Ndryshimet mbi praktikën profesionale, kushtet për mësuesit e rinj

J L

Ndryshon rregullorja e ndjekjes së praktikës së detyrueshme për të gjithë mësuesit e rinj që përfundojnë studimet universitare për mësuesi. Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se të gjithë kandidatët që do të garojnë për lejen e ushtrimit të profesionit si mësues, më parë duhet të kenë ndjekur praktikën një vjeçare pranë shkollave të arsimit 9-vjeçar, apo edhe gjimnaze. Ndërkohë që në përfundim të saj duhet të vlerësohen pozitivisht nga komisioni i ekspertëve. Në të kundërt nuk do të mund të aplikojnë për provimin final të shtetit për sigurimin e lejes së ushtrimit të profesionit të mësuesit. Me shpalljen e rregullores së re në Fletoren Zyrtare të Qeverisë tashmë janë përcaktuar edhe kriteret se si do të organizohen dhe zhvillohen praktikat profesionale për ët gjithë kandidatët që duan të ushtrojnë profesionin e mësuesit. Aplikimet për ndjekjen e praktikës do të zhvillohen online nëpërmjet portalit qeveritar “e-albania”.

Praktikat profesionale organizohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP). Shpërndarja e numrit të praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale, me kontratë të përkohshme, për të gjitha institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, për secilin vit shkollor, bëhet me urdhër të ministrit të Arsimit, bazuar në kërkesat e zyrave vendore të arsimit parauniversitar.

Kategoritë që duhet të ndjekin praktikën e detyrueshme

Në rregulloren e ndryshuar përcaktohet se kanë të drejtë për të zhvilluar praktikën profesionale të gjithë kandidatët që kanë fituar një diplomë të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë në fushën e mësuesisë, ose diplomë të njëvlershme me to, sipas përcaktimeve në ligjin për arsimin e lartë në vend dhe ligjit për profesionet e rregulluara. Po ashtu në ndjekjen e praktikës do të pranohen edhe të gjithë kandidatët që kanë  fituar diplomë të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë në fushën e mësuesisë ose diplomë të njëvlershme me to, para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe që nuk kanë ushtruar profesionin e mësuesit, sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor të kohës. Një tjetër kusht  është edhe profili ku kandidati do të regjistrohet për të zhvilluar praktikën profesionale, i cili duhet të  lidhet me programin e studimit të ciklit të parë dhe/ose ciklit të dytë që ka përfunduar kandidati.

Kategoritë që nuk e kanë detyrim ndjekjen e praktikës

Autoritetet e arsimit kanë përcaktuar edhe një sërë kategorish të cilat nuk do e kenë të nevojshme ndjekjen e praktikës profesionale për ushtrimin e këtij profesioni. Rregullorja e re përcakton se nuk e kanë të detyrueshme ndjekjen e praktikës profesionale të gjithë personat që  para hyrjes në fuqi të ligjit “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, kanë fituar diplomën e institucioneve të arsimit të lartë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të, si dhe e kanë ushtruar profesionin e mësuesit, sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor të kohës. Nga ky detyrim përjashtohen edhe të gjithë mësuesit që e kanë kryer praktikën profesionale dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të rregulluar të mësuesit jashtë Republikës së Shqipërisë, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Nga detyrimi për ndjekjen e praktikës përjashtohet edhe çdo person tjetër që ka kryer të paktën një vit mësimor punë si mësues në një institucion arsimor dhe ka fituar diplomën.

Kriter mentori

Çdo praktikant do të mbikëqyret nga një mentor, mësues me përvojë në lëndën përkatëse për të cilën praktikanti është diplomuar. Mentori që do të ndjekë udhëheqjen e praktikave duhet të plotësojë këto kritere: Të ketë kategorinë më të lartë të kualifikimit në lëndën përkatëse dhe të jetë vlerësuar me të paktën “C” (mirë), të ketë rezultate të larta e të qëndrueshme të nxënësve të tij, në provimet e Maturës Shtetërore ose provimet kombëtare të arsimit bazë, nëse lënda përfshihet në provim, të jetë pjesëmarrës i rregullt në programe dhe module të zhvillimit profesional. Një tjetër kusht i rëndësishëm është edhe fakti që mentori duhet të njohë legjislacionin që ka të bëjë drejtpërdrejt me veprimtarinë e mësuesit.

Mentori ndihmon praktikantin të kryejë me sukses praktikën profesionale nëpërmjet: zhvillimit të aftësive dhe të shprehive të praktikantit përmes vëzhgimeve, këshillimeve, rekomandimeve, komenteve dhe veprimtarive të ndryshme, krijimit të mundësive për praktikantin, në zbatimin e metodave bashkëkohore dhe interaktive në mësimdhënie, përdorimit të mjeteve të ndryshme zhvillimore për praktikantin, si: detyra, pjesëmarrje në grupe pune, trajnime afatshkurtra, këshillime karriere personale etj, mbikëqyrjes së vazhdueshme të performancës së praktikantit, sipas instrumenteve të përcaktuara në rregullore, sigurimit për praktikantin të informacionit të nevojshëm për sistemin arsimor shqiptar, duke i rekomanduar atij literaturë bashkëkohore, si dhe motivimit të praktikantit për të synuar nivele të larta të performancës.

Mentor për klasat nga 1–5 është mësuesi i klasës. Ndërsa mentori i klasave 6–12 vëzhgon praktikantin gjatë procesit të mësimdhënies, i cili planifikohet në klasa të ndryshme. Në rregullore saktësohet se mentori mban përgjegjësi për ecurinë e praktikës profesionale të praktikantit dhe për vlerësimin e tij në përfundim të saj, njohjen e praktikantit me rregulloren dhe me formatin e vlerësimit, hartimin e planit mujor të orëve të vëzhgimit nga praktikanti dhe orët e planifikuara si mësues ndihmës (klasat dhe datat). Mentori gjithashtu duhet që të zhvillojë seanca bashkëbisedimi dhe këshillimi me praktikantin, të hartojë planin ditor të mentorit ku përshkruan veprimtarinë e tij si mentor në orët e vëzhgimit dhe të shënojë konstatimet dhe këshillat kryesore për seancat këshilluese me praktikantin, të plotësojë vlerësimin e praktikantit për çdo orë vëzhgimi , të ndihmojë praktikantin për përgatitjen e portofolit që duhet të dorëzojë në përfundim të praktikës, të përgatisë raportin e vlerësimit, në përfundim të veprimtarisë së praktikantit.

Norma javore e mentorit për një praktikant ulet me 2 orë mësimi. Norma për mentorimin është sa 1/4 e normës javore të mentorit dhe ndahet në 2/3 për orët e vëzhgimit dhe 1/3 për orët këshilluese. 2. Një mentor mund të mentorojë 1 ose 2 praktikantë.

Si do aplikohet për ndjekjen e praktikës

Sikundër ndodh me shumë shërbime të tjera të rëndësishme, edhe aplikimi për zhvillimin e praktikës profesionale për ushtrimin e profesionit të mësuesisë do të bëhet nëpërmjet platformës së aplikimit online në portalin qeveritar. Çdo kandidat i interesuar për të zhvilluar praktikën profesionale përzgjedh shkollën nga lista e publikuar në faqen e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar.

Kandidati i interesuar për të zhvilluar praktikën profesionale ngarkon në platformën e aplikimit online dokumentet si në vijim: “Formulari i aplikimit”, jetëshkrimi i praktikantit, dokumenti i identitetit (ID), diplomat në fushën e mësuesisë ose diploma të njëvlershme me to, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, dhe listën e notave për secilën diplomë, raportin mjekoligjor, vetëdeklarimin e gjendjes gjyqësore, vërtetim nga prokuroria dhe gjykata se nuk është në procedim penal.

Duhet të bëni kujdes pasi dokumentet e përcaktuara për t’u ngarkuar online janë të detyrueshme dhe duhet jenë të skanuara nga origjinali. Mësuesi i ri që është i interesuar për të zhvilluar praktikën profesionale, dosja e të cilit nuk përmban dokumentet e detyrueshme për t’u ngarkuar në platformën online, do të përjashtohet nga pjesëmarrja për zhvillimin e praktikës profesionale. Nëse kandidati i interesuar për të zhvilluar praktikën profesionale ngarkon në platformën e aplikimit online dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, përjashtohet nga pjesëmarrja për zhvillimin e praktikës profesionale. Rasti referohet në organet kompetente.

Përzgjedhja e aplikuesve

Autoritetet e arsimit kanë përcaktuar edhe prioritet mbi të cilat do të bëhet pranimi i të gjithë kandidatëve për ndjekjen e praktikës. Sipas tyre, aplikuesit do të përzgjidhen sipas disa përparësive: ku të parët janë kandidatët, për të cilët në vitin paraardhës shkollor nuk ka qenë i disponueshëm ndonjë institucion arsimor parauniversitar publik ose privat, aplikuesi që banon në qytetin/fshatin ku gjendet shkolla për të cilin ka aplikuar. Do të jetë zyra vendore e arsimit parauniversitar që do të njoftojë aplikuesit që do të zhvillojnë praktikën profesionale sipas shkollave përkatëse. Nëse në zyra për të cilën është aplikuar, nuk disponohet ndonjë vend i lire në sistemin arsimor publik ose privat për zhvillimin e praktikës profesionale, kandidati do të orientohet për shkollat e tjera që janë nën juridiksionin e saj.

Norma e orëve mësimore që zhvillon praktikanti

Praktikanti kryen praktikën profesionale për një vit të plotë shkollor. Lidhur me ngarkesën mësimore në rregullore përcaktohet se praktikanti e ka normën e praktikës profesionale sa norma e mësuesit të profilit përkatës. Praktikanti jep mësim 1/4 e normës javore të mësuesit përkatës. Pjesa tjetër e normës ndahet: 1/2 e orëve si mësues ndihmës dhe 1/2 e orëve për vëzhgime të procesit mësimdhënës. Autoritetet e arsimit sqarojnë më tej në rregullore se praktikanti ka detyrime profesionale të njëjta me ato të mësuesve të institucionit arsimor, përfshirë pjesëmarrjen në mbledhjet e ekipit lëndor e të këshillit të mësuesve, si dhe detyrën e mësuesit kujdestar.

Portofoli i praktikantit

Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikanti plotëson portofolin e tij me përvojat më të mira. Portofoli përmban: planin lëndor vjetor, planin e periudhave për lëndën përkatëse, plane ditore të orëve mësimore (2–3 modele), teste të kapitujve ose të periudhave (2–3 modele), detyrat e portofolit të nxënësit për një periudhë, përfshirë projektin kurrikuar (1–2 modele),  2–3 shembuj të përdorimit nga praktikanti të burimeve të mësimdhënies, përveç tekstit të nxënësit, veçanërisht të përdorimit të TIK-ut në procesin e mësimdhënies dhe të nxënët, 3–4 shembuj të metodave që ka përdorur praktikanti (për të formuar te nxënësit aftësitë e komunikimit me gojë dhe me shkrim, të menduarit kritik, të menduarit krijues, të punuarit në grup, të gjithëpërfshirjes,  të menaxhimit nga nxënësit të informacionit mësimor nga burime të ndryshme, të përdorimit të TIK-ut në mësimdhënie,  të punës me nxënësit me vështirësi në të nxënë, të punës me nxënësit me prirje të veçanta), si dhe raportin e praktikantit me reflektime mbi përvojat e tij gjatë praktikës profesionale, me sukseset më të spikatura dhe vështirësitë kryesoren sipas modelit të përcaktuar.

Si do bëhet vlerësimi i mësuesve praktikantë:

  • Praktikanti që ka munguar me shumë se 30 për qind të orëve mësimore vjetore duhet që të përsërisë të plotë praktikën profesionale në vitin pasues.
  • Ndërsa kandidatëve që kanë munguar 20–30 për qind të orëve mësimore vjetore, do t’u shtyhet praktika me 3 muaj.
  • Praktikanti që ka munguar më pak se 20 për qind të orëve mësimore vjetore, i nënshtrohet vlerësimit. Mentori vlerëson praktikantin në mbarim të praktikës, duke u mbështetur te vëzhgimet e tij, në intervistat që realizon me praktikantin dhe në portofolin e praktikantit.
  • Mentori vlerëson praktikantin për secilën kompetencë, të përshkruar në një format standard. Vlerësimi për secilën kompetencë bëhet në katër nivele: niveli “Shumë mirë”, kur praktikanti ka një nivel shumë të mirë në realizimin e kompetencës, niveli “Mirë”, kur praktikanti ka një nivel të mirë në realizimin e kompetencës, niveli “Mjaftueshëm”, kur praktikanti ka vështirësi në realizimin e kompetencës, si dhe niveli “Dobët”, kur praktikanti nuk e zotëron kompetencën.
  • Do të jetë një komision ekspertësh që do të shqyrtojë dosjen e praktikës së çdo kandidati. Komisioni shqyrton dosjen e praktikantit që përmban dokumentin “Vlerësimi i praktikantit” nga mentori dhe portofolin e praktikantit, si dhe interviston praktikantin.
  • Komisioni vlerëson “Dobët” praktikantin, kur në të paktën një kompetencë ka vlerësimin “Dobët”. Në këtë rast, komisioni shtyn afatin e zhvillimit të praktikës profesionale në tre muaj. Shtyrja prej tre muajsh mund të përsëritet deri në tri herë. Praktikanti mund të zhvillojë praktikën profesionale në të njëjtin institucion arsimor.
  • Komisioni vlerëson “Dobët” praktikantin, kur në vlerësimin tërësor ka vlerësimin “Dobët”. Në këtë rast, komisioni shtyn afatin e zhvillimit të praktikës profesionale në një vit shkollor. Komisioni vendos për certifikimin e praktikantit në bazë të shqyrtimit të dosjes dhe intervistës së tij. Komisioni i merr vendimet me shumicën e votave.
  • Në përfundim të procesit, kur kandidati vlerësohet pozitivisht ai pajiset me certifikatën e praktikës profesionale që përgatitet nga zyra vendore e arsimit parauniversitar.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *