Në KPK pozitive për të tre kriteret, KPA mblidhet në 20 prill pasi pranon disa nga provat e reja të paraqitura nga Imeraj

redaktor

 

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është zhvilluar sot seanca e radhës ndaj kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Ndryshe nga tre seancat e para që zgjatën shumë orë, kjo seancë e katërt zgjati rreth gjysmë ore.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA njoftoi vendimmarrjen lidhur me kërkesat e palëve për administrimin e provave, si dhe çeljen e mbylljen e hetimit gjyqësor, duke u kërkuar palëve përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama njoftoi se është çelur hetimi dhe janë pranuar si prova disa prej akteve të reja të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit që janë vlerësuar në funksion të gjykimit të çështjes.

Trupa njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më 20 prill, ora 13.00.

Provat e pranuara

Gjatë seancave të mëparshme Imeraj paraqiti si prova një numër të madh përgjigjesh të marra bazuar në kërkesat e saj drejtuar Kadastrës, Gjendjes Civile e Tatimeve, me të cilat  vërtetonte se nuk kishte zotëruar asnjëherë asnjë pronë, si dhe nuk rezultonte të ishte bashkëpronare në asnjë pasuri.

Po ashtu, ajo paraqiti si prova edhe përgjigjet e gjithë komisariateve, pikave kufitare, Interpol-it, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera verifikuese, të cilave u kishte kërkuar informacion nëse ish-bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij, rezultonin ose jo të përfshirë në ndonjë vepër penale ose nëse ishin dënuar.

Ajo paraqiti si provë të re dhe një vendim të ILD-së që nuk ka gjetur konflikt interesi për tre anëtarët e KLP-së në votimin e saj të shkallës së parë si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, si dhe një akt të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku deklaronte diskriminimin për shkaqe krahinore.

Imeraj dorëzoi si provë dhe një kartelë të një pasurie, me të cilën provonte se akti që gjendej në dosjen e Komisionit për këtë pronë ku ishte dhe emri i saj, ishte i falsifikuar.

Kryesuesja Rama deklaroi se si prova do të administrohen edhe të gjitha pohimet e Imerajt në seancat publike të zhvilluara në Kolegj. Rama i dha përgjigje edhe kërkesës së Imerajt për moskonsiderimin si provë të gjetjeve të ONM-së, për të cilat ajo deklaroi në seancat e mëparshme se janë të bazuara në copa letre dhe se janë të pavërteta.

“Gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit përbëjnë provë në vetvete dhe do ti nënshtrohen hetimit gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”, deklaroi Rama.

Aktet dhe kërkimet që nuk u pranuan

Kryesuesja Rama listoi edhe aktet dhe kërkimet e prokurores Elizabeta Imeraj, të cilat nuk janë konsideruar prej Kolegjit për t’u administruar si prova. Konkretisht, KPA vlerëson të panevojshme thirrjen si dëshmitarë të familjarëve të subjektit dhe të ish-bashkëshortit për dhënë deklarimet e tyre lidhur me situatën e zgjidhjes së martesës.

E panevojshme u konsiderua edhe thirrja si dëshmitar e personit me të cilin ish-bashkëshorti kishte shkëmbyer tokën bujqësore në Mullet me truallin në Tiranë. Po ashtu, u vendos të mos kërkohet informacion nga Bashkia e Tiranës lidhur me vlerën e truallit dhe të sipërfaqes tokë-arë.

Kolegji konsideroi të panevojshme edhe thirrjen në cilësinë e dëshmitarit të dy anëtarëve të trupës së KPK që konfirmoi Imerajn, komisionerët Roland Ilia dhe Olsi Komici, si dhe përfaqësuesin e ONM-së, Theo Jacobs. Imeraj tha gjatë parashtrimeve se komisionerët ishin fyer dhe shantazhuar nga vëzhguesi ndërkombëtar.

KPA vlerësoi të panevojshme edhe thirrjen si dëshmitarë të denoncuesve të Imerajt, të cilët janë të rremë.

Në fund të seancës, prokurorja Imeraj e pyeti Komisionerin Ballhysa nëse ai kishte ndonjë qëndrim lidhur me kartelën e një pasurie që gjendet në dosjen e KPK-së, që rezulton e falsifikuar.

Komisioneri Ballhysa tha se kartela në fjalë nuk ishte objekt i shkaqeve të ankimit. “Shkak në ankim është titulli i pronësisë dhe mënyra se si subjekti i rivlerësimit është sjellë juridikisht me këtë pronë”, pretendoi Ballhysa.

Avokati Gregory Thuan kërkoi kohë të mjaftueshme për të përgatitur dhe paraqitur konkluzionet përfundimtare me shkrim.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Mimoza Tasi, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo, vendosi të mbylli hetimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve të përgatisin dhe paraqesin konkluzionet përfundimtare më datë 20 prill, në orën 13:00.

Në mbyllje të seancës, prokurorja Imeraj e pyetur nga mediat se si ndihet pas pranimit të provave të reja, tha se ‘pres drejtësi’. Shkalla e parë e Vetingut konfirmoi në detyrë Elisabeta Imerajn në prill të vitit 2021, me rezultat pozitiv në të tre kriteret; ligjshmërinë e pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin.

Në korrik 2021, në limitet e afatit kohor të përcaktuar, Komisioneri Publik Florian Ballhysa dorëzoi  ankimimin e vendimit të konfirmimit në detyrë duke kërkuar shkarkimin nga detyra të Imerajt.

Drejtuesja e Tiranës është një nga  prokuroret më të njohura në vend dhe nuk është lakuar para vetingut për korrupsion apo abuzime me detyrën, megjithëse ka hetuar disa nga dosjet më të rëndësishme të viteve të fundit. Rasti i saj ka ngjallur shumë debate në publik, pasi apelimi ndaj konfirmimit të saj në detyrë, nuk ka qenë bindës.

a.d. / dita

 

Share This Article