Ministrja Xhaçka në takimin e OKB-së: Të ndihmojmë për dokumentimin e fakteve të luftës në Ukrainë. Autorët duhet të japin llogari!

Ornela

Ministrja per Punët e Jashtme Olta Xhaçka ka qenë pjesë e një takimi në New York, të kryesuar nga Shqipëria mbi llogaridhënien për krimet e kryera në Ukrainë, takim ky i bashkë-organizuar me Francën dhe Ukrainën.

Në një deklaratë për mediat ndërkombëtare, Xhacka u shpreh se lufta e zgjedhur nga Rusia ka shkaktuar vuajtje të pamasë të popullatës .

“Përballë këtij agresioni të paprecedentë të shoqëruar nga makineria ruse e propagandës dhe gënjeshtrës që synojnë të shtrembërojnë realitetin në terren si dhe të japin një narrativë të rreme për luftën e tyre të pajustifikueshme, ne duhet të flasim, të vazhdojmë të themi të vërtetën dhe të mobilizojmë mbështetjen për mbledhjen dhe dokumentimin e fakteve mbi mizoritë e kryera në Ukrainë.”- u shpreh ajo.

Xhaçka po ashtu shprehu nevojën e dokumentimit të krimeve në Ukrainë, si nevojë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët.

‘Miliona refugjatë tashmë janë larguar, ndërkohë që një numër edhe më i madh i personave të zhvendosur brenda vendit po trondit vendin dhe të gjithë rajonin. Nga imazhet e njerëzve të ekzekutuar në Bucha deri te mbetjet e teatrit të bombarduar të Mariupolit ku humbën jetën qindra refugjatë civilë, apo varret masive të zbuluara rreth Kievit, lufta e pajustifikueshme e Rusisë ka shkaktuar vuajtje të pamasë mbi popullatën civile.’

Shumë shtete përkrahin Ukrainën, qoftë me furnizimin me pajisje ushtarake, përmes ndihmës humanitare dhe hapjes së shtëpive të tyre për të mirëpritur refugjatët. Ukraina mbështetet dhe në arenën ndërkombëtare.

‘Autorët e këtyre krimeve duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne jemi të inkurajuar nga uniteti i qëllimit që është shfaqur në lidhje me dokumentacionin e krimeve të kryera në Ukrainë. Të gjithë jemi dakord për rëndësinë që ka vënia para përgjegjësisë autorët e mizorive në Ukrainë në përputhje me sundimin e ligjit.’ është shprehur Olta Xhaçka.

Ky takim bashkoi shtetet anëtare dhe aktorët kryesorë të përfshirë në dokumentimin e krimeve të kryera në Ukrainë për të identifikuar se si mund të mbështeten dhe koordinohen përpjekje të tilla në mënyrë që të sigurohet hetimi dhe ndjekja efektive e atyre që janë përgjegjës për krimet.

‘Dëshiroj të bëj një nderim edhe për gazetarët e pavarur profesionistë investigativë, që po punojnë në kushte të vështira dhe sfiduese, duke vënë në rrezik jetën e tyre për të thënë të vërtetën, për të treguar historinë e kësaj lufte të pakuptimtë. Ishin fotot dhe raportet e tmerrshme që dolën nga qytetet afër Kievit që shkaktuan neveri globale si prova e parë e asaj që përbën dhunë sistematike kundrejt civilëve. Është thelbësore që të gjitha krimet e tilla të dokumentohen plotësisht dhe të përdoren në gjykatë,’ ka deklaruar Xhaçka.

‘Kjo luftë duhet të mobilizojë Komisionin Hetimor të HRC për Ukrainën, ICC, Shoqërinë Civile dhe Përgjegjshmërinë e GoF në Ukrainë për të siguruar ndarjen e njohurive ndërmjet mekanizmave të llogaridhënies dhe shteteve anëtare të OKB-së përmes ndjekjeve penale kombëtare në shtetet me juridiksion universal mbi krimet në shoqërinë civile. Drejtësia dhe llogaridhënia duhet të mbizotërojë, për Ukrainën dhe ukrainasit dhe komunitetin ndërkombëtar, që të rivendoset besimi në ligjin ndërkombëtar që u shkatërrua nga lufta e Rusisë.’ ka përfunduar ministrja.

l.b./ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *