Pas përzgjedhjes së degëve ku do të vijojnë ciklin e tretë të studimeve të specializimit afatgjatë në mjekësi për vitin akademik 2021-2022, të gjithë fituesit duhet që të kryejnë procesin e regjistrimit brenda afateve të përcaktuara, në të kundërt nuk do të mund të ndjekin studimet në programet ku janë përzgjedhur. Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës bën me dije se data 8 prill është edhe afati i fundit i lënë në dispozicion të gjithë fituesve për të përfunduar procesin e regjistrimit, nëpërmjet të cilit do të mund të finalizojnë edhe marrjen e statusit si specializant. Sipas kushteve të përcaktuara, për të bërë regjistrimin çdo kandidat duhet që të paraqesë dosjen e dokumenteve të konfirmuara nga autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë publik.
“U bëjmë me dije specializantëve që afati i regjistrimit për specializimet afatgjata në mjekësi vijon deri të premten e datës 8 prill. Procedurat do të zhvillohen pranë sekretarisë shkencore të Fakultetit të Mjekësisë. Në bazë të nenit 45, të rregullores së specializimit afatgjatë në mjekësi, kandidatët me kontratë duhet që të dorëzojnë edhe kontratën e nënshkruar me Ministritë përkatëse brenda dy javëve”, është konfirmuar gjatë ditës së djeshme nga autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë.
Konkretisht në dosjen e regjistrimit që duhet të paraqesin fituesit për të bërë regjistrimin duhet të jenë këto dokumente: “Fotokopje e mjetit të identifikimit (kartë identiteti ose Pasaportë), një certifikatë personale të statusit civil, një kopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme të kryer nga kandidati fitues, kontratën e lidhur me ministrinë përkatëse (për fituesit që janë përzgjedhur për kuotat e mbuluara). Gjithashtu në dosje duhet që të përfshini edhe mandatin e pagesës së tarifës së shkollimit, mandatin e pagesës për Qendrën e Shërbimeve të Arsimit për pajisje me numër matrikulimi, si dhe një fotografi me përmasat e përcaktuara”.
Tarifa vjetore e shkollimit për studentet që ndjekin programet specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë, do jetë 115,000 lekë. Studentet e shpallur fitues duhet të paguajnë menjëherë 30 për qind të tarifës vjetore të shkollimit, ndërsa pjesa tjetër e pagesës do të arkëtohet me këste të përcaktuara sipas programeve përkatëse ku kandidati është shpallur fitues. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së plotë të studimeve në vitin akademik ku vijojnë studime.
Programet e studimeve të specializimeve afatgjatë për këtë vit akademik zhvillohen në specialitetet në Alergologji, Anatomi patologjike, Anestezi-reanimacion, Dermatologji, Endokrinologji, Gastrohepatologji, Hematologji, Diagnozë me imazhe, Kardiokirurgji, Kardiologji, Kirurgji e përgjithshme, Kirurgji maksilo-faciale, Laborator klinik-biokimik, Mikrobiologji, Mjek familjeje, Mjekësi interne, Mjekësi ligjore, Nefrologji, Neurologji, Neurokirurgji, ORL, Obstetrikë-gjinekologji, Okulistikë, Onkologji, Ortopedi-traumatologji, Pediatri, Pedodonti, Pneumonologji, Psikiatri, Psikiatri e fëmijëve dhe e adoleshentëve, Reumatologji, Sëmundje infektive, Shëndet publik, Terapi stomatologjike, Toksikologji klinike, si dhe stomatologji (kirurgji orale, kirurgji maksilo- faciale, protetika fikse, protetika të lëvizshme, protetika kirurgjikale, ortodonci periodontologji).
Në dosjen e regjistrimit fituesit duhet të paraqesin:
- Fotokopje të mjetit të identifikimit (Kartë Identiteti ose Pasaportë).
- Certifikatë personale të statusit civil.
- Kopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme.
- Kontratën e lidhur me ministrinë përkatëse (për fituesit që janë përzgjedhur për kuotat e mbuluara).
- Mandatin e pagesës së tarifës së shkollimit.
- Mandatin e pagesës për Qendrën e Shërbimeve të Arsimit për pajisje me numër matrikulimi.
- Një fotografi me përmasat 2*2.5 cm.
