Pothuajse dy të tretat e të rriturve dhe 1në 3 fëmijë në Europë jetojnë me mbipeshë ose obezitet, dhe këto ritme janë ende në rritje.
Raporti i ri i OBSH-së për Obezitetin në Europë, i publikuar sot, paralajmëron për rreziqet serioze shëndetësore .
Sipas raportit të OBSH, obeziteti është ndër përcaktuesit kryesorë të vdekjes dhe paaftësisë si dhe shkaku i 13 llojeve të ndryshme të kancerit.
Për këtë arsye duhet të trajtohet dhe menaxhohet nga ekipe multidisiplinare.
“Obeziteti nuk njeh kufij. Në Europë dhe Azinë Qendrore, asnjë vend i vetëm nuk do të përmbushë objektivin global të NCD të OBSH-së për ndalimin e rritjes së obezitetit”, tha Dr Hans Henri P. Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Evropën.
OBSH thotë se obeziteti mund të kapërcejë duhanin si rreziku kryesor për kancerin e parandalueshëm.
Mbipesha dhe obeziteti zënë vendin e katërt si faktor rreziku për vdekjen, pas presionit të lartë të gjakut, rreziqeve dietike dhe duhanit.
Obeziteti është një sëmundje komplekse multifaktoriale që paraqet rrezik për shëndetin.

Ajo është e lidhur me shumë sëmundje jo të transmetueshme (NCD) duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2 dhe kancerin.
Për disa vende të Europës , parashikohet që në dekadat e ardhshme obeziteti do të kalojë duhanin si faktori kryesor i rrezikut për kancerin e parandalueshëm.
Raporti gjithashtu thekson se obeziteti është një gjendje, jo vetëm një faktor rreziku, që duhet trajtuar dhe menaxhuar në mënyrë specifike.

Mbipesha vret 1.4 mln europianë
Sipas raportit, prevalenca e obezitetit për të rriturit në Europë është më e lartë se në çdo rajon tjetër të OBSH-së, përveç Amerikës. Të dhënat e fundit tregojnë se mbipesha dhe obeziteti përbëjnë më shumë se 1.3 milionë vdekje globalisht çdo vit, por edhe këto shifra mund të nënvlerësohen.
Në Europë, mbipesha dhe obeziteti kanë arritur përmasa epidemike, me nivele të prevalencës më të larta tek meshkujt (63%) sesa tek femrat (54%).
Normat priren të jenë më të larta në vendet me të ardhura më të larta.
Nivelet më të larta të mbipeshës dhe obezitetit gjenden në vendet e Mesdheut dhe të Europës Lindore. Pabarazitë arsimore janë të përhapura, me prevalencë më të lartë të obezitetit që gjendet tek njerëzit me arritje më të ulëta arsimore.

COVID-19 dhe problemi i obezitetit
Pandemia e COVID-19 e ka bërë problemin e obezitetit edhe më urgjent.
Pacientët me obezitet kanë më shumë gjasa të përjetojnë komplikime dhe vdekje nga virusi, dhe shumë prej këtyre pacientëve kanë përjetuar ndërprerje në aksesin në shërbimet e menaxhimit të obezitetit.
Të dhënat paraprake sugjerojnë gjithashtu se gjatë pandemisë aktuale, njerëzit kanë pasur ekspozim më të lartë ndaj faktorëve të rrezikut të obezitetit, duke përfshirë një rritje të stilit të jetesës së ulur dhe konsumimin e ushqimeve të pashëndetshme.

Rekomandimet e OBSH
OBSH thotë se obeziteti ndikohet nga mjedisi, ndaj është e rëndësishme ta shikojmë këtë problem nga këndvështrimi i çdo faze të jetës.
“Për shembull, jeta e fëmijëve dhe adoleshentëve ndikohet nga mjediset dixhitale, duke përfshirë tregtimin e ushqimeve dhe pijeve jo të shëndetshme”, tha Dr .Kremlin Wickramasinghe, Ushtruesi i detyrës së Shefit të Zyrës Evropiane të OBSH-së për Parandalimin dhe Kontrollin e NCD-ve, e cila prodhoi OBSH-në Rajonale Europiane, Raporti i Obezitetit 2022.
“Me kalimin e kohës kemi mësuar se një politikë e vetme nuk do të funksionojë. Për të pasur sukses si shtet apo rajon, na duhet një paketë gjithëpërfshirëse ndërhyrjesh.
Asnjë vend i vetëm nuk ka mundur të prezantojë të gjitha këto politika në të njëjtën kohë. Është e rëndësishme të prioritizohen 2 ose 3 politika për t’u zbatuar tani dhe të kemi një plan të realizueshëm për të prezantuar pjesën tjetër të ndërhyrjeve, “shtoi Dr Wickramasinghe.
“Kufizimi i marketingut të ushqimeve të pashëndetshme për fëmijët, taksimi i pijeve të ëmbla me sheqer dhe përmirësimi i përgjigjes së sistemit shëndetësor për menaxhimin e obezitetit janë aktualisht ndër fushat e politikave më të diskutuara në mënyrë aktive në Rajonin Europian të OBSH-së.”-rekomandon ai
Shqipëria e treta në Europë për nivelin e lartë të obezitetit të grave
24.4% e grave në vend konsiderohen obeze, sipas Anketës Demografike dhe Shëndetësore të INSTAT, të vitit 2018, për grup-moshën 15-59 vjeç.
Ky tregues matet me Indeksin e Masës Trupore (BMI), që shpreh raportin e pesshës në kg ndaj gjatësisë në metër katror (kg/m2). Niveli mbi 30 konsiderohet obez, 25-29.9 mbipeshë, nga 18.5-24.9 është normal dhe nën 18.4 nën peshë.
Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, Shqipëria renditet e treta në Europë, për nivelin e lartë të obezitetit të grave, pas Irlandës (28.1% e popullsisë) dhe Maltës (24.5). Pas nesh renditet Turqia (23.1%).
Nga vendet e rajonit të dhënat janë vetëm për Serbinë, ku përqindja e grave që konsiderohet obeze është 11.8%.
Nivelin më të ulët të obezitetit në Europë te gratë e kanë rumunët (8.3%) dhe italianët (11.4%). Mesatarja e Bashkimit Europian është 14.1%.

Burrat më pak obezë në Shqipëri, ndryshe nga Europa
Sipas Eurostat, në të gjitha Shtetet Anëtare të BE, një pjesë më e lartë e burrave sesa gratë ishin mbipeshë në 2019, me diferencat më të mëdha të regjistruara në Luksemburg (59% e burrave kundrejt 38% e grave), Çeki (70% vs 51%) dhe Qipro ( 59% kundrejt 41%).
Në Shqipëri, obeziteti te burrat është më i ulët sesa te gratë. Sipas INSTAT 18.1% e meshkujve e kishin treguesin BMI mbi 30, duke u renditur në vendin e 13. Obeziteti më i lartë në Europë te meshkujt është në maltë (29.7%), Irlandë (24.5%), Hungari (23.7%).
Mesatarja e bashkimit Europian është 15.5%. Ashtu si te gratë, niveli më i ulët i obezitetit është në Rumani (9.9%) dhe Itali (11.6%).
Qytetet më “elegante” dhe më të “shëndosha”
Sipas INSTAT, qytetet shqiptare ku gratë kanë nivelin më të lartë të BMI janë Elbasani (20.5%), Berati (20.3%), ndërsa më i ulëti është në Kukës (12.2%) Për burrat, rekordin e mban Berati (20.8%), i ndjekur nga Fieri me 17.5% dhe Durrësi (17.2%). Burrat fillojnë e shëndoshen pas moshës 50 vjeç, ku niveli i obezitetit arrin 31.5% për grupmoshën 50-59 vjeç, nga 13.4% për 15-49 vjeç. Edhe për gratë obeziteti kërcen pas kësaj moshe, duke arritur në 45.6% për grupmoshën 50-59 vjeç, nga 16.4% për 15-49 vjeç.
Të dhënat e INSTAT tregojnë për një lidhje mes nivelit arsimor dhe obezitetit. Sa më i ulët është niveli arsimor, aq më e lartë tendenca për të qenë më i shëndoshë, si për burrat ashtu dhe për gratë.
Dieta e pakontrolluar dhe mungesa e aktivitetit fizik po i çon shqiptarët me shpejtësi drejt obezitetit. Kjo situatë bëhet shkak, ndër të tjera, ndaj ekspozimit kundrejt sëmundjeve vdekjeprurëse
