Nis procesi i zgjedhjes së Presidentit, mblidhet Konferenca e Kryetarëve! PS zyrtarizon: Votimi i parë të bëhet më 16 maj!

Amelda Amelda

Sot nis zyrtarisht procesi për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, ndërsa ende nuk ka asnjë emër kandidati zyrtar për kreun e ri të shtetit. Ka nisur mbledhja e Konferencës së Kryetarëve si vijim i mbledhjes për fillimin e procedurave dhe përcaktimin e datës së votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Partia  Socialiste i qëndron propozimit për datën 16 maj për votimin e parë për Presidentin e Republikës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha një ditë më parë se nuk do të shkojnë në Konferencën e Kryetarëve për negociata me mazhorancën. Ai u shpreh se të gjithë duhet të marrin pjesë në proces, duke theksuar se diskutime dhe negociata do të ketë vetëm me aleatët.

‘Nëse nuk është negociatë, nesër është konferenca e kryetarëve, ku kryetari i grupit parlamentar merr pjesë. Nesër ka thjesht konferencë kryetarësh. Nuk ka lidhje për negociatë. Negociata do ketë me aleatët. Nesër shkoj në konferencën e kryetareve së bashku me anëtarët, Gjakmarkaj, Duma, Mediu dhe Doda dhe zonja tabaku që për momentin nuk ndodhet këtu. Në mbledhjen e kaluar, secili nga deputetët ka artikuluar kërkesat e veta si e imagjinojnë ata figurën e presidentit.’- tha Alibeaj.

Nga ana tjetër kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha në mbledhjen e kaluar të Konferencës së Kryetarëve se data e raundit të parë të votimit duhet të jetë 16 maji, kur edhe do të përcaktohen të gjitha afatet e tjera si dorëzimi i kandidaturave, dokumentacioni etj.

‘I qëndroj propozimit të bërë për të bërë votimin e parë në datën 16 maj në orën 17:00. Kjo datë është një datë e përshtatshme dhe brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuta’, tha Balla.

Nga të gjithë emrat e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për Presidentin e ri, vetëm 67 prej tyre janë seleksionuar nga grupi negociator për t’u diskutuar më tej mes vetë maxhorancës, grupeve të tjera parlamentare dhe shoqërisë civile. Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të dalin në raundet e para me më shumë se 1 kandidaturë.

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës.

a.m/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *