Miratohet lista e barnave të rimbursimit, zgjerohen kategoritë përfituese

J L

Lista e barnave të rimbursimit nuk do të ndryshojë për vitin 2022, por do të shtohen kategoritë, që do të mund të përfitojnë prej saj. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar listën e barnave të rimbursimit që do të ndahen për të gjitha kategoritë përfituese duke nisur nga data 1 maj. Lidhur me përmbajtjen e kësaj liste, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli ka deklaruar dje se me referimin e çmimeve të reja të barnave, do të zgjerohen kategoritë që do të mund të sigurojnë barnat me rimbursim përgjatë këtij viti. Ndërkohë që masa e rimbursimit do të vijojë të jetë nga 50-100 për qind sipas llojit të medikamentit që duhet të marrë pacienti.

Nga Lista e Barnave të Rimbursueshme përfitojnë barnat falas mbi 450 mijë pacientë çdo vit. Në listë përfshihen barna të cilat trajtojnë dhe mbajë në kontroll sëmundjet kronike me shpeshtësi më të madhe në popullatë, si: diabeti, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare duke ofruar alternativa mjekimi bashkëkohore në mënyrë që të shmangin komplikacionet dhe të rrisin cilësinë e jetesës dhe jetëgjatësinë e pacientit, sëmundjet e veshkave, syve, si dhe shumë patologjive të tjera. Që nga viti i shkuar në listë janë përfshirë edhe barna inovative për trajtimin e disa lloje tumoresh, si: ai i mushkërive, gjirit si edhe alternativa mjekimi për pacientët të cilët vuajnë nga pasojat e koronavirusit. Po ashtu, pacientët e dializës janë një grup tjetër që përfitojnë marrjen me rimbursim të një medikamenteve për parandalimin e komplikacioneve të rënda nga sëmundja.

“Në listën e miratuar janë reflektuar çmimet e reja të gjithë barnave që janë pjesë e listës së rimbursueshme, në funksion të trajtimit më të mirë të diagnozave kronike. Pjesë e skemës së barnave të rimbursimit krahas kategorive prioritare janë edhe të gjithë qytetarët e tjerë që janë të pasiguruar, por që përfitojnë alternativat e para dhe të vetme falas të kësaj liste. Janë më shumë se 1190 alternativa tregtare, apo më shumë se 340 principe aktive që do të jepen për pacientët nëpërmjet listës së rimbursimit të 2022. Kjo listë nuk ndryshon, ajo çfarë reflektohet në këtë vendim qeverie është ndryshimi i çmimit të barnave, që na lejon gjithashtu të kemi një zgjerim të kategorive përfituese”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme ministrja Manastirliu. Ndarja e re e barnave sipas listës së miratuar dje do të hyjë në fuqi që nga data 1 maj në të gjithë rrjetin e lejuar të farmacive.

Gjithashtu është përcaktuar edhe masa e mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, të renditur sipas klasifikimit ATC nga 50-100 për qind, sipas grupeve terapeutike dhe barnave të në listën e rimbursimit spitalor, dhe listës së gjerë të barnave të rimbursimit. Në këto kushte, do të mbulohen në masën 100 për qind, barnat e listës për fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët, për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës. Përfitimi me rimbursim në masën 100 për qind i këtyre barnave shkon edhe për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemisë major. Ndërsa për pjesën tjetër, barnat do jepen me rimbursim të pjesshëm, por jo më pak se 50 për qind të çmimit. Por, në çdo rast për të përfituar këto barna në skemën e rimbursimit, pacientët duhet të jenë pajisur më parë me recetën e rimbursimit të lëshuar nga mjeku i tyre i familjes.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *