Transportet, çmimin e biletës do e përcaktojë pushteti vendor

anazapta

Pushteti vendor do të marrë përsipër përgjegjësinë nëse do të ndryshojë çmimi i biletës së transportit publik. Duke iu referuar paralajmërimeve të bëra nga sindikatat e transportit për pezullimin e shërbimit urban nëse nuk do të zgjidhet situata e vështirë financiare në të cilën ndodhen, Ministria e Transporteve ka komunikuar gjatë ditës së djeshme se po përgatiten amendimet e përkatëse ligjore për transferimin e të drejtës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban tek autoritetet e pushtetit vendor. amendime, të cilat do të kalojnë për miratim në Parlament në seancën e javës së ardhshme. Zgjidhje, të cilën autoritetet e bashkisë e konsiderojnë si heqje të përgjegjësive nga vetja. “Duke respektuar përgjegjësitë e pushtetit vendor për administrimin e transportit qytetas, duke marrë parasysh natyrën vendore të tarifave dhe kostove të këtij shërbimi ndaj qytetareve, si dhe duke vlerësuar e mbështetur frymën dhe të drejtat reale të autonomisë vendore, Qeveria do të përgatisë amendimet përkatëse ligjore për transferimin e të drejtës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor”, citohet në njoftimin e Ministrisë së Transporteve. I menjëhershme ka qenë edhe reagimi i zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, duke e konsideruar këtë zgjidhje të propozuar nga qeveria si heqje të përgjegjësisë nga vetja. “Pas një heshtje dy mujore, qeveria propozon si “zgjidhje” heqjen e përgjegjësisë nga vetja. Edhe njëherë i bëjmë me dije publikut dhe qeverisë se problemi nuk është tek çmimi i biletës. Qëndrimi i Bashkisë së Tiranës është i qartë dhe i prerë, kundër rritjes së çmimit të biletës. Nuk është zgjidhje rëndimi i xhepave të qytetarëve në këto kohë të vështira me çmimin e rritur të transportit urban. Zgjidhja është ajo që i kemi propozuar që në dhjetor qeverisë: ulja apo eliminimi i TVSH-së për shërbimin e transportit publik dhe eliminimi i akcizës së naftës për transportin urban qytetas. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje e problemit pa rënduar koston për qytetarët, dhe për këtë i takon qeverisë të marrë vendimet përkatëse dhe jo të fshihet duke hequr përgjegjësitë që i ka me ligj, theksohet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë që përballë kësaj situate, qytetarët janë në ankthin e pritjes së një vendimi konkret, në të kundërt Sindikata e Punonjësve të Transportit ka paralajmëruar që në mes të muajit do të zhvillohet një tjetër grevë, e cila kësaj here mund të jetë edhe përgjatë gjithë ditës.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *