Dr. Vangjel Çici
Në ato ditë të nxehta të gushtit të vitit 1968, ndërsa isha duke kryer zborin ushtarak pasuniversitar në qytezën e famshme ushtarake të Gerhotit në Gjirokastër, mora njoftimin se u emërova për të punuar në rrethin e Përmetit. Ky njoftim më erdhi si një e papritur e këndshme, papritur sepse ishin kohët e iniciativave të mëdha dhe të gjithë prisnim të emëroheshim në rrethet e veriut, dhe e këndshme sepse deri diku do isha pranë prindërve të mi të moshuar që mezi prisnin që unë të mbaroja shkollën. Nga ana tjetër, do isha pranë ish- mësuesve të mi të praktikës mjekësore dhe tash kolegë, në spitalin e Gjirokastrës që ishte një qendër e fuqishme mjekësore, dhe kështu do t’i shërbeja më mirë popullit që priste ndihmën time.
Deri në atë kohë nuk kisha ndonjë njohje për Përmetin me përjashtim të faktit se gjatë praktikës mësimore në Gjirokastër një grup studentësh vizituam një ditë Përmetin, por pa ndonjë interesim të veçantë. Ato ditë të njohurit e mij më ngacmonin me shaka duke më thënë se Përmeti ka shumë evgjitë dhe kjo ishte e vërtetë, ashtu siç është dhe fakt që prej tyre unë bëra disa nga miqtë dhe shokët më të mirë. Kisha dëgjuar edhe disa vlerësime humoristike që u bëheshin banorëve të zonave të ndryshme që lidheshin me shumë me profesionin e tyre si kallajxhinjtë e Mbrezhadanit, sharrokët e Çarshovës, dervishët e Malëshovës etj. Ndërsa nga babai im, që në rininë e hershme ka qënë disa kohë në Stamboll, dëgjoja që përmendte bualjotët dhe lipjotët si kasapë dhe bahçevanë të njohur në Stamboll dhe më gjerë.
Në përgjithësi dëgjoja opinione shumë të mira për popullin përmetar, për traditat, për historinë e tij si dhe bollëkun në prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Sigurisht, kisha dëgjuar këngët përmetare, kisha dëgjuar emrin e virtuozit të muzikës popullore, Laverin e famshëm, po ashtu kisha dëgjuat këngën himn për bukurinë e vajzës përmetare: “A kanë ujë ato burime”. Doemos kisha dëgjuar edhe famën e rakisë dhe verës së Përmetit. Për rastësi, në atë periudhë gjashtëmujore që kryeja zborin, kishim edhe disa përmetarë dhe ngjarjet e Përmetit u fokusuan shumë në kolektivin tonë ushtarak. Atë vit, një mësuese nga Zhepa e Përmetit, që punonte në Orosh të Mirditës u martua me një djalë të thjeshtë nga ai fshat duke kapërcyer barierat e mentalitetit të kohës.
Sigurisht ishte një rast disi i vaçantë, por shtypi i bëri jehonë të madhe, u krjiuan dhe valle, madje këtu e ka fillesën vallja e kënduar “Kërcen përmetarja” protagonistja e kësaj ngjarje pati letërkëmbime me udhëheqësit e kohës. Në shtator të atij viti gazeta më e madhe e kohës “Zëri i Popullit” kishte një reportazh të zgjeruar me titull: “Çarshova 1968”, ku duke pasqyruar zhvillimet e zonës i bënte jehonë edhe aktit emancipues të mësueses nga Zhepa. Përmetarët që ishin në zbor më ngacmonin dhe më kujtonin se mund të punoja në Çsrshovë ku vendi i mjekut ishte bosh. Po atë vit këngëtarët e mirënjohur përmetarë Mentor Xhemali dhe Agim Tomorri kënduan këngën “Bjen borë e bardhë“, që u pëlqye shumë nga publiku dhe u vlerësua me një çmim. Dy officerë në moshë të re, Feriti nga Korça dhe Mustafai nga Elbasani, që kishin punuar në Frashër, kujtonin me mall dhe emocion kohën që kishin kaluar aty, sidomos për jetën komunitare.
Në janar u festua në Përmet 25 vjetori i krijimit të brigadës së 6-të Sulmuese, një nga formacionet më të lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare. Në këto festime shkoi dhe një pjesëtar i efektivit tonë si djalë dëshmori, Shefaqet Muçi nga Tepelena. Kur ky u kthye në repart, tërë bisedat u përqendruan rreth Përmetit duke e drejtuar shikimin nga unë. Mbresat nga kjo ngjarje ishin të shumta, ku spikaste në mënyrë të veçantë entuziazmi mbarë popullor dhe mikpritja që u rezervoi populli përmetar nëpër shtëpitë e tij ish-partizanëve.
Koha kaloi shumë shpejt dhe në ditët e para të shkurtit 1969 duke udhëtuar me korrjerën e linjës Gjirokastër – Përmet, një kamion i mbushur dhe me disa stola druri, arrita në Përmet. Për mua, që prej 9 vjetësh bëja jetë konvikti dhe viti i dhjetë jetë gazerme, më dukej sikur po jetoja në një familje të madhe kaq shumë m’u afrua përmetari i thjeshtë. Njerëzit ishin të dashur por dhe kurajoz. Aty e kuptova se ç’vend zinte mjeku në mentalitetin e popullit shqiptar dhe i vura vetes detyrë angazhimin për t’i shërbyer sa më mirë këtij populli. Në atë periudhë Përmeti ishte vërtetë një “xhenet”, siç i ka pas kënduar populli. Tregu, megjithëse ishte vetëm shtetëror, ishte plot me fruta, perime të freskëta, mish, bulmet me përjashtim të qumështit dhe kjo për çregullime të planifikimit, sa që popullsia e rretheve fqinjë furnizohej në Përmet. Problem shqetësues ishin strehimi dhe punësimi, aq sa në Përmet nuk pyeste njeri a more shtëpi apo apartament, po a more dhomë. Përveç administratës, punësimi i mundshëm ishte në tregti, komunale, ndërmarrjen bujqësore, ndërtim, grumbullim, ndërmarrjen ushqimore kryesisht e përqendruar në Këlcyrë.
Spitali ishte një ndërtesë e vjetër që ngjante si barangë, por përkushtimi i personelit dhe besimi i popullit ishte i madh. Administrata praktike dhe shtetërore nuk qenë në kondita më të mira, por tipike ishte burokratizmi i theksuar i saj, ndërkohë në atë periudhë fatmirësisht ideologjizimi nuk ishte i ndjeshëm. Kishte dy shkolla 8- vjeçare dhe një të mesme të përgjithshme me një nivel të lartë mësimdhënie dhe përparim të admirueshëm. Në Përmet jetohej thjeshtë por gëzueshëm, dhe kjo në saj të natyrës së mrekullueshme të temperamentit të përmetarit dhe përmetares si një amvisë e përsosur. Në klubin e madh tek hoteli, një sallë e madhe e mrekullueshme, një pjesë e së cilës shërbente dhe si restorant çdo darkë këndonte grupi i Laverit këngët e bukura përmetare. Jeta kulturore- artistike ishte prezente, shtëpia e kulturës dhe krijimtarisë popullore ishte shumë aktive, shpesh jepeshin koncerte sidomos me raste festash, grupet amatore realizonin herë pas here edhe ndonjë çfaqje estrade apo teatri. Shpesh jepeshin koncerte në shesh të qytetit.
Të shpeshta ishin mbrëmjet e vallëzimit në këndet e kuqe të ndërmarrjeve, ndërmarrjet apo institucionet organizonin shpesh mbrëmje me rastet e festave apo transferime punonjësish. Në atë kohë Përmeti kishte një skuadër basketbolli vajzash që luante me dinjitet në kategorinë e parë, si dhe mjaft grupe sportesh të ndryshme si futboll, alpinizëm, qitje dhe një skuadër noti. E veçanta për Përmetin ishte krenaria dhe tifozllëku i gjërë për këto sporte jo vetëm nga meshkujt por edhe nga femrat. Për hir të natyrës gazmore dhe humorit të hollë të përmetarit ideologjizimi ishte jo i theksuar, megjithëse nëpunësit e mesëm të administratës praktike dhe shtetërore ishin tej mase të burokratizuar, tipar karakteristik për qytetet e vogla. Por në Përmet jenonin dhe punonin një numër itelektualësh si: Sigur Kame, Jorgo Thomallari, Arziko Ismaili, Vasil Shuraja, Ylli Hoxha, Vasfi Baruti, Niko Tyto, Vasil Theodhori, Mustafa Fezgo, Viron Thomallari, Zihni Sherifi etj, që pavarërisht nga funksionet apo detyrat që kishin, dalloheshin për mendimin e tyre idenpendent. Në saj edhe të këtij mendimi të pavarur ideologjizimi ishte më pak i theksuar.
Njerëzit ishin shumë të afruar me njeri-tjetrin dhe kjo u lehtësonte sadopak vështirësitë ekzistuese, qyteti mbahej shumë pastër, lulishtet me trëndafila shumëngjyrëshe dhe aromatik ja shtonin bukurinë sa që u quajt “Qyteti i trëndafilave”. Kopshtet dhe bahçet brenda qytetit harbonin nga perimet dhe frutat, kudo që shkoje njerëzit me bujari do të ofronin diçka, një grusht qershi apo fiq nga xha Shahini dhe nënë Verzikua, një shegë apo një ftua nga nënë Sena në Mejden, një bisatak rrush apo një hurmë nga Syrjai po në Mejden. Akoma më e theksuar ishte kjo bujari në fshat.
Nuk më harrohet as sot që kanë kaluar më se 35 vjet kur me Llazon e mirë, infermieri i papërtuar i Odriçanit, atë buzëmbrëmje tetori ktheheshim nga Sevrani për në Odriçan duke kaluar nëpër Bejkollare, sa shumë na u lut ai plak i mirë që as emrin nuk i mësova, për ta kaluar darkën atje duke na treguar qengjin që ishte në fund të oborrit, të cilën donte ta hante me miq. Po ashtu në Mazhaj, mbas përfundimit të vaksinimit të fëmijëve kundër fruthit atje tek shkolla, gjysma e fshatit u rreshtua për të na marrë nëpër shtëpitë e tyre.
Dalëngadalë u shtua rrethi i shokëve dhe miqve jo vetëm në qytet por edhe në fshatrat më të largëta si në Raban, Mazhan, Delvinë, Goricë, Petran, Leshicë, Gjinkar, Katundishtë etj. Karakteristikë për Përmetin ishte fakti se edhe fshati kishte një shkallë të lartë kulture dhe jetese dhe në shumë zona si Dangëlli e Shqeri dhe fshatrat rrëzë Dhëmbelit afër qytetit ky nivel ishte shumë i lartë. Lidhjet qytet- fshat ishin të shumta jo vetëm nga martesat por edhe nga aktivitetet kulturore e sportive sidomos gjuetia e përbashkët. Por kudo tipar mbizotërues ishte mikëpritja bujare dhe çiltërsia. Në çdo zonë dalloje dhe diçka të vaçantë lidhur me traditën: Dangëllia për shumëllojshmirënë dhe prodhimtarinë e madhe të frutaver si dhe për humorin popullor, Shqeria për artin e të gatuarit dhe të pritjes, Dëshnica për rakinë e famshme dhe çiltërsinë, Mërtinji dhe Fratari për aktivitetet e shumta kulturore, Çarshova për seriozitetin në punë dhe prodhimtarinë e perimeve, Malëshova dhe Mbrezhani për zanatçinjtë e shumtë por dhe për replikat plot humor dhe të folurën dogançe( zhargoni i kallanxhinjve).
Por ai vit kishte rezervuar diçka të vaçantë për ne që shkonim për herë të parë në Përmet, festimin e 25 vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Përmetit, që ishte bërë një traditë e mrekullueshme popullore. Dhe Përmeti kishte të drejtë të festonte dhe të krenohej me tërë atë histori që mbartëte, Përmeti i rilindasve të mëdhenj: Samiut, Abdylit dhe Naimit i Hajredin Tremishtit, “limeri” i çetave të Çerçizit dhe Riza Velçishtit, i At Stath Melanit, i Stavro Vinjaut dhe Odhise Paskalit, i Nonda Bulkës dhe Fanjo Çiçakut si dhe i dhjetra e dhjetra bijëve dhe bijave që e ngritën dhe e nderuan emrin e tij.
Përmeti, vendi i inagurimit të dy brigadave legjendare partizane, Përmeti, vendi i luftimeve të ashpra me nazifashistët ku çdo kodër apo grykë ka një lapidar, Përmeti i djegur tri herë nga hordhitë pushtuese bëri histori dhe po jetonte historinë. Në atë kongres ku do të vinin delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, Ramadan Çitaku dhe Xheladin Beqiri si bij të Kosovës heroike, Baba Faja e Baba Myslimi, Spiro Moisiu e Haxhi Lleshi, dukej sikur Shqipëria i kthente vizitën Abdylit të Lidhjes së Prizrenit. Dhe pavarësisht politizimit të asaj kohe, por dhe kriticizmit të sotëm, në kujtesën e popullit përmetar u festua si një ngjarje e madhe dhe prandaj festohej me madhështi. Përveç festimeve publike shpalosej edhe mikëpritja përmetare. Përmeti atë fund dimri dhe fillim pranvera i ngjante një kantieri të madh pune. Aksionet për zbukurimin dhe sistemin e qytetit ishin temë e ditës, por krahas tyre zhvilloheshin edhe aktivitete kulturoro- artistike në formë minifestivali midis kolektivave punonjëse të qytetit. Po ashtu çdo mbrëmje në shesh të qytetit konkurronin grupet artistike të fshatrave, ndërsa me afrimin e festës, grupe të shumta artistike nga gjithë Shqipëria jepnin koncerte në podiumin e lapidarit kushtuar Kongresit.
Një mobilizim i jashtëzakonshëm kishte përfshirë edhe organet qendrore e sidomos Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, po ashtu të gjithë zbukurimin e qytetit dhe për organizimin sa më të mirë të festimeve. Dhe e paimagjinueshmja ndodhi më 23 maj kur krahas drejtuesve më të lartë të shtetit, një numër i pallogaritshëm njerëzish po vinin në Përmet, ishin përmetarë të larguar prej kohësh në qytete të ndryshme të vendit, banorët e fshatrave më të largëta që të organizuar vinin të kalonin festën bashkarisht. Jo vetëm brenda në qytet por dhe sheshet përtej urës ishin të mbushura me baranga shitjeje, ndërsa fshati festonte me përgatitjet tradicionale. Gjithë natën festohej me këngë, valle, dëfrim dhe koncrte, kudo që kaloje sofrat ishin plot. E njëjta gjendje feste ishte edhe në familjet qytetare. Festonin edhe të rinjtë dhe ata më të avancuarit shpallnin edhe fejesat.
Do të kalonin vite midis këtyre njerëzve të mrekullueshëm, aty do të krijoja familjen, aty më lindën dhe u shkolluan fëmijtë, aty më vdiqën prindërit e dashur, aty do të përballesha me një punë voluminoze dhe të vështirë ku së bashku me kolektivin punonjës të repartit që drejtoja, me doktoreshë Lirinë në Këlcyrë, doktor Faikun në Ballaban e më vonë në Përmet, me intermiere- mamitë e palodhura: Fatmira në Kajcë, Flamurja në Ballaban, Diturija në Mazhaj, Ajetja në Këlcyrë, Mesudia në Frashër, Vitoria dhe Flora në Çarçovë etj., do kontribuonin për ato arritje që pati rrethi i Përmetit në drejtim të shëndetit të nënës e fëmijës. Ka kaluar një kohë e gjatë, shumë gjëra edhe janë harruar, shumë gjëra edhe duhet të harrohen, por ajo që s’harrohet është konsiderata më e lartë për popullin e mirë të Përmetit. Ndjej një boshllëk të pashpjegueshëm në shpirt sot kur dëgjoj këmbënguljen e kishës për të pronësuar Shtëpinë e Kulturës, të vetmin institucion që ka Përmeti dhe mendja më shkon tek një numër klerikësh të Këshis Ortodokse, që u sakrifikua për çështjen kombëtare, dhe jo shumë larg asaj ndërtese si At Stath Melani apo pak më larg Papa Kristo Negovani.
Nderim dhe respekt për qytetin e trëndafilave dhe Vjosës bukuroshe si dhe per njerëzit e mirë të tij.

Mjek dinjtoz Vangjeli…
Dr-Vangje Cici-Faleminderit-Jeni BOTA!
Me fal i nderuar Dr Vangjel Cici po e lexoj pas 6 ditesh, kete shkrim PREFEKT tuajin per Permetin tone ,mua 86 vjecarit tej oqeanit, dhimbien-KURUAR fjalet tuaja MELHEM..(.Nuk kuptoj pse komentues vetem *Na ruajt zoti ,ndalon vetem me nje fraze: *Mjek dinjitoz Vangeli..*pune e tij… Une u kenaqa, mes Torontos,me shtepine rrethuar me bace si ne permet, kete mes pranvere qe ketu ne Toronto na shoqeroi sivje bora dhe ne prill..Sa me sillni Ju, me bete te jetoj me Permetin e Dangelline time Naimjane”! Ju falenderoj sa uroj tere PERMRTARET nga jane e sjane- tere te MIRAT e me PERMETIN me tera ato treva te shkelqyera me Farsherin Naimjan, te JETOJNE! Po ju pershendes me vargun.. Te fallem fshati i dashur ,kend i fshehte,i PUNES dhe ISPIRIMIT JE*…me dal ne gaboj si 86 vjecar,malli per vendlinden SHOKUAR tej Oqeanit jetoj..me atdheu cpo perjeton ! Dite njemije bashkaatdhetareve TANE,ne ATDHE me perkushtim atje jetojne …Mbrodhesi UROJ e me prifte shendeti,kete Muajin Maj, mes TIJ e Atdheut-ta kaloj .Ju prifte e mira i nderur DR Vangjel Cici …Me lente ZOTI mes Pemreti T’iu takoj.JENI B O T A !