“Komisioni është thellësisht i shqetësuar nga fakti se Selia e Shenjtë nuk ka njohur përmasat e krimeve të kryera, nuk ka marrë masat e nevojshme për të luftuar abuzimet seksuale mbi fëmijët dhe nuk i ka mbrojtur ata. Jemi të shqetësuar edhe sepse Selia e Shenjtë ka ndërmarrë politika dhe praktika që kanë patur si pasojë vazhdimin e abuzimeve në fjalë dhe pandëshkueshmërinë e përgjegjësve.”
Asnjëherë më parë, Organizata e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet një komisioni të posaçëm, nuk ishte shprehur kaq qartë dhe kaq hapur kundër fenomenit të fëlliqur të priftërinjve pedofilë. Zonja Kristen Sandberg, përgjegjësja e Komitetit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në gjirin e OKB-së, deklaroi se Vatikani “nuk ka bërë gjithçka që duhej të kishte bërë” për të “shkarkuar menjehërë” priftërinjtë pedofilë dhe për t’i “dorëzuar ata tek autoritetet civile, pra në polici”.
Duke shfletuar raportin, redaktuar gjatë muajit janar nëpërmjet ballafaqimeve me përfaqësues të lartë të Vatikanit, lexohet se si pedofilët transferoheshin me urdhër të eprorëve nga një kishë në tjetrën për të evituar që opinioni publik të informohej mbi këto krime, dhe se si për shkak të “kodit të heshtjes imponuar mbi klerikët, rastet e abuzimeve seksuale janë denoncuar me vështirësi në organet gjyqësore të shteteve përkatëse”.
Akuza është e drejtëpërdrejtë: Selia e Shenjtë dinte për djajtë që fshiheshin në gjirin e vet, por nuk i dëbonte menjëherë, nuk i denonconte në polici dhe nuk merrte të gjitha masat për t’i larguar nga fëmijët. Me fjalë të tjera, sipas raportit të OKB-së, Vatikani shqetësohej më shumë për pasojat politiko-mediatike dhe për reputacionin e vetë, sesa për pasojat mbi viktimat e klerikëve pedofilë.
Ngacmimet seksuale kundrejt fëmijëve janë plagë asnjëherë të fashitura për Vatikanin, aq sa edhe Papa Françesku, pasi krijoi një Komision të posaçëm për të luftuar fenomenin, deklaroi që është “turpi i Kishës”. Mund të kujtohet vetëm që në 2007-tën kisha katolike e Los Angeles (SHBA), pranoi se në përiudhën 1930-2003, 113 priftërinj ishin të përfshirë në krime seksuale ndaj rreth 500 të miturve të cilët u dëmshpërblyen me shifrën totale prej 660 milionë dollarësh.
Është e qartë që Selia e Shenjtë nuk mbart vetëm shenjtorë, edhe për vetë faktin se është e përbërë nga qënie njerëzore me sëmundjet dhe psikozat e tyre. Por rroba e priftit nuk mund të pengojë që përgjegjësi i një krimi kaq të fëlliqur të mos dalë përpara drejtësisë. Sekreti nuk e fshin turpin, thjesht e mbulon atë.
* PhD – “E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane” – Verona, Itali.
