kombëtare dhe së mirës publike, por këto pozita e përgjegjësi ua kanë dhënë edhe shumë individëve të paditur, të paaftë, të pandershëm, të korruptuar e të lidhur me krimin.

Ndaj edhe jemi këtu ku jemi dhe kështu siç jemi.

Për mua, politikanët shqiptarë nuk ndahen në “të majtë” dhe “të djathtë”; ata ndahen në politikanë të aftë dhe të paaftë, të ditur dhe të paditur, vizionarë dhe dritëshkurtër, të ndershëm dhe të pandershëm, pasionantë dhe spekulantë, seriozë dhe palaço, në ata që i janë përkushtuar politikës për të mirën e vendit e të popullit dhe në ata që në politikë kanë hyrë për privilegje e për të vënë pasuri në kurriz të popullit, me pasurtë e këtij vendi dhe prej taksave të qytetarëve të tij.

Në këta tridhjetë vitet e fundit, në politikën shqiptare kanë hyrë, kanë dalë dhe kanë mbetur politikanë të të gjitha këtyre llojeve, shumë “të majtë” në parti “të djathta” dhe “të djathtë”në parti “të majta”. Rrallë ka ndodhur që ndonjë prej studentëve të mi të ketë qenë në gjendje të dallojë një politikan shqiptar “të djathtë” nga një “i majtë”. Këtë dallim e kanë të vështirë ta bëjnë pjesa më e madhe e publikut dhe e votuesve shqiptarë.

Jam i sigurt se edhe vetë shumica e parlamentarëve “të djathtë” nuk e dinë pse janë “të djathtë” dhe, po kështu, shumë parlamentarë “të majtë” nuk të thonë dot pse janë “të majtë”.

Një pjesë e madhe e tyre thjesht përfaqësojnë dhe mbrojnë në parlament interesat e atyre individëve që, si kryetarë të partive politike kryesore ose atyre të vogla, u kanë dhënë shansin për të pasur një zë në politikë, duke i vënë ata në listat e partive të tyre për deputetë, çka shpjegon edhe largimin e disave prej tyre nga një parti “e majtë” në një parti “të djathtë” (rasti më tipik dhe më i shëmtuar ai i Kastriot Islamit), ose nga një parti “e djathtë”, si Partia Republikane, në një parti “të majtë”, si Partia Socialiste (rasi i deputetit Luan Duzha nga Elbasani).

Kaçizizmi është një dukuri politike shqiptare që ka të bëjë jo vetëm me renegadizmin politik të individëve të veçantë, por edhe me transmutacionet e herëpashershme të disa partive “as të majta, as të djathta”, ose “as të djathta, as të majta”, që fare lehtësisht dhe overnight ndahen nga—dhe bashkohen me—çdonjërën nga dy partitë kryesore sipas rrethanave dhe intereasave të tyre.

Këto interesa janë politike vetëm për aq sa u sigurojnë këtyre partive privilegje dhe përfitime financiare dhe ekonomike), por që s’janë interesa “as të majta”, as “të djathta”.

Skemën dikotomike “e majtë/e djathtë” e bëjnë edhe më konfuze për qytetarin pretendimet e partive kryesore se, duke qenë parti “të majta” ose “të djathta”, ato nuk qendrojnë në ekstremet e kësaj skeme, por janë parti të “qendrës së majtë”, ose “të qendrës së djathtë”. Një parti e ekstremit të djathtë do të ishte një parti fashiste; e ekstremit të majtë një parti komuniste.

Dy partitë politike kryesore në Shqipëri distancohen nga këta ekstreme dhe thonë se pozicionohen në “qendër” të spektrit politik, diçka më majtas, ose diçka më djathtas, pa çka sa shumë apo sa pak majtas, ose sa shumë apo sa pak djathtas.

Faqja e parë DITA, 04 prill 2022

Parti politike pa ideologji

Ajo që mund të thuhet me siguri për partitë politike shqiptare sot është se ato janë parti pa një ideologji politike. Cila është ideologjia e Partisë Socialiste: Socializmi? Marksizmi? Aspak. Po ideologjia e Partisë Demokratike? Liberalizmit demokratik? A nuk është ky i fundit edhe ideologjia e Partisë Socialiste?

Po ideologjia e partive të vogla, si LSI apo PR cila është? Europianizmi dhe Republikanizmi? A nuk janë Europianizmi dhe Republikanizmi mantra ideologjike e përbashkët e të gjitha partive politike shqiptare?

Partitë politike në Shqipëri janë parti në emër dhe në koncept, parti të organizuara si detashmente, parti kryesisht elektorale, klienteliste, parti të komanduara e të drejtuara nga një individ i fortë, jo nga parime ideologjike, jo nga synime të tjera veç synimit për të ardhur në pushtet dhe për të qendruar në pushtet, pavarësisht se ç’bëjnë me pushtetin që marrin, si e përdorin atë dhe në shërbim të cilave interesa.

Në këtë vështrim, ato dallojnë pak nga njëra-tjetra. Ato nuk janë as “të majta”, as “të djathta”, as “të qendrës”. Edhe kur shpallin se janë “të majta” dhe vijnë në pushtet, ndjekin politika të djathta (nëse e vutë re, cilësimin të djathta nuk e vura në thonjëza), ashtu sikurse partitë që vetquhen “të djathta”, kur kanë drejtuar qeverinë e këtij vendi, kanë ndjekur politika që mund të quheshin të majta.

Këto janë disa ndër arsyet pse unë, me kohë kam thënë se do të bënim mirë që, në vend që votat tona, si qytetarë, t’ua japim “të majtëve”, ose “të djathtëve”, të zgjidhnim të na përfaqësonin në parlament dhe në këshillat e qeverisjes lokale njerëz që i njohim dhe i vlerësojmë si të ditur, të aftë dhe të ndershëm.

Janë këto karakteristika dhe jo cilësorët “i majtë” apo “i djathtë”, ose përkatësia partiake ato që e dallojnë një politikan të mirë e të përkushtuar parimeve të demokracisë dhe interesave të vendit e të qytetarëve.

Çështja është se sistemi që kanë krijuar dy partitë e mëdha i mban qytetarët e këtij vendi mbërthyer në darrën e një zgjedhjeje të detyrueshme për të votuar ose “majtas”, ose “djathtas”, pa qenë asnjëra, as tjetra një parti “vetëm e majtë”, ose “vetëm e djathtë”, dhe pa u lejuar zgjedhje tjetër.

“Forca e të pashpresëve” nuk është thjesht “mendimi”, siç shprehet Leart Kola në esenë e tij. Forca e të pashpresëve është shpresa, e shndërruar në bindjen se politika mund të ndryshojë dhe se është në dorën e tyre për ta ndryshuar atë përmes aksionit kolektiv. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se aksioni kolektiv për ndryshimin e gjedjes duhet të marrë formën e një revolucioni.

Epoka e revolucioneve ka kaluar dhe një epokë e re revolucionesh nuk duket se ka ardhur. Në demokracitë liberale, siç vinte në dukje C. Wright Mills, rolin e dhunës e ka zëvendësuar gjithnjë e më shumë manipulimi i qytetarëve nga ata që janë në pushtet përmes propagandës dhe mediave në shërbim të tyre. Këto—propaganda dhe manipulimi përmes mediave—mund të përballohen e kundërshtohen me sukses në sferën e Racionalizmit dhe përmes mobilizimit të gjerë të të gjithë segmenteve të shoqërisë civile, si institucioni më i rëndësishëm demokratik.

Por a kemi krijuar ne, në Shqipëri, një shoqëri civile të vërtetë e vibrante? Pse u shuan protestat e kohëve të fundit? Pikërisht sepse kjo shoqëri civile te ne ende nuk ekziston, ose është tepër e dobët, e fragmentuar dhe, një pjesë e saj, e korruptuar.

Socializmi: Çfarë ishte dhe a rrezikohemi prej tij?

Sa i përket socializmit, si një sistem politik, ekonomik e shoqëror, mendoj se një sistem i tillë, megjithë arritjet që pati ai pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe në disa vende të tjerë, u provua se ishte një sistem brutal (dhe pse me “fytyrë njerëzore”) dhe i paaftë për të mbijetuar më gjatë.

Në ekonomi, sistemi socialist shtetëror rezultoi se ishte shumë inefiçent për të provuar epërsinë që ai pretendonte se kishte mbi kapitalizmin, kur ky i fundit, në Europën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara dhe në Azinë Lindore po hynte në epokën e pestë industriale të zhvillimit të tij. Duke asgjësuar pronën private mbi tokën dhe mbi mjetet e prodhimit dhe duke eliminuar stimujt materialë, ai sistem vazhdimisht krijonte dhe riprodhonte një “gjendje defiçiti”, që shprehej në raportin mes “ofertës së pamjaftueshme dhe kërkesave në rritje”.

Në ideologji, socializmi shtetëror, ose “socializmi real”, nuk mundi të shkojë dot përtej premtimeve utopike të socialistëve të shekullit të 19-të, madje humbi shumë nga romantizmi, humanizmi dhe fryma demokratike e tij, madje edhe nga humanizmi i ideologjisë marksiste të mesit dhe fundit të atij shekulli, për tu kalçifikuar si një ideologji etatiste, staliniste e antihumane.

Siç kam theksuar edhe në një rast tjetër, nëse Marksi tha gjithçka për kapitalizmin e kohës së tij (dhe shumë nga idetë e tij ruajnë vlerën e tyre edhe sot), ai, thuajse kurrë, as në Manifestin Komunist dhe as në ndonjë prej veprave të tjera të tij, nuk shpjegoi se si do të ishte një rend komunist që do të zëvendësonte kapitalizmin.

Ai vetëm parashikoi (dhe dëshiroi) që, në një shoqëri të vërtetë komuniste, varfëria, shfrytëzimi, padrejtësitë shoqërore dhe ndarja klasore e shoqërisë do të zëvendësoheshin nga një shoqëri pa shtet, aktiviteti ekonomik i së cilës do të mbështetej jo në fitimin dhe në interesat e një pakice, por në nevojat e të gjithë anëtarëve të shoqërisë dhe në interesin e tyre; me fjalë të tjera, “një shoqëri, në të cilën zhvillimi i lirë i çdo individi” do të ishte “kushti për zhvillimin e lirë të të gjithëve”.

Leszek Kolakowski, autori i famshëm i veprës në tre vëllime Main Current of Marxism, ka dhënë, ndoshta, vlerësimin më interesant mbi raportin mes socializmit shtetëror dhe teorisë marksite, kur shoshte se, “argumentin më të fortë kundër frazës së pavdekshme të Marksit se ‘qenia shoqërore përcakton ndërgjegjen shoqërore’ e ka dhënë vetë historia e shteteve që e asimiluan këtë frazë si pjesë të ideologjisë së tyre”.

Vetë Marksi nuk do ta kishte dëshiruar kurrë asgjë të ngjashme me një shtet totalitarist, si ai që u krijua në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjerë të kampit socialit, edhe pse, arkitektët e atij sistemi—Lenini dhe Stalini—si dhe të gjithë diktatorët e tjerë “komunistë” që erdhën pas tyre, u përpoqën të argumentonin se po zbatonin në praktikë “vizionin marksist”.

Kjo është arsyeja kryesore që shpjegon pse trashëgimia e pasur teorike e Marksit u duk se u la në hije me dështimin e sistemit të socializmit shtetëror. Madje, bashkë me statujat e Leninit e të Stalinit, në vendet që u çliruan nga diktaturat që prodhoi ai sustem, u rrëzuan edhe monumentet e Marksit.

Në politikë, socializmi shtetëror dëshmoi se ishte krejt i paaftë për t’u zhvilluar si një sistem demokratik, që të garantonte e të mbronte realisht liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Ishte kjo paaftësi e atij sistemi, e cila, bashkë me dështimet në ekonomi dhe falsitetin e ideologjisë së tij, e minuan çfarëdo besimi që mund të kenë pasur qytetarët tek ai sistem dhe çuan në delegjitimimin e plotë të tij.

Një sistem si ai, pra si “socializmi real”, ose “socializmi shtetëror” nuk do të ishte aspak i dëshiruar, edhe nëse ai nuk ka pushuar së qëni një mundësi.

Rreziku fashist

Këto shënime në DITA dëshiroj t’i mbyll me një koment mbi rrënjët ekonomike të fazhizmit, duke marë shkas nga pohimi i Leart Kolës se, “së fundmi, në Shqipëri të duket sikur po jetojmë në skajet e fashizmit”.

Sigurisht, ky është një pohim tejet i ekzagjeruar, por kjo nuk duhet të na bëjë të mos tregohemi të vëmendshëm ndaj një shqetësimi, i cili, edhe pse i përjetuar individualisht nga autori i atyre fjalëve, mund të ketë rezonancë shoqërore më të tjerë.
Do të ishte një gabim i madh nëse origjina ekonomike e fashizmit harrohet.

Shumica e demokracive liberale perëndimore mbahen sot peng i asaj që quhet fondamentalizëm i tregut. Në Italinë dhe në Gjermaninë e periudhës mes dy luftrave botërore fuqia ekonomike u përqendrua kaq shumë, sa pjesa më e madhe e veprimtarisë ekonomike u vu nën kontrollin e një grupi shumë të vogël njerëzish. Kur është shumë i madh, pushteti ekonomik shndërrohet vetvetiu në pushtet politik.

Në Itali dhe në Gjermani pushteti politik i biznesit të madh solli fashizmin dhe e mbështeti atë. Analogjia me Shqipërinë e sotme, natyrisht, do të ishte pa vend, pasi kushtet historike nuk janë të njëjtat, por krijimi i një grupi oligarkësh (të standardeve shqiptarë), emrat e të cilëve i njeh kushdo, edhe pa i përmendur unë— njerëz me lidhje të forta me politikën dhe me origjinë të dyshimtë të pasurisë së tyre—përbën realisht një rrezik potencial, ose, të paktën, një ogur jo të mirë për demokracinë dhe paqen sociale në vendin tonë.

Në Rusi ka ndodhur pikërisht kjo: është instaluar një regjim fashist, ose protofashist dhe atë regjim e ka bërë të mundur dhe e mban në këmbë pikërisht përqëndrimi thuajse i të gjitha pasurive të Rusisë dhe i krejt pushtetit ekonomik të atij vendi në duart e një grupi oligarkësh.

Harresa kolektive lidhur me shkaqet ekonomike të lindjes së fashizmit është e rrezikshme edhe në një plan filozofik. Sado kontradiktore të duket, diktatura fashiste u bë e mundur për shkak të një kuptimi të gabuar mbi lirinë, i cili ndryshoi gjatë periudhës së kapitalizmit laissez-faire në fillimet e shekullit të 20-të. Ishin liberalët e asaj kohe që kërkonin liri personale dhe ekonomike të pakufizuar, pavarësisht kostos që kjo ka për shoqërinë.

Nocioni i një lirie të pakufizuar e të pakontrolluar është natyrshëm i dhunshëm, nëse kjo liri realizohet në kurriz të lirisë së të tjerëve. Ai legjitimon rritjen pa kufi të pasurisë e të pushtetit të atyre që janë ekonomikisht të fuqishëm, pavarësisht mjerimit që kjo shkakton te të tjerët.

Në atë kohë, roli i shtetit në kufizimin e një “lirie” të tillë, të pakufizuar konsiderohej nga liberalët laissez-faire si mungesë lirie. Në fakt, përdorimi i shtetit për të mbrojtur një “liri” të tillë solli fashizmin. Ashtu sikurse monopoli çon në shkatërrimin e tregut të lirë, fashizmi çoi në degradimin përfundimtar të kapitalizmit liberal.

Pas Luftës së Dytë Botërore, por sidomos në këto dekadat e fundit, ky nocion i gabuar i lirisë është rimarrë nga shkolla e mendimit neo-liberal, e cila është kundër çdo rregullimi të tregut.

Sot është e domosdoshme që t’i rikthehemi nocionit të lirisë siç e kuptonin dhe siç e formuluan atë iluministët e mëdhenj—si një liri e ekuilibruar dhe e qytetëruar, që nuk cënon lirinë e tjetrit. Mund të mendohet se kjo, sot, është e qartë për këdo, pra diçka që vetëkuptohet. Fatkeqësisht, një kuptim dhe një ndjenjë e tillë e civilizuar e lirisë, ashtu si dhe vetë rreziku i fashizmit, shpesh harrohet.

 

*****

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article