Kriteret e konkurimit për “Doktoraturën” tek Shkencat e Natyrës

J L
Group of college students in the university amphitheatre, they are sitting and doing an exam. The focus is on the girl in pink t-shirt. [url=http://www.istockphoto.com/search/lightbox/9786738][img]http://dl.dropbox.com/u/40117171/group.jpg[/img][/url]

Studimet e ciklit të tretë rinisin edhe në një tjetër fakultet të Universitetit të Tiranës. Duke nisur nga dita e sotme të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë, mund të aplikojnë për të vijuar studimet në programet e ciklit të tretë të “Doktoratës” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Drejtuesit e këtij institucioni të arsimit të lartë publik bëjnë me dije se me rihapjen e aplikimeve për këtë cikël, pranimet do të zhvillohen në tetë fusha të ndryshme studimi. Në mbledhjen e fundit të zhvilluar nga dekanati i këtij Fakulteti, është vendosur hapja e aplikimeve për programin e doktoratës në Shkencat e Natyrës për vitin akademik 2021-2022, në nënfushat: “Shkencat Biologjike”, “Fizikë”, “Matematikë”, “Informatikë”, “Matematikë e Aplikuar”, “Kimi e Aplikuar”, “Bioteknologji”, si dhe “Prodhim Industrial dhe Inxhinieri”.  Për secilën prej këtyre fushave janë përcaktuar krahas kritereve të përgjithëshme, edhe kriteret specifike që duhet të përmbushin në aplikm të gjithë konkurrentët.

Kush mund të aplikojë për studimet e “Doktoratës”

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 112, datë 23.02.2018, “Për përcaktimin e kritereve për fitimin e gradës shkencore ‘Doktor’ dhe të standardeve shtetërore për fitimin e titujve akademikë ‘Profesor i Asociuar’ dhe ‘Profesor’”, i ndryshuar, përcaktohet se: “Studimet për gradën shkencore “Doktor” zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur, në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë, apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar, pranë institucioneve të arsimit të lartë të llojit “universitet” ose “akademi””.

Sa i takon kritereve të përgjithëshme të aplikimit, për të konkuruar kandidati duhet të këtë angazhim akademik pranë një institucioni të arsimit të lartë, apo të jetë personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar, të ketë përfunduar studimet e larta dhe të zotërojë një diplomë të ciklit të dytë “Master i shkencave”/“Master i arteve”, një diplomë të integruar të nivelit të dytë, ose një diplomë sipas sistemit të vjetër apo titull akademik të barasvlershëm, të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente. Gjithashtu duhet të ketë rezultate të larta në studimet e ciklit të parë dhe të dytë, sipas përcaktimeve të njësive bazë, të ketë mbrojtur një nga gjuhët e huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht ose spanjisht, në përputhje me nivelet e parashikuara në Udhëzimin Nr. 52, datë 03.12.2015 “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe të testeve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, në institucionet e arsimit të lartë”,ndryshuar me Udhëzimin Nr.20, datë 22.09.2017. Po ashtu ndaj tij, duhet të mos jenë marrë masa disiplinore, apo të mos jenë gjetur shkelje të rregullave të etikës së kërkimit shkencor, të të drejtave që burojnë nga pronësia intelektuale apo shkelje të rregullave kundër plagjiaturës, si edhe të vetëdeklarojë se është në gjendje të zbatojë standardet shkencore dhe etike. Kandidatët duhet të kenë një mesatare mbi notën 7.5 në diplomën e mëparshme “Bachelor” dhe mbi 8 në diplomën e mëparshme “Master i shkencave”, ose në diplomën për  Programet e Integruara të nivelit të dytë (DIND) (për diplomat e vjetra). Kriteret specifike për secilin program i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Afatet e konkurrimit

Konkurrimi edhe për pranimet në këto fusha do të zhvillohet me anë të dosjes. Sipas afateve të përcaktuara, çdo kandidat duhet që të dorëzojë dosjen e dokumenteve të regjistrimit të përcaktuara, duke nisur nga dita e sotme, për të përfunduar në datën 6 maj. Aplikimet do të pranohen çdo ditë pune në orarin 9:00-15:00. Dorëzimi i dosjes së aplikimit me dokumentacionin e duhur bëhet pranë sekretarisë së ciklit të tretë, zyra 102, kati i parë, godina B. Tarifa e aplikimit për këtë cikël studimesh është 2000 lekë. Ndërkohë që në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë edhe dosjen e dokumenteve të kërkuara në konkurrim.

 

DOSJA E APLIKIMIT DUHET TË PËRMBAJË DOKUMENTACIONIN E MËPOSHTËM:

  • Kërkesa e kandidatit ku duhet të përcaktohet nënfusha dhe drejtimi i studimit.
  • Curriculum Vitae.
  • Kopje të noterizuar të diplomave, të shoqëruara me suplementet e diplomës ose listën e notave me kreditet përkatëse. Diplomat e fituara jashtë vendit duhet të shoqërohen me vërtetimin e njohjes/ekuivalentimit nga ministria përgjegjëse për arsimin
  • Kopje të noterizuar të diplomave të ciklit të tretë “Master ekzekutiv“, diplomë specializimi, ose të diplomave ekuivalente me to, shoqëruar me listën e notave ose suplementin e diplomës, nëse kandidati ka të tilla.
  • Certifikatë lindjeje, si edhe fotokopje të kartës së identitetit/ pasaportës.
  • Dy rekomandime nga personeli akademik me titull Profesor ose Profesor i Asociuar.
  • Dëshmi të gjuhës së huaj në përputhje me nivelet e parashikuara në Udhëzimin Nr. 52, datë 03.12.2015 “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe të testeve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, në institucionet e arsimit të lartë”, ndryshuar me Udhëzimin Nr.20, datë 22.09.2017.
  • Dëshmi dhe vërtetime në lidhje me kualifikime, trajnime, provime pasuniversitare ose artikuj shkencorë që mund të ketë kryer, apo pjesëmarrje në konferenca shkencore.
  • Deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të doktoratës, nëse do të vetëfinancohet.
  • Vërtetim i dorëzimit të dokumentacionit.
  • Deklaratë personale që kandidati nuk është regjistruar në programe të tjera të doktoratës.
  • Vërtetim nga qendra e punës, që vërteton se kandidati ka angazhim akademik pranë një institucioni të arsimit të lartë, apo është personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar.
  • Mandat pagese për tarifën e aplikimit prej ALL 2000.

 

KRITERET SPECIFIKE PËR PROFILIN NË SHKENCAT BIOLOGJIKE 

Për profilin e Biologjisë molekulare aplikuesit duhet të kenë:

  • Diplomë Master i shkencave në “Biologjinë molekulare”, ose të barasvlefshme me të, mbaruar në një nga institucionet publike apo private të arsimit të lartë në vend, nga trojet shqiptare, ose më gjerë.
  • Diplomë Master i shkencave në “Biologjinë e aplikuar” (Bioteknologji, Biologji Molekulare ose të afërta me to, në një nga institucionet publike apo private të arsimit të lartë në vend, nga trojet shqiptare, ose më gjerë.
  • Ddiplomë e Programit të Integruar të nivelit të dytë (DIND) (ish Biologji 5-vjeçare) të mbaruar përpara reformës së Bolonjës në një nga institucionet publike apo private të arsimit të lartë në vend, nga trojet shqiptare, ose më gjerë.

Për profilin e Biologjisë së Ruajtjes aplikuesit duhet të kenë:

  • Diplomë Master i shkencave në Biologjinë Mjedisore, në Biologjinë e Ruajtjes, ose të barasvlefshme me të, mbaruar në një nga institucionet publike apo private të arsimit të lartë në vend, nga trojet shqiptare, ose më gjerë.
  • Diplomë Master i shkencave në shkenca të biologjisë së aplikuar (Bioteknologji, Biologji Molekulare, Agromjedis, Inxhinieri Pyjore, Peshkim, Akuakulturë, Veterinari), si dhe në shkenca të tjera të lidhura me mjedisin, si Kimi Mjedisi, Inxhinieri Mjedisi, Gjeomjedis, Planifikim Territori, Gjeografi, Matematikë e aplikuar, Bio-informatikë, Fizikë, Ekonomi, Sociologji, mbaruar në një nga institucionet publike apo private të arsimit të lartë në vend, nga trojet shqiptare, ose më gjerë.
  • Diplomë e Programit të Integruar të nivelit të dytë (DIND) (ish Biologji 5-vjeçare) të mbaruar përpara reformës së Bolonjës në një nga institucionet publike, apo private të arsimit të lartë në vend, nga trojet shqiptare, ose më gjerë.

Për profilin e Edukimit Biologjik aplikuesit duhet të kenë:

  • Diplomë Master i shkencave Mësuses i Biologjisë në AML, ose të barasvlefshme me të, mbaruar në një nga institucionet publike apo private të arsimit të lartë në vend, nga trojet shqiptare, ose më gjerë
  • Diplomë Master i shkencave në shkenca biologjike (Biologji Mjedisi, Biologji Molekulare), si dhe në shkenca të tjera të afërta me Edukimin Biologjik, mbaruar në një nga institucionet publike apo private të arsimit të lartë në vend, nga trojet shqiptare, ose më gjerë.
  • Diplomë e Programit të Integruar në Biologji (ish Biologji 5-vjeçare) të mbaruar përpara reformës së Bolonjës në një nga institucionet publike apo private të arsimit të lartë në vend, nga trojet shqiptare, ose më gjerë.
  • Diplomë e Programit të Integruar në Biologji-Kimi 4-vjeçare, nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, UT dhe universitetet e tjera në vend, trojet dhe më gjerë.

 

KRITERET SPECIFIKE PËR APLIKIMET NË FUSHËN “FIZIKË”

  • Kandidati duhet të ketë mbaruar ciklin e dytë të studimeve në “Master i shkencave në Fizikë” ,“Master i shkencave, Mësuesi në Fizikë për Arsimin e Mesëm të Lartë”, “Master i shkencave në Inxhinieri Fizike profili fizikan mjekësor”, “Master i shkencave në Inxhinieri Fizike profili inxhinier fizike”.
  • Kandidati të ketë marrë diplomim analog në sistemin e vjetër ose DIND.
  • Kandidati të ketë përfunduar studime analoge brenda dhe jashtë vendit.
  • Kandidati duhet të demonstrojë angazhim shkencor dhe etik për kryerjen e studimeve të ciklit të tretë.

KRITERET SPECIFIKE PËR APLIKIMET NË FUSHËN “MATEMATIKË”

  • Kandidati duhet të zotërojë diplomë të ciklit të dytë e fituar në universitetet shqiptare ose një diplomë e huaj e barazvlefshme me të e ekuivalentuar nga MAS.
  • Master i shkencave në Matematikë.
  • Master i shkencave ‘Mësues i Matematikës në Arsimin e Mesëm të Lartë’.
  • Master i shkencave në Inxhinieri Matematike.
  • Master i shkencave në Inxhinieri Matematike dhe Informatike.
  • Diplomë e integruar ( 5 vjecare) në Matematikë.
  • Diplomë në matematikë e sistemit të vjetër 4-vjecar të FSHN, UT.
  • Diplomë “Master ekzekutiv” ose një diplomë ekuivalente me të (Master i nivelit të dytë etj) në Matematikë.
  • Vlerësimi i studimit: Nota mesatare mbi 8/10 në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve. Angazhimi: Demonstrimi shkencor dhe etik për kryerjen e studimeve të ciklit të tretë.

KRITERET SPECIFIKE PËR APLIKIMET NË FUSHËN “INFORMATIKË

  • Kandidati duhet të ketë kryer studimet e ciklit të parë “Bachelor”, si dhe studimet e ciklit të dytë Master shkencor në drejtimin Informatikë, TIK apo në drejtime të ngjashme që përfshijnë nënfushat e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
  • Kandidati duhet të demostrojë angazhim shkencor dhe etik për kryerjen e studimeve të ciklit të tretë.

KRITERET SPECIFIKE PËR APLIKIMET NË FUSHËN “MATEMATIKË E APLIKUAR”

  • Kandidati duhet të zotërojë diplomë të ciklit të dytë “Master i shkencave” në një programet “Inxhinieri Matematike dhe Informatike”, “Matematikë”, “Informatikë” në FSHN, diplomë të integruar të nivelit të dytë ose diplomë sipas sistemit të vjetër apo titull akademik të barasvlershëm, të fituar në programe të ngjashme brenda ose jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente.

KRITERET SPECIFIKE PËR APLIKIMET NË FUSHËN “KIMI E APLIKUAR”

  • Kandidati duhet të zotërojë diplomë në njërin nga profilet e mëposhtme ose të barasvlefshme me to, mbaruar në një nga IAL-të publike, ose private, nga vendi, nga trojet shqiptare osejashtë vendit: Diplomë Master i Shkencave në Kimi, Diplome Master i Shkencave me profil Mësues Kimie në AML, Diplomë Master i Shkencave në Kimi Industriale e Mjedisore, Diplomë Master i Shkencave në Inxhinieri te Proceseve Kimike, Diplomë Master i Shkencave në Shkencat dhe Teknologjitë Ushqimore, Diplomë Master i Shkencave në Teknologji Agroushqimore, Diplomë e Programit të Integruar të Nivelit të Dytë (DIND) (Kimist i Përgjithshëm) të mbaruar përpara reformës së Bolonjës në FSHN, nga trojet shqiptare ose më gjerë, Diplomë Master i Shkencave në Farmaci, Diplomë Master i Shkencave në Biologji Mjedisore, Diplomë Master i Shkencave ne Trajtim Uji.
  • Diplomë Master ose Diplomë e Programit të Integruar të nivelit të dytë (DIND) në programet e studimit inxhinieri mekanike, inxhinieri materiale ose inxhinieri mjedisi.
  • Kandidatët duhet të kenë notën mesatare të ponderuar të notave mbi 7.5 në diplomën e mëparshme Bachelor, si dhe mbi 8 në diplomën Master ose në Masterin e Integruar (për diplomat e vjetra).

KRITERET SPECIFIKE PËR APLIKIMET NË FUSHËN “BIOTEKNOLOGJI

  • Kandidati të ketë kryer studimet e Ciklit të Parë Bachelor, si dhe studimet e Ciklit të Dytë Master Shkencor në drejtimin Bioteknologji Molekulare & Industriale, apo në drejtime të ngjashme që përfshijnë nënfushat e bioteknologjise molekulare dhe asaj industriale.
  • Kandidati të ketë një notë mesatare të studimeve mbi 8 në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve.
  • Kandidati të demostrojnë angazhim shkencor dhe etik për kryerjen e studimeve të ciklit të tretë.

KRITERET SPECIFIKE PËR APLIKIMET NË FUSHËN “PRODHIM INDUSTRIAL DHE INXHINIERI”

  • Aplikantët do të përzgjidhen si fitues kur punimet e tyre të doktoratës do të jenë të përfshira në nënfushat e kësaj shkolle doktorature.
  • Aplikanti duhet të ketë angazhim akademik në njësinë bazë–department ose në departamente me punë kërkimore shkencore të ngjashme.
  • Aplikanti duhet të ketë mbaruar programet bachelor dhe master i shkencave të departamentit- njësi bazë ose programe të ngjashme.
  • Aplikanti duhet të ketë arritur rezultate të larta në studimet në të dy programet dhe të ketë përfunduar me një mesatare mbi 8. Do të ketë një rankim të aplikanteve edhe bazuar në renditjen sipas notës mesatare në të dy ciklet.
Share This Article
1 Comment
  • Mire beri defanati I Shkencave qe u mblodh, por duhet te celet cikli studimit ngaMinistria e Arsimit dhe me pas te filloje aplikimi ne Fakultete per doktorantet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *