Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Disa poetë përveç natyrës lirike që bart poezia e tyre, koha u ngarkon barrën e vet, epizmin e saj, e thënë ndryshe; fatin e vet për ta përcjellë tek njerëzit, kohët, për t’ia dhënë historisë dhe rrugëtimit njerëzor, si kumt, si dhimbje, si dashuri, si amanet dhe si porosi. Jo shumë poetë e kanë këtë fat dhe këtë detyrim njëkohësisht. Sa herë i takon apo i lexon poetët që historia apo koha u ka vënë në supe një emblemë që nuk mund ta kenë të gjithë poetët, natyrisht arti, poezia dhe estetika poetike merr një peshë dhe një ngjyrë të çuditshme, ku koha përzihet me një lloj sëmbimi si dhimbje apo sëmbim i thellë shpirtëror.
Xhemil Lato është njëri nga poetët e mrekullueshëm shqiptar, i cili mbart në kujtesën dhe edukimin e tij dramën dhe tragjedinë e Çamërisë dhe të dhimbjeve të dhjetëra- mijëra çamëve, të cilët përbëjnë një nga dramat kombëtare shqiptare më të dhimbshmet dhe më të dhunshmet.
Drama çame, barbaria që është ushtruar mbi popullsinë autoktone çame nga regjimet e dhunshme dhe nacional- shovinizmi i kohës përbën një faqe të njohur dhe në letërsinë shqipe, në poezinë shqipe, e cila ka ardhur përmes poetëve nga Çamëria, por dhe nga përjetime të tjera të poetëve shqiptarë. Xhemil Lato është biri i Çamërisë, është bisku i tokës dhe i familjes çame, prandaj poezia e tij ka një refleksion dhe një pamje të gjerësishme lidhur me dhimbjen e saj. Herë – herë frymëzimi i tij ka një lidhje të çuditshme, ndoshta shumë të afërt me poezinë dhe me kulturën e arbëreshëve të Italisë, ajo që ka ndodhur me çamët, me përjetimin e saj dhe me mënyrën si ajo ka mbijetuar, pasi kultura ruan autenticitetin e saj në trojet e veta.
Një lloj komunikimi, qoftë dhe me dramën historike çame e ka krijuar poezia, qysh nga Bilal Xhaferri, një penë e rëndësishme në poezinë dhe letërsinë shqipe, por dhe Xhemil Lato duket se përcjell një kronikë të përgjakur, e cila kurrsesi nuk mund të shmanget qoftë dhe për kritere extra- estetike. Ajo përbën një arkiv dhe një areal të konsiderueshëm të poezisë apo zhanreve të tjera të letërsisë shqiptare. Xhemil Lato hyn në grupin e rëndësishëm të krijuesve, veçmas të poetëve që kanë arritur të përcjellin, madje të krijojnë kredon e qëndrueshme poetike në poezinë shqipe mesazhin dhe kujtesën për Çamërinë, parë jo thjeshtë në elementët e kronikës apo kalendarit të luftërave apo shpërnguljeve në shumë nga trojet e veta, por të një fenomeni të përbotshëm dhe universal të lirisë si një e drejtë e përjetshme e njerëzimit. Në poezi kjo është një nga mesazhet më komunikuese të të gjithë kohërave.
Nën këtë botë emocionaliteti në meditimin e poetit Xhemil Lato duket se kujtesa, përjetësia që përpiqen të krijojnë vargje, mbijetesa përmes gjakut dhe ngjarjeve, mbijetesa e një shpirti të pa pushtuar kurrsesi, do të këmbëngulin të sjellin në çdo formë poetike, masë vargore, figurë apo gjuhë të shkruar tragjedinë. Libri poetik i Xhemil Latos “Njeriu vritet nëpër njeri“, është konsideruar si një titull tragjedie, një dhimbje që shkon poshtë rrënjëve të shtëpisë, dhe thellë pemëve të gjakut, aty këtu të shprishur.
Poezia”Hiri në mëngët e kujtesës” e poetit Xhemil Lato, është pjesa më tragjike e poetit: “Njeriu im i mirë, kurrë nuk të kam thënë s´e këta thonj aq të ashpër në gishtërinjtë e mi të përgjakur do ta zënë për fyti Greqinë, jo për ta mbytur, por për t´ia rimarrë tokën time mijëvjeçare, tokën e prindërve të mi. Unë Xhemil Lato, dhe familja ime rebele kemi bërë një pakt me Pirro Burrin e Epirit, Zeusin, Priamin e Trojës, Akilin dhe Hektorin e “Iliadës“ dhe me Papa Eleuterin e Çamërisë, dhe mbretër pellazgë, që “Njeriu të mos vritet nëpër njeri“. Dhe gjithë vargjet, fjalët, figurat, dhimbjet, dashuritë në poezinë e Latos, duket sikur thonë:” Unë kurrë s´do ndalem së kërkuari Çamërinë”. Për poetin Çamëria është si një grua që del nga legjendat dhe mugujt e shekujve, ajo rrënjët i ka në shtëpi te nëna e verbuar në pritje. Do të vemi,…tek nëna, ta puthim thinjë për thinjë, e ti marr pak frymëmarrje qiellit. Eh, sa e vogël është shtëpia e poezisë, “por gjëmën e ka të madhe!”
Vëllimi poetik i Xhemil Latos i titulluar “Mos e vrisni atë grua”, është ndoshta një nga librat ku poeti ka krijuar një kompleks personifikues të Çamërisë së tij, të cilën e quan një grua, një grua që nuk mund dhe nuk duhet të vritet, brenda të cilt gjendet një botë kaq e madhe dhe e paepur njerëzore. Brenda saj ka kaq dhimbje, dashuri:”Qajnë dallgët brigjeve çame/ blegërima delesh/ për qengjat e therur,…” apo “Gjinjve të gjakosur/ nga dhëmbët e zverdhur/ të përdhunuesve/ pinë fëmijë të frikur...”, deri në pasazhin tragjik të rrëfimit të historisë “Dhitë hollojnë brirët/ në gurët e varreve/ pa zot,/ shtëpitë vuve/ mbuluar nga merimangat,/ gurëve gjarpërinj e këlkaza...”, duket se është pasazhi që ka brenda atë që ka ndodhur, ajo që është dhe ç’pritet të ndodhë.
Është një dramë dhe tragjedi e shtrirë në të gjithë poemën “Mos e vrisni atë grua”, një lajtmotiv që përshkon të gjithë vëllimin poetik, ku poeti duket se gdhend Çamërinë përmes dhimbjes, dashurisë, kujtesës dhe akuzës. Por poeti është po kaq social, ai e përjeton mjedisin që e rrethon, është në një marrëdhënie lirike me njerëzit, me veten, me familjen, me njerëzit që ndan kohën dhe shqetësimet.
Poezi të tilla si: “Në njëzetë e tre tetorin tim” ku shpërthen mosha “Vendosa mbi këmishën/ e bardhë/ kullaron e kuqe/ Dhe u cijova vajzave / në avlli:Po iki/ të ndez ndonjë dashuri...”, apo poezia “Qindarkat … përfund xhepit”, si një realitet i kohës “Njerëzit/ nga varfëria/ kanë varur supet/ si degë të thara…”, dhe poezi të tjera përmes të cilave poeti kërkon të shohë kohën që po jeton ai dhe të tjerët. Poezinë e Xhemil Latos e peshkon një shqisë verifikuese e tendencës së poetit për ta zbuluar kohën, qoftë përmes karaktereve njerëzore, qoftë përmes përshkrimeve, që nuk mungojnë në poezinë e tij. Në poezinë botërore, veçmas një poet si Pavese, i lënë një vend të konsiderueshëm dhe e konsiderojnë një mjeshtëri poetike komunikimin përmes vizatimit të mjedisit, ashtu siç ndodh me pikturën. Xhemil Lato ka mjaft momente të tilla në poezinë e tij.
Në vëllimin “Mos e vrisni atë grua” poeti shfaq një poezi e cila merr shkas nga rastësitë, natyrisht poeti i ngjan piktorit ku i bëjnë përshtypje ngjyrat, poezitë me natyrë psikologjike, e cila është një poezi e natyrës medituese, poezi që u kushtohen të njohurave, miqve dhe njerëzve të shtresave të ndryshme, poezi të peizazhit, një peizazh jo i plotë, që ngjan ndoshta me botën e tij shpirtërore, poezia e referencave kohore, e cila lidhet fort me simbolikën e të gjithë vëllimit, pasi në të gjithë librin, herë dukshëm dhe herë nën ujëra të rrjedhshëm shfaqet britma e thellë e poetit “mos e vrisni atë grua”!
Vëllimi poetik “Mos e vrisni atë grua” është gjerësisht tematik, ku shfaqet natyrisht raporti i poetit me të gjithë atë që ai kërkon të thotë, por libri ka një ekspresivitet të brendshëm, një gjendje aktive të aksionit të komunikimit ku zënë vend situatat e trishta që i ngjajnë kohës. Vëllimi poetik i titulluar “Njeriu vritet nëpër njeri” e sigluar si “poezi e zgjedhur” është njëri nga librat poetik më i plotë dhe më komunikues të poetit. Është një libër në të cilin është përfshirë poezia më e mirë e autorit, në të cilin ka një raport të drejtë mes poezisë së Xhemil Latos, e cila e lidh me Çamërinë dhe poezisë tjetër, e cila përbën pjesën tjetër të profilit të tij poetik, me poezi të natyrës lirike, sociale, të pasqyrimit të kohës dhe poezi të dashurisë, të cilat nuk përbëjnë një kolor të dukshëm në poezinë e autorit.
Vëllimi është i gjerësishëm dhe i ndarë në katër pjesë të mëdha, të cilat krijojnë një koncept leximi dhe kronologjie të krijimtarisë së Latos. Kritika dhe njohësit e poezisë së tij e kanë konsideruar një poet të sipërfaqeve të pamata (Arapi), një poet me zotësi metaforike dhe të krahasimit, ashtu siç e kanë konsideruar një poet të natyrës (Agolli), por dhe një poet, i cili u këndon me kaq dhimbje dhe aktualitet shpirtrave të ikur. Natyrisht, kjo lidhet fort me simbolikën lënguese të Çamërisë. Dhe meditimi i poetit për Çamërinë është deklarativ, ai thotë:”Në Çamëri, kam të pavarrosurit e një shekulli,/ atë grua që u thashë mos e vrisni./ Eh, po ta dija gjuhën e ferrave,/ të barit, të gurit, e të ullirit, /do bëja një poemë më famëmadhe /se jeta e të gjitha jetëve”.
Xhemil Lato është një poet i cili e shpërfaq frymëzimin poetik si një marrëdhënie të zakonshme, pra si një lloj përditësimi, pasi në krijimtarinë e tij poetike ka marrëdhnëie të larmishme dhe shumë- tematike, pra ka një frymëmarrje të madhe metafora e tij. Në vëllimin poetik “Njeriu vritet nëpër njeri”, një vëllim i cili siglon një metaforë të madhe, një metaforë thellë së cilës lëviz një raport njerëzor, një ndjeshmëri njerëzore, gjithsesi lirike dhe sociale, ku nuk mungojnë fondamentet tradicionale, Lato e ka përdorur komunikimin poetik me kohën mjeshtërisht si liri nga njëra anë, por dhe si një shqetësim social nga ana tjetër. Kështu, poezitë në të cilat lëviz një ndjenjë e lehtë dashurie, thënë ndryshe poezitë e dashurisë “Të jep diamantet e botës”, “Dashuri”, një poezi në të cilën poeti përdorë një lloj relievi (“Mbi qelq/ mollzat e gishtave/dhjetë kokrra qershize/ vjelë/nga të ndezurit e faqeve”), “Vajza fshati të padjallëzuara”, apo “Buzë e vonuar”, krijojnë një raport të brishtë të poetit me kohën, ku zakonisht shfaqet një brendësi e ngrohtë si burim jetik tërheqjeje gjithsesi të sendërtuar nën petka të bukura metaforike, që Lato i sjell mjeshtërisht përmes detajeve të thjeshta.
Le të themi një cikël, pavarësisht motiveve nëpër kohë, një cikël poezish është ai i natyrës, një natyrë të shpirtëzuar me një frymë të brendshme dhe të prekshme njerëzore, në të cilat poeti arrin të krijojë një tablo interesante, përtej së cilës shihen gjëra të shenjta të poetit, dhe që shfaqen në të gjithë poezitë e kësaj natyre prej tij. Në poezi të tilla, duket se ka gjithmonë një pjesë Çamëri, pasi Çamëria lidhet fort me Laton përmes dhimbjes, mallit, fëmijërisë, kujtimeve etj. Poezi të tilla si “Në plazh”, “Shtëpia e vjetër”: “Në portën e drunjtë/ një qukapik/ shkul miza…./Kumbulla/ rrëzë dritares/si një ka i lodhur/ripërtryp diell.”, “Perëndim në Vlorë”, një poezi me një figuracion interesant ku plekset efekti i ngjyrave të natyrës me njeriun (“Krokodili –det/ mes dhëmbëve/ mban diellin-/ si një sorkadh/ E gris/ dhe trupin ngjyen me gjak…”), poezia “Gjysmëhënëza në lagunë” dhe mjaft poezi të tjera, të cilat shpalojnë një shpirt poetik të ndjeshëm dhe me një shqisë estetike ku natyra i plotëson motivet e brendshme shpirtërore me një kumt shpirtëzues.
Në poezinë e Xhemil Latos ka një lëng jetësor, një lloj nimfe që e bën të qarkullueshëm rrjedhën kohore, vetëm marrëdhënien që poeti ka me të. Poezitë e tilla si :”Cikli”: “Do ikim një ditë/ aq të lodhur,/ sa do dukemi/ pikturë e vjetër, e zbardhur…”, poezia “Kurbeti”, një plagë e njohur ndër njerëzit e kohëve të hershme dhe të kohës së poetit: “Këtu…/ gjysmat e shtëpive/ i ka marrë bari,/ Gjarpërinjtë flenë/ nëpër këmbët e ngathëta të pleqve…/Dielli/ të pickon/ në kurriz/ …” apo dhe poezitë “Dhe ti sonte” dhe poezi të tjera në të cilat kjo lloj nimfe herë e zorshme dhe herë në fikje shfaqet si fat jetësor i njeriut.
Ashtu siç ndodh më së shumti në jetën e poetëve, madje ku biskon dhe motivi i parë i poezisë, nga dhimbja apo nga dashuria, cikli i familjes, natyrisht i shpërndarë nëpër krijimtari është i pranishëm në poezinë e Latos. Ai shpeshherë i kthehet komunikimit me babanë, tek i cili, duket se gjithnomë kërkon diçka, siç kërkohen zakonisht rrënjët në tokë. Poezi të tilla si: “Tregim për babanë”, “U plak babai im”, “Te varri i babait”: “Te koka,/ ke një gurë nga Çamëria,/ te këmbët e lodhura/ gurin e murrmë nga Vlora./ Përmes varrit/ nxjerrin ty kujtimet e mia…”, ku siç shuhet poeti arrin të krijojë hapësirën e meditimit dhe të komunikimit, por edhe poezi të tjera si: “Nazua”, “Letër Xhefit”, “Xhixhia”, “Vëllai”, “Gruas” bartin një raport vertikal dhe horizontal, ku shfaqet një lirizëm i thellë dhe dhimbja e poetit është njeriu në lidhjen e tij me kohën.
Çamëria është e pranishme në të gjithë dhimbjen dhe shqetësimin e poetit Xhemil Lato. Simbolikat poetike, një lloj personifikimi që shfaqet në të shumtën e rasteve në poezinë e tij, zakonisht natyra dhe mjediset jetësore lidhen dukshëm me këtë kujtesë dhe dhimbje , që duket se merr frymë, dihat apo derdh gjak dhe dhimbje vazhdimisht. Çamëria është në çdo ind poetik të poezisë së Latos. Poezia “Sa një buzë e plasaritur” është një poezi, e cila i kushtohet Panajasë, siç duket, poeti revokon fëmijërinë: “Nën këtë qiell të vogël/ Sa një folezë zogu/ e përmbysur/ ecën fëmijëria imeme hapat e vogla/ dhe pyetjet e guximshme/ që s’u vinte veshin bota…”), një motiv lirik që shpërshfaqet akoma më gjerësisht në poezinë “Vendlindja dhe fëmijëria”: “Vendlindja/ dhe fëmijëria/ më shfaqen përpara/ si dy dele të bardha/ duke blegëritur në të qarë:/ njëra, për qengjin e larguar,/ tjetra, për këmbën e vrarë”, një lirikë e bukur, e lehtë, e ngjeshur dhe me një nëntekst brilant, ku Çamëria shfaqet në detaje dhe struktura nga më të ndryshmet të komunikimit të poetit me veten, kohën dhe njerëzit.
Poeti Lato duket se ka një mushkëri të madhe poetike. Ai si gjithë poetet e botës kërkon të komunikojë përmes dimensioneve të mëdha të kohërave, për të krijuar paralele dhe aktualitet, si një lidhje dhe shqetësim qytetar. Poezia “Lorkës”, “Aleksandrit të madh” apo dhe ajo “Sharl Bodlerit” duket se i kërkojnë kohët përmes një metafore komunikuese, një lloj kërkimi që poetët e reflektojnë dhe si reagim të tyre, pasi me Lorkën dhe Aleksandrin e Madh lidhen kohë të rëndësishme të popujve, ashtu si me Bodlerin lidhet dimensioni i kulturës (poezisë) francese, një referencë e poezisë moderne. Lato i ridimensionon këto figura nën një vizion real të kohës dhe të njerëzve të tij. Natyra lirike që Lato përcjell në poezinë e tij, duket se i afron apo poeti i nxjerr nga koha dhe mjedisi i tij këta njerëz të përmasave universale.
Në poezitë e vëllimi “Njeriu vret nëpër njeri” ka një marrëdhënie dhe një prani të dukshme të natyrës, një poezi e cila duket se vizaton rrugëtimin e poetit nëpër jetë. Mënyra se si Lato e sheh natyrën është ndoshta një element i profilit të tij, i këndvështrimit të tij, e syrit të tij se si ai e sheh atë që i kthehet në vargje dhe në poezi, në një shpirtëzim të komunikueshëm. Poezi të tilla si: “Në plazh”, “Shtëpia e vjetër”: “Netëve/ hëna e plotë/ lyen me tetraciklinë/ plagët e gurëve/ prej dimrave…/ kërcet ajo dhoga e vjetër në fëmijëri/ dhe vjen babai të më ndëshkojë/ për gabimin e ri…”), poezia “Perëndim në Vlorë” (një akuarel, për të cilin është shkruar dhe më lart), dhe që hapsinohet akoma më shumë në poezitë ku poeti tenton të vizatojë qytetin “Sheshi i Kateqit”, në poezinë ku risillet Kosova, dhe ajo përmes dramës dhe plagës që ka në thellësinë e kohërave.
Në reflekset e poezisë së Latos ka një shqetësim shpirtëror dhe një preokupim lidhur me qasjet e bashkëkohësisë (“Shekulli i ri”, “Sot nëpër qytet”), po ashtu nuk mungon një komunikim lirik, gjithsesi interesant për veten, siç është krijimi i mrekullueshëm poetik “Poemth për veten”, por ku nuk mungon as atdheu, si një udhëtar i përjetshëm në poezi të tilla si “Atdheu im përtej detit” dhe “Vendit tim”, poezi që e bëjnë të prekshëm realitetin dhe shqetësimin poetik të poetit Xhemil Lato.
Shpeshherë në meditimin e thellë poetik dhe përsiatjet e poetit të talentuar, Xhemil Lato, ngrenë krye reflekse filozofike, të cilat i bëjnë vargjet sintezë të një mendimi poetik, me domethënie të thella, duke zgjuar te lexuesit, vizione e mesazhe universale, siç ndodh në poezitë: “Qaj për lirinë time”, “Atdheu im përtej detit”, “Të puthurat cicërojnë si zogj”, “Karafil i kuq prej Lorkës”, “Pllajës së varrit tuaj pa emër”, “Portat mjaullijnë si mace”, “Gurët e Çamërisë”, apo “Mos e vrisni atë grua”, ku vargjet mes dhimbjes dhe dashurisë njerëzore, blerojnë artin e tij poetik.
Xhemil Lato është poeti i një metafore të lidhur fort me njeriun dhe fatin historik të tij, të ngritur në një metaforë universale siç është liria dhe e drejta njerëzore për të jetuar. Lato ka një profil të qartë estetiko – artistik. Ai zbulon frymë dhe përcjell mendim nga gjërat e zakonshme njerëzore dhe të thjeshta, duke reflektuar dhe misionin e poezisë së tij. Duke qenë lakonik, pesha e mendimit poetik në poezinë e Latos përthithet nga fjala, e cila është e larmishme, gjuha e tij është depërtuese dhe krahasimi është i qëlluar mirë. Lato është poeti i gjendjeve të ndezuara dhe të prushta poetike, prandaj poezia e tij ka një lloj perimetrimi të madh, siç thotë poeti Fatos Arapi, është poeti i sipërfaqeve të mëdha.
