Prof. Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Krejt rastësisht dëgjova këto ditë në një emision informativ, në një prej kanaleve televizivë, një psikologe, Valbona Treska, e cila u prezantua si presidente e Urdhërit të Psikologut. Kjo zonjë sugjeronte dhe “shpjegonte” me shumë pasion nevojën për një testim “psiko-social” të të gjithë arsimtarëve në vendin tonë.
Sugjerimi i saj m’u duk mjaft i çuditshëm, madje tepër shqetësues e me pasoja shumë negative, nëse në Ministrinë e Arsimit do të gjenden njerëz që e marrin seriozisht një sugjerim të tillë.
Nisur nga disa raste sporadikë, shumë të rrallë sjelljesh moralisht e profesionalisht të padenja dhe ligjërisht të dënueshme të një numri shumë të vogël arsimtarësh, do të ishte një gabim shumë i madh dhe një vendim shumë i padrejtë të kërkohej, në mënyrë të deryrueshme, që të gjithë arsimtarët e këtij vendi në ciklet parauniversitarë të të sistemit arsimor, ose qoftë edhe vetëm ata që nisin karrierën e tyre në këtë profesion, t’i nënshtrohen një testi “psiko-social” për ta ruajtur vendin e tyre të punës, ose për t’u lejuar të nisin një karrierë profesionale në arsimin parauniversitar.
Një kërkesë e tillë është jo vetëm krejt absurd, por edhe diskriminuese. Diskriminimi, për ne që jemi sociologë dhe studiojmë dukuritë dhe marrëdhëniet shoqërore, nuk është gjë tjetër veçse trajtimi i padrejtë, ose i paragjykuar i një kategorie njerëzish për shkak ose të racës apo përkatësisë entike të tyre, ose të gjinisë, të moshës, të aftësive të veçanta apo të profesionit (si në këtë rast). Dhe, nëse paragjykimi është thjesht një qëndrim individual ndaj njerëzve që bëjnë pjesë në njërën nga këto kategori, diskriminimi është një trajtim institucional i padrejtë ndaj tyre, kur këtë e bëjnë organet shtetërore, ose, me pëlqimin e këtyre të fundit, organizata si kjo që përfaqëson Valbona Treska.
Të kërkosh testimin “psiko-social” të të gjithë klasës së arsimtarëve—rreth 30,000 të tillë në të gjithë Shqipërinë—nga pikëpamja e një logjike epistemike është e gabuar, madje një marrëzi, nga pikëmaja morale e padrejtë, nga pikëpamja e etikës profesionale e dëmshme, nga pikëpamja shoqërore e politike diskriminuese, madje e dhunshme, nga pikëpamja e dëmit që një “testim” i tillë mund të sjellë në mirëqenien psikologjike, emocionale e materiale të arsimtarëve tanë e pakëshillueshme.
* * *
Nga një testim “psiko-social”, si ky që propozon znj. Treska, do të përfitonin vetëm ajo dhe ata individë rreth saj në Urdhërin e Psikologut, të cilët eventualisht do të merrnin përsipër një “testim” të tillë me të gjithë arsimtarët e vendit, nëse ky propozim do të gjente mbështetje në Ministrinë e Arsimit. Përfitimi i tyre do të ishte financiar. Ky do të ishte një “projekt” për të fituar para, jo për të ndihmuar mësuesit apo për të përmirësuar marrëdhënit e tyre me nxënësit dhe me kolegët në shkollat tona.
Ku nuk u shkon mendja njerëzve kur vjen puna për të përfituar financiarisht. Të testojmë të gjithë arsimtarët! Siç dëgjova nga znj. Treska në TV, kostoja e një “testimi” të tillë do të ishte rreth 5,000 lekë të reja për çdo arsimtar. Testimi “psiko-social” i rreth 30,000 arsimtarëve do të krijonte të ardhura në masën 1.5 milion lekë të reja për znj. Treska dhe Urdhërin e saj të Psikologut.
Nëse këtë kosto do u kërkohej detyrimisht ta paguanin vetë arsimtarët, kjo do të ishte një barrë financiare për ta jo vetë moralisht e padrejtë, por edhe ligjërisht e pajusitifikuar. Nëse ajo do të paguhej nga Ministria e Arsimit, kjo do të ishte një taksë e re për qytetarët e kësaj republike, e cila, për turpin e asaj ministrie dhe të Urdhërit te Psikologut, do të njihej si “TTPSA” (Taksa për Testimin Psiko-Social të Arsimtarëve), ose “TPPU” (Taksa për ‘Pasurimin’ e Psikologëve të Urdhërit), apo thjesht “TT” (Taksa Treska).
Çfarë aftësish profesionale kanë znj. Treska dhe psikologët e saj për ta marë përsipër një “testim” të tillë? Çfarë studimesh kanë bërë dhe ç’të dhëna empirike kanë mbledhur prej tyre që të mund ta adresojnë racionalisht dhe profesionalisht dukurinë që i shqetëson, si dhe të argumentojnë se “testimi psiko-social” që ata sugjerojnë është i domosdoshëm dhe mund të jetë efikas?
Në fund të fundit, çfarë do të testonte “psikosocialisht”, ose “psikosociologjikisht” zonja Treska tek arsimtarët tanë?
Aftësitë e tyre mendore? E ka ajo vallë këtë aftësi?
Shkallën e formimit të tyre profesional? A mundet këtë ta bëjë një psikologe, apo një grup psikologësh?
Shëndetin e tyre psiqik? Mos e dhëntë “zoti” tua lëmë këtë në dorë psikologëve tanë!
Gjendjen e tyre emocionale, sikur kjo të ishte një kuantum i dhënë e të mos ndryshonte në varësi të rrethanave e të faktorëve stresues në jetën e përditshme të cilitdo prej nesh?
Zonjën Treska e dëgjova të fliste për një pyetsor të strukturuar, i cili do të përmbajë me dhjetra pyetje që gjoja synojnë të testojë karakteristikat dhe cilësitë emocionale të çdo arsimtari dhe, mbi këtë bazë, do të mund të përcaktohet edhe aftësia profesionale e tij, ose e saj për t’u punësuar në këtë profesion. A nuk është ky një mendim dhe një synim i mbrapshtë, përveçse antikushtetues?
Narrativa e saj në atë intervistë kishte, madje, tone cinikë, kur, duke dashur të provojë se ajo di të ndërtojë një pyetsor për qëllimin në fjalë (ose ndoshta të huazojë një pyetsor të ndërtuar nga të tjerë), do ta “kapë” mësuesen që interviston në pyetjen e 60-të ose të 70-të, nëse dyshohet se ajo nuk ka thënë të vërtetën në pyetjen e 10-të ose të 15-të. Interrogim policor, jo psikologjik apo psikoanalitik.
* * *
Mësuesit bëjnë pjesë në ato kategori njerëzish, që janë të rrezikuar të shfaqin—dhe të vuajnë—simptomat e atij sindromi që njihet me emrin “burnout”. Në këto kategori bëjnë pjesë, përgjithësisht, punonjësit që kujdesen për fëmijët (edukatoret, mësuesit, drejtuesit e shkollave), punonjësit e shëndetit (infermierët, psikoterapistët), punonjësit socialë, administratorët e bizneseve etj. Mësuesit janë ajo kategori profesionale, te të cilët sindromi “burnout” ndeshet më shpesh dhe me simptoma e pasoja më të dukshme e më serioze, arsye kjo për të cilën, në Perëndim, kjo dukuri është studiuar më gjerësisht, sidomos gjatë këtyre dyzet viteve të fundit.
Për herë të parë, termi “burnout” u përdor në mesin e viteve 1970 nga Herbert Freydenberger, një psikolog gjermano-amerikan, i njohur për studimet dhe punën e tij klinike lidhur me trajtimin e stresit, të lodhjes kronike dhe abuzimit me substancat narkotike, për të përshkruar lodhjen ekstreme mendore e fizike të punonjësve në klinikën e tij.
Po në atë kohë, Christina Maslach, një psikologe sociale e njohur në Universitetin e Kalifornisë në Berkli, konstatoi se dukuria “burnout” haset rëndom në një sërë profesionesh, që kanë të bëjnë me shërbimet ndaj njerëzve. Ajo erdhi në përfundimin se kërkesat dhe përgjegjësitë me të cilat ndeshen punonjësit në profesione të tillë jo vetëm e mundësojnë këtë sindrom, por edhe ndikojnë në pasojat që shkakton prania e tij. Këto pasoja i përjetojnë jo vetëm punonjësit e këtyre profesioneve; ato ndikojnë edhe në cilësinë e shërbimeve që ata ofrojnë dhe në vetë institucionet e specializuar për t’i ofruar këto shërbime.
Shumë studiues mendojnë se sindromi “burnout” mund të shfaqet në çdo profesion dhe “thuajse te çdo individ”. Shumica e tyre, sidoqoftë, bien dakord se ky sindrom shfaqet kryesisht—dhe në mënyrë më karakteristike—tek ata që quhen “helping professionals”, pra që punojnë me njerëzit, që shpenzojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre duke u marrë nga afër me njerëz të tjerë në kushtet e një tensioni dhe të stresi të vazhdueshëm, ose që kanë përgjegjësi për njerëz të tjerë.
Me fjalë të tjera “burnout” shfaqet kryesisht si një lodhje e madhe emocinale dhe fizike që shkaktohet nga stresi që krijojnë marrëdhëniet ndërpersonale me njerëz të tjerë. Kjo veçori e dallon këtë sindrom nga lodhja fizike që shkaktojnë monotonia dhe orët e zgjatura në punë fizike.
Nga shumë studime të kryera deri më sot, rezulton se “burnout” ka më shumë gjasa të zhvillohet në situata të tilla, në të cilat prania dhe ndikimi i faktorëve stresues i tejkalojnë aftësitë e individit për t’i përballuar ata. Duke u përballur me një varg konfliktesh e kontradiktash që lidhen me rolet e tyre profesionalë në institucionet dhe organizatat në të cilat punojnë, si dhe me ndryshimet e shpejta në fushën e teknologjisë (kryesisht të teknologjisë së informimit e të komunikimit), me pritshmëritë e shoqërisë në fushën e shërbimeve sociale, motivimi dhe aftësitë për punë, me kalimin e kohës, mund të bien, duke krijuar tension, lodhje emocionale, nervozizëm, frustrim, demoralizim profesional, distancim mbrojtës, zhgënjim nga arritjet personale deri edhe depersonalizim—të gjitha këto simptoma dhe komponentë të sindromit “burnout”.
Deri më sot, kjo dukuri është studiuar kryesisht në shoqëri të industrializuara, për shkak të perceptimit gjerësisht të përhapur—por jo të saktë—se “burnout” është një “sëmundje e jetës moderne” dhe, për këtë arsye, është një dukuri relativisht e re. Kjo dukuri ka marrë sot një vëmendje të gjerë, çka shprehet si në interesimin më të madh të publikut për të, ashtu dhe në veprimtarinë kërkimore ndërdisiplinore, në fusha të tilla si psikologjia, sociologjia, puna sociale, mjeksia, arsimi, administrimi dhe menazhimi. Sidoqoftë, në literaturën e huaj sociologjike dhe psikologjike gjen çuditërisht pak studime për profesionin e mësimdhënies dhe sindromin “burnout” në radhët e arsimtarëve dhe të punojëve të shërbimeve në shoqëritë në zhvillim.
* * *
Në Shqipëri, studimet empirike në këtë fushë mungojnë thuajse krejtësisht dhe unë jam kurioz, madje dua të di se nga nisen, në cilët fakte dhe studime empriikë mbështen, mbi ç’baza teorike e metodologjike dhe në cilat përvoja profesionale të vetat ose të huaja mbështen znj. Treska dhe psikologët e Urdhërit që ajo përfaqëson, për të argumentuar domosdoshmërinë e një testimi “psiko-social”, pra të një testimi “psikologjik” dhe të një testimi “social” të të gjithë mësuesve në sistemin e arsimit parauniversitar?
Në fund të fundit, çfarë konkretisht synojnë të “testojnë” këta psikologë? Si e provojnë ata ekspertizën e tyre në këtë drejtim, përveçse me diplomën që kanë marë në përfundim të studimeve dhe kush ua jep këtë të drejtë?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje nga znj. Treska dhe duhet të marrin përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit, nëse ky propozim merret në konsideratë prej “specialistëve” të saj.
Nuk është “testimi” që propozon znj. Treska mënyra për t’i ndihmuar mësuesit shqiptarë. Aspak. Madje një “testim” i tillë do të ishte thuajse një kërkesë për medikalizimin e të gjithë atyre që ushtrojnë profesionin e bukur, të vështirë, fisnik dhe shumë të rëndësishëm të mësuesit në shoqërinë tonë. Kërkesa dhe, sidomos, detyrimi për tiu nënshtruar një testimi të tillë do e rëndonte edhe më shumë gjendjen psikologjike dhe emocionale të tyre.
Nëse këtij testi “psiko-social” i nënshtrohen të gjithë mësuesit, sipas së njëjtës rationale a do të gjykohej po kaq i domosdoshëm edhe testimi në të njëjtën mënyrë i infermierëve, i punonjësve socialë dhe i të gjithë atyre kategorive të punonjësve që i konsiderojmë si “helping professionals”, pra që janë të punësuar në sektorë të ndryshëm të shërbimeve sociale? Dhe përse një testimi të tillë “psiko-social” të mos i nënshtrohen më parë vetë znj. Treska dhe ata psikologë që eventualisht do të angazhohshin në këtë “sipërmarrje” të madhe? A nuk janë edhe ata të rrezikuar nga sindromi “burnout” në veprimtarinë e tyre të përditshme profesionale me “klientët” e tyre, sepse të tillë janë, klientë, jo pacientë.
* * *
Unë jam sociolog dhe kam një përvojë shumë të gjatë e të pasur në studimin e jetës shoqërore, e cila realizohet si një tërësi marrëdhëniesh shoqërore mes çdo individi me individë të tjerë, si marrëdhënie të individit me shoqërinë e tij, dhe si marrëdhënie të individit me shtetin dhe institucionet e tij.
Si sociolog, unë i çmoj shkencat e tjera shoqërore, ndër to edhe psikologjinë, i vlerërësoj studimet teorike dhe empirike që bëhen në fushat që ato mbulojnë, informohem nga gjetjet e tyre dhe i respektoj studiuesit e vërtetë dhe seriozë në këto fusha, madje kam shumë miq e bashkëpunëtorë në radhët e psikologëve, studiuesve të shkencës politike, ekspertëve të punës sociale etj. Por, ideja që dëgjova të artikulonte, në emër të Urdhërit të Psikologëve, znj. Treska disa ditë më parë më shokoi. Në të nuk ka asgjë shkencore, asgjë empirikisht të provuar, asgjë racionale, asgjë moralisht të justifikuar, asgjë ligjërisht të lejuar.
Ministria e Arsimit duhet të bëjë vigjilencë ndaj projekteve të tillë, që duket se bëhen vetëm për përfitime financiare. Mësuesit shqiptarë nuk kanë nevojë dhe as mund të detyrohen t’i nënshtrohen kurrfarë testi “psiko-social”. Ata duhet, nga koha në kohë, të testohen për njohuritë e tyre profesionale, të cilat duhen zgjeruar e thelluar vazhdimisht, në përkuthje me rrethanat e reja të çdo kohe, si dhe për aftësitë e tyre profesionale, të cilat, gjithashtu, lipset të përmirësohen e të zhvillohen në përputhje me po këto rrethana.
Nga ana tjetër, mësuesve tanë u duhet kthyer respekti që ata kanë gëzuar tradicionalisht në komunitet, në qytet e në fshat, edhe kur Shqipëria ka qenë një vend më i varfër sesa sot. Të mos harrojmë se, kushdo nga ne, në profesionet që kemi sot jemi, në një masë të madhe, produkt i mësuesve tanë dhe, për këtë arsye, profesioni i tyre, si mësues, mund të konsiderohet si profesioni i parë, ose profesioni të gjitha profesioneve.
Qoftë edhe vetëm ky fakt do të mjaftonte që mësuesit e fëmijëve, të mbesave e të nipërve tanë të gëzonin jo vetëm respektin më të madh të çdonjërit nga ne, një vlerësim moral më të madh nga e tërë shoqëria, por edhe një trajtim financiar shumë më të mirë nga shteti për punën që bëjnë dhe për misionin e rëndësishëm e fisnik që këta njerëz kryejnë në shoqëri.
* * *
Vetëm pak minuta para se këtë shkrim t’ia dërgoja redaksisë së gazetës Dita, mësova se, në vitin 2016, tre depute të opozitës—Majlinda Bregu, Albana Vokshi dhe Mesila Doda—i kanë sugjeruar Parlamentit ndryshimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar, duke kërkuar përfshirjen në atë ligj të një dispozite që i detyron “të gjithë mësuesit, edukatorët dhe kujdestarët” të kalojnë “disa teste shtesë për të vlerësuar qëndrueshmërinë psikologjike dhe atë emocionale të tyre në raport me marrëdhëniet që ata krijojnë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”. Ato propozuan përfshirjen në atë ligj të një formulimi të tillë: “Mësuesi i arsimit parashkollor, i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi…të ketë kaluar me sukses testin psiko-emocional”.
Deputetet në fjalë kërkonin që në Neni 28 të atij ligji të shtohej shprehimisht ky formulim: “Vlerësimi psiko-emocional është procesi i mbledhjes së informacionit në lidhje me një person brenda një shërbimi psikologjik-psikiatrik, me qëllim për të përcaktuar një diagnozë. Vlerësimi përfshin informacion social dhe biografik, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe të dhëna nga analiza psikologjike. Ky vlerësim kryhet zakonisht nga një psikiatër, por mund të jetë edhe një proces multidisiplinor që përfshin infermierë, psikologë, punonjës socialë etj.”.
Nuk jam në dijeni nëse një propozim i tillë është miratuar ose jo në atë kohë nga Parlamenti por, nëse kjo ka ndadhur, ligjvenësit tanë kanë kryer një akt antikushtetues dhe tërësisht antidemokratik, pikërisht duke e medikalizuar profesonin e arsimtarit dhe duke kërkuar të diagnostikojnë psikologjikisht dhe psikiatrisht punonjësit e sistemit arsimor.
Duke u interesuar më lidhur me këtë çështje, u informova, gjithashtu, se Ministria e Arsimit, që sot drejtohet nga znj, Evis Kushi, ka vendosur ndërkohë që mësuesit e çdo cikli të arsimit parauniversitar t’i nënshtrohen “në mënyrë periodike” një “vlerësimi psiko-social”. Nëse znj. Treska, në krye të Urdhërit të Psikologut, ka marrë shkas nga ky vendim i Ministrisë së Arsimit, apo nëse Ministria e Arsimit ka marrë mendjen e Urdhërit të Psikologut, këtë nuk e di. Sidoqoftë, me bindje të plotë them se ideja e një testimi i tillë është kryekëput antisociologjike, e gabuar dhe antikushtetuese. Prej saj duhet hequr dorë një orë e më parë.
—–
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
