Besimtarët ortodoksë mbushën kishat mbrëmjen e kaluar në të gjithë vendin ku kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit. Ata kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit në meshën e pashkëve, dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.
Këtë vit besimtarët mbushën kishat pas 2 vitesh kufizim për shkak të pandemisë.
Të krishterët në festën e pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Në Fier besimtarët ortodoksë u mblodhën në kishën e Shën Gjergjit, ku Mitropoliti At Nikoll Hyka ka mbajtur meshën që i dedikohet ringjalljes se Krishtit.
Me qirinjtë e lutjes në duar, që simbolizojnë dritën e përjetshme, ortodoksët në Korçë kanë kremtuar Pashkët. Qindra besimtarë iu bashkuan meshës së shenjtë të vigjiljes së kësaj feste, e cila u mbajt në Katedralen e qytetit.
Mesha e organizuar nga klerikët ortodoksë në ambientet e jashtme të kishës në Gjirokastër u përcoll nga besimtarët e shumtë, të cilët nxitonin të ndiznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re.
Në Vlorë mesha e shenjtë u mbajt në kishën e Shën Theodhorit, ku atë Konstandin Prifti ka uruar Gëzuar pashkët “Krishti u ngjall“. Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Johan Qako.
Në lidhje me Pashkën në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e kësaj feste. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
j.l./ dita
