Pasi e humbi Betejën e Kievit, krimineli rus i luftës Vladimir Putin po përpiqet që të shpëtojë disi fytyrën me një sukses ushtarak në rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore. Përparimi i ushtrisë së tij ka qenë “i ngadalshëm dhe i pabarabartë”, dhe vlen të theksohet se kjo ndodhi para se të mbërrinin në Ukrainë të gjitha armatimet e rënda të dërguara nga Perëndimi.
Kur forcat e armatosura ukrainase të pajisen me armët e reja, ato duhet të jenë të gatshme të nisin një kundërofensivë, e cila mund të sjellë rifitimin e territorit të humbur. Çfarë do të bëjë Putin në atë moment? Ekziston një shqetësim i gjerë se ai nuk mund të lejojë humbjen, ndaj do ta përshkallëzojë konfliktin.
Ai mund ta bëjë këtë me përdorimin e më shumë fuqie ushtarake konvencionale ose me përdorimin e armëve kimike apo bërthamore. Disa presin ende që në një mënyrë a tjetrën, Rusia do të fitojë. “Nëse udhëheqësit perëndimorë mendojnë se inkurajimi i tyre i zgjatur ndaj Ukrainës do të sjellë një fitore ushtarake ukrainase, atëherë ata po i keqkuptojnë qëllimet dhe vendosmërinë e Putinit”- shkruan një gazetar britanik dhe ish-konsulent i Kremlinit.
Ky artikull tingëllon sikur i përket ditëve të para të luftës, por në fakt u shfaq në “The Guardian” javën e kaluar.
Një skenar që paraqitet nga analistët është se Putin do t’i përdorë festimet e 9 majit, Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq, për të përkujtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore, dhe për të shpallur një luftë në shkallë më të gjerë ndaj Ukrainës.
Pasi u përpoq deri më tani që ta cilësonte pushtimin si një “operacion ushtarak special”, ai mund të shpallte tani gjendjen e luftës dhe të bënte një mobilizim total në stilin e Luftës së Dytë Botërore. Ai mund të mendojë se mund ta nënshtrojë Ukrainën duke angazhuar më shumë tanke dhe trupa.
Por kjo do të rrezikojë shpërthimin e trazirave sociale, dhe sërish mund të mos sjellë fitore. Rusia është një vend i madh (144 milionë banorë). Por Putini nuk ka në dispizicion një grup të madh njerëzit të trajnuar më aftësi ushtarake.
Rusia rekruton afërsisht çdo vit 260.000 burra në 2 faza, në pranverë dhe në vjeshtë. Por edhe nëse Putin do t’i dërgonte rekrutët në Ukrainë (gjë që ai zotohet se nuk do ta bëjë), ata do të kërkonin të paktën 4 muaj stërvitje, dhe kjo do të prodhonte trupa të cilësisë së ulët dhe të pamotivuar.
Njësitë më të mira ushtarake të Rusisë, të përbëra nga ushtarë me kontratë, kanë performuar shumë dobët. Rekrutët do të shfaqeshin edhe më keq. Në letër, Rusia ka më shumë se 2 milionë ish-ushtarakë në rezervë. Por sipas Institutit për Studimin e Luftës, pak prej tyre marrin trajnim të vazhdueshëm.
Një raport i “Rand Corporation” i vitit 2019, zbuloi se vetëm 4.000-5.000 rezervistë do të konsideroheshin të krahasueshëm me Gardën Kombëtare të SHBA. Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërmori vitin e kaluar një reformë për të zgjeruar numrin e rezervistëve me 80.000-100.000 trupa, por nuk ka asnjë tregues se po arrihet ky objektiv ambicioz.
Prandaj, nëse Rusia do të hedhë në betejë një numër të madh rekrutësh të trajnuar keq, ajo
do të kishte vështirësi që t’i pajiste ata me aftësitë e duhura. Rusët pretendojnë se kanë më shumë se 10.000 tanke dhe 36.000 automjete të tjera të blinduara në magazinat e tyre, por shumica me gjasë janë të vjetëruara dhe të rrënuara.
Rusia po i humbet pajisjet e saj më të mira ushtarake në Ukrainë, dhe do ta ketë të vështirë që ti zëvendësojë ato. Sanksionet perëndimore po i dëmtojnë rëndë linjat e prodhimit ushtarak rus, duke e ndaluar furnizimin me mikroçipë. Për shembull, ushtria ruse ka mungesë të theksuar të municioneve të drejtuara me saktësi.
Por edhe nëse Rusia do të mund të dërgonte shumë më tepër trupa me cilësi të ulët të pajisura me pajisje të vjetruara, ajo do ta kishte shumë të vështirë t’i furnizonte ato. Logjistika e ushtrisë ruse ka qenë e paaftë të vazhdojë furnizimin e trupave luftarake, që në fillim numëronte rreth 150.000 njerëz.
Në këto kushte, si do të mund të furnizonte një ushtri më të madhe? Më shumë trupa ruse vetëm sa do të krijonin më shumë objektiva për të gjitha armët moderne të Ukrainës. Një skenar më i frikshëm do të ishte nëse Putini do të përdorte armë kimike dhe sidomos armët bërthamore.
Propagandistët rusë, kërcënojnë rregullisht në media se nëse forcat e tyre humbasin në Ukrainë, do të kalohet tek lufta bërthamore. Vetë Putin kërcënon vazhdimisht me sulme bërthamore për ta frikësuar Perëndimin. Skenari më pak i mundshëm është ai më apokaliptik: Rusia i sulmon vendet e NATO-s me armë konvencionale ose bërthamore.
Putini nuk është kamikaz, dhe ai e di se kundërpërgjigja e SHBA-së do të ishte shkatërruese. Një përdorim më i kufizuar i armëve bërthamore kundër bazave ose qendrave të popullsisë ukrainase, është pak më i besueshëm. Putin mund të ndërmarrë një sulm të tillë për ta terrorizuar Kievin, duke e detyruar që të dorëzohet.
Përdorimi i armëve kimike ka më shumë gjasa që të ndodhë, por nuk do të përbënte një ndryshim të rregullave të lojës. Presidenti Joe Biden duhet të parandalojë ndodhjen e këtij skenari. Ai duhet ta bëjë të qartë se në rrethanat aktuale Shtetet e Bashkuara nuk do të luftojnë drejtpërdrejt ndaj Rusisë.
Por çdo gjë do të jetë e mundur nëse Putini do të përdorë armët bërthamore. Edhe pa përdorur armët e veta bërthamore, NATO mund të nisë sulme të gjera ajrore që do të fundosnin me shpejtësi të gjithë flotën ruse në Detin e Zi, dhe do të shkatërronin pjesën më të madhe të ushtrisë ruse në Ukrainë dhe pranë saj.
Kjo do ta shkundte nga themelet regjimin kriminal të Putinit. Ne nuk mund ta ndalim Putinin nga një përshkallëzim i pamatur i luftës. Por duhet ta bindim atë se kostoja do të ishte shumë e lartë. Sigurisht që ne nuk duhet të lejojmë që kërcënimet e tij të na pengojnë që t’i ofrojmë Ukrainës çdo lloj arme që i nevojitet për të fituar.
Nëse Putini do të fitonte në Ukrainë, ai do të inkurajohej për sulme të mëtejshme, dhe po kështu do të bënin edhe shtete të tjera diktatoriale si Kina. Ndaj ne duhet t’ia bëjmë të qartë Putinit, siç tha dikur presidenti George H.W Bush pas pushtimit irakian të Kuvajtit, se “ky agresion …nuk do të tolerohet”. /Washington Post
l.b./ dita
