Xhevdet Shehu
Duke kujtuar Hajdër Sulajn
Ditët e fundit, duke pirë një kafe me mikun tim Luftar Binjaku, filluam të kujtojmë ngjarje të jetuara, njerëz dhe fshatrat historikë dhe heroikë të Mallakastrës sonë. Krejt natyrshëm biseda erdhi tek Hajdër Sulaj, një bir i denjë i Hekalit, i cili u nda nga jeta një vit më parë.
– E ndjej shumë mungesën e Hajdërit. Një jetë të tërë mik, shok e koleg. Boshllëqe të tilla janë vërtetë të dhimbshme, – më tha Luftari.
– Ikën njeriu i gjorë, por kur ai ka lënë gjurmë të mira në jetë dhe kujtohet me mall nga të afërmit dhe njerëzit që e kanë njohur, ikja bëhet më e lehtë. Kështu ka ndodhur edhe me mikun tonë të përbashkët, Hajdërin e urtë e të mençur me zemër të madhe, – i thashë.
Dhe në mendjen time erdhën një varg kujtimesh…
Ja se ç’më ka treguar vetë Hajdëri shumë vite më vonë:
Ishte dhjetor i vitit 1943. Në Gorishovën aty pranë u vranë nga ballistët dhjetë burra të njohur që tashmë njihen nga të gjithë si Këshilltarë të Hekalit. Në dhjetë shtëpi të fshatit u hap kuja. Hajdëri ishte tepër i vogël, 5-6 vjeç dhe nuk po merrte vesh se çfarë ishte ajo kuje. Shikonte gratë dhe burrat që qanin dhe fillonte e qante dhe ai. Shpejt e mori vesh se një nga dhjetë burrat ishte dhe babai i tij, Qerim Jemini. Ç’të bënte? Vëllezërit më të rritur, Aliun dhe Shefqetin, i kishte partizanë… Dhe ai kishte ngelur jetim.
Me kalimin e viteve mori vesh krejt të vërtetën e babait të tij dëshmor. Me mundim e sakrifica të mëdha u rrit dhe mori arsimimin e duhur për të qenë një mësues shembullor dhe drejtues i arsimit në fashat dhe në Mallakastër. Familja e tij si ajo e Heroit të Popullit Dervish Hekali dhe të rreth 50 familje të tjera dëshmorësh të Hekalit, ka qenë e nderuar dhe e respektuar. Për Këshilltarët u ngritën këngë. U bë dhe një film i bukur artistik ku luajnë Kadri Roshi, Luftar Paja dhe artistë të tjerë të shquar. Çdo vit në 12 dhjetor hekalasit shkonin në Gorishovë dhe vendosnin kurora dhe buqeta me lule në lapidarin që përkujtonte këshilltarët…
Por erdhi një kohë antikohë. Pas vitit 1990 kur ballistët dhe neoballistët të maskuar si demokratë po vinin me revan në pushtet, filloi një mësymje frontale kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorëve të saj. Në këtë valë inkuizicioni ndër të parët që e pësoi ishte lapidari i këshilltarëve. Për këngët dhe filmin as që bëhej fjalë. Ato thuajse u harruan…
Pikërisht në atë periudhë po shëtisja me Hajdërin në një nga rrugicat e Tiranës. Kur nga një pallat aty pranë, u hap një dritare dhe buçiti nga një kasetofon kënga: Këshilltarët e Hekalit/ Trima sokolat e malit…
Hajdëri qau. Ma rivranë babain këta qafirë, tha. Por populli nuk i harron. I ruan në zemër… Këtij shpirti të popullit nuk ka se çfarë t’i bëjë asnjë regjim…
Prandaj dhe gjatë këtyre tri dekadave të fundit Hajdëri iu fut një punë të stërmundimshme: Shkruajti mbi dhjetë libra me histori dhe me këngë për Hekalin, për luftën, për dëshmorët, duke u lënë një trashëgimi të vyer të afërmve dhe bashkëfshatarëve të tij. Ndërsa si mësues shembullor dhe drejtues i shkollave ai la një emër shumë të respektuar nga ish nxënësit e tij të shumtë të Mallakastrës që i përgatiti me aftësi dhe i ushqeu me dashuri për këtë vend dhe për historinë.
– Prandaj dhe Hajdëri do të kujtohet për herë me mall, pasi la pas vetëm gjurmë të mira, – i thashë Luftar Binjakut.

Të lumtë dora miku ynë Xhevdet Shehu, për këtë shkrim requem për të ndjerin Hajdar Sulaj..mua më ka dhënë mësim-filozofi në Gjjmnaz dhe ruaj kujtimet më të mira për Të, njeri i urtë, i matur, i avashmë dhe me dije dhe kultirë si rrallëkush në Mallakastër…Ai përveçse pedagog në Gjimnazin “Dervish Hekali” në Ballsh, ka qënë dhe Drejturs në Kësh e Koop. Ballsjit etj…Me këtë tast shpreh ngusjëllkmet e mia famjljes dhe të afërmve..u preftë në paqe..!
Të lumtë dora miku ynë Xhevdet Shehu, për këtë shkrim requiem për të ndjerin Hajdar Sulaj,..qe ishte vërtetë siç e thua ti, një bir i denj i Hekalit dhe Mallkastrës sonë martire, Ai mua më ka dhënë dhe mësim-histori në Gjjmnaz dhe ruaj kujtimet më të mira për Të, njeri dhe një mësues i urtë, i matur, i avashtë por dhe me dije dhe kulturë si pakkush në Mallakastër…Ai përveçse pedagog në Gjimnazin “Dervish Hekali” në Ballsh, me sa di me pas ka qënë dhe Drejturs në Kësh e Koop. Ballshit etj…Me këtë tast shpreh ngushëllimet e mia famjljes dhe të afërmve..u preftë në paqe..dhe i paharruar kujtimi I Tij!
Faleminderit gazetar i nderuar qe kujton dhe shkruan per njerez te mire dhe me vlera, sepse na mbyten maskarenjte dhe plehrat.