Nëntë Maji shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste përballë forcave aleate – përfshirë Bashkimin e atëhershëm Sovjetik – më 1945.
“Ushtria jonë nuk do t’i përshtatë artificialisht veprimet e saj rreth asnjë date, përfshirë edhe Ditën e Fitores”, tha Lavrov.
“Ritmi i operacionit në Ukrainë varet, para së gjithash, nga nevoja për të minimizuar çdo rrezik për popullatën civile dhe për personelin ushtarak rus”, shtoi ai.
Rusia zakonisht shënon Ditën e Fitores me një paradë të madhe ushtarake në qendër të Moskës dhe me një fjalim të presidentit Vladimir Putin, që përshëndet rolin udhëheqës të vendit të tij në mposhtjen e fashizmit në Evropë. Por, festimet e këtij viti vijnë nën hijen e pushtimit rus të Ukrainës, të cilin Putin e ka justifikuar me pretendimet se fqinji i tij duhet të “denazifikohet” dhe “çmilitarizohet” për të shpëtuar popullatën rusishfolëse atje.
Mijëra civilë janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur nga Ukraina, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj më 24 shkurt. Rusia ka thënë se mbi një mijë ushtarë të saj janë vrarë, por Ukraina pretendon se humbjet e Rusisë janë shumë më të mëdha. Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin e Moskës dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, ndërkohë që Kievin është duke e ndihmuar me armatim.
a.m/dita
