Magani prish festën: Kemi ndeshjen tjetër

anazapta

Gugash Magani ia ka atribuuar fitoren e djeshme shpirtit luftarak të skuadrës së tij, por nuk ka ngurruar t’i hedhë menjëherë ujë zjarrit. Trajneri bardheblu është shfaqur i qetë, plot besim se Tirana do të fitonte. “Guxuam që të gjithë, lojtarët dhanë maksimumin në fushë dhe i zbatuan të gjitha detyrat. Isha i qetë, sepse kemi punuar fort, jo vetëm për këtë ndeshje”, tha Magani pas takimit. “Ishim më të vendosur, luajtëm më mirë dhe e merituam fitoren”. Autor i golit të fitores ishte Gilberto, një lojtar i ardhur gjatë merkatos së janarit dhe Magani është veçanërisht i lumtur dhe i lehtësuar për këtë gjë. Ai thotë se blerjet e bëra në janar shpeshherë nuk dalin të goditura, por kishte besim te lojtarët e ardhur në skuadrën e tij. “Isha i qetë edhe për blerjet e goditura. Në këtë periudhë nuk ndodh gjithmonë të bësh zgjedhjet e duhura. Që nga 1 janari kemi punuar shumë. Edhe sot (dje) e shfaqëm me qarkullimin e topit dhe në ndërtimin e aksioneve. Që nga koha që e kam marrë unë drejtimin, kjo është Tirana më e mirë”. Bardheblutë festuan me të drejtë pas takimit, megjithatë Magani ua ka bërë të qartë se festa duhet të jetë e shkurtër. “U thashë çunave “Bravo ju qoftë por jemi ende në vendin e fundit”. Gjëja më e mirë që duhet të bëjmë tani është ta harrojmë këtë ndeshje, sepse nis puna për ndeshjen me Bylisin. Për ne janë të gjitha finale. Neve na duhen të gjitha trepikëshe dhe për këtë të gjithë lojtarët duhet të shohin punën dhe të jenë seriozë në stërvitje. Nuk mund të bësh lëshime në asnjë aspekt. Serioziteti do të jetë maksimal nga të gjithë ne”. Gjithçka bëhet për të arritur një objektiv të pazakontë për Tiranën, arritjen e mbijetesës, krejt ndryshe nga objektivat e mëdhenj të së kaluarës. Për Maganin, ditët e bukura mund të rikthehen, falë punës së madhe: “Duhet të kultivojmë frymën e grupit, të gjithë të japim maksimumin që të kthejmë Tiranën e lavdishme”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *