Sepse unë e di sa vlej!

J L

S’më duhet kurrfarë kritiku,

për ndonjë nevojë nuk ndjej,

sepse unë-more lum miku,

e di mirë se sa vlej!

 

Jam një shkëmb në mes të jetës,

fort tek unë përplasen valët,

dhe për hir të së vërtetës,

në këmbë më mbajnë fjalët!

 

Dikur shkrova pikëlluar,

ç’të bëja me fjalën s’dija,

fjala duhej modeluar,

siç e donte poezia!

 

Fjala-gjak i zëmrës sime,

asnjëherë s’mori për ters,

fjala ka më shumë ngjyrime,

se yje në Univers!

 

Unë kam Universin tim,

me të vetë jam i mahnitur,

fjalët që nga shpirti im,

i kam korrur-i kam situr!

 

Si Zoti-në këtë jetë,

edhe fjala është e shenjtë,

unë e di sa vlej vërtetë,

po nuk di të shitem shtrenjtë!

 

Fjala-zile të kumbojë,

duhet bluar paq në mokër,

dhe këtë nuk ka nevojë,

që ta dijë çdo mediokër!

 

As tani e as përpara,

s’jam kam futur kurrë katundit,

fjala qe jo veç e para,

po do jetë edhe e fundit!

 

Kur të iki shpirti im,

si nga brigjet ikin valët,

do lutem me përgjërim:

“Fjalët-mos m’i merrni fjalët!.”

 

Po ti nuk e dije! (Vargje për këngë)

 

Çdo hap që ti hidhje,

rrija dhe përgjoja,

po ti nuk e dije,

se unë të kërkoja.

 

Një zjarr e një flakë,

ma ndizje-ma fikje,

unë të gjurmoja,

po ti larg më ikje!..

 

Nuk e di akoma,

përse m’u mbyll goja,

ndaj ti nuk e dije,

sa sa shumë të doja!.

 

Yll -o yll i ndritur,

që më le në hije,

eh-ta kishe ditur,

po ti nuk e dije!.

 

Po ti nuk e dije,

akoma s’e di,

një e vetme mbete,

në dy sytë e mi!.

 

Veç ty ëndërrova,

zgjuar edhe fjetur,

një e vetme mbete,

fare e pa prekur!

 

22 Gusht 2017

Share This Article
17 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *