Insufiçienca kardiakeështë shndërruar në një ndër patologjitë më shqetësuese gjatë viteve të fundit edhe në vendin tonë. Sëmundja zhvillohet kur muskuli i zemrës nuk pompon gjak aq mirë sa duhet. E nëse kjo ndodh, gjaku shpesh rikthehet dhe lëngjet mund të grumbullohen në mushkëri, duke shkaktuar gulçim. Disa sëmundje të zemrës, të tilla, si: arteriet e ngushtuara në zemër (sëmundja e arterieve koronare) ose presioni i lartë i gjakut, gradualisht e lënë zemrën shumë të dobët ose të ngurtësuar për të mbushur dhe pompuar gjakun siç duhet.
Autoritetet e shëndetit publik sqarojnë se fatkeqësisht kjo patologji mbart një peshë të konsiderueshme jo vetëm për individin, por edhe për sistemin shëndetësor dhe shoqërine në tërësi. Raportimet tregojnë se në vitet e fundit vërehet një shtim i të prekurve nga kjo patologji, ku sipas të dhënave të bëra publike një në pesë veta,zhvillon insufiçienë kardiake pas moshës 40 vjeçare. Ndërkohë që risku shtohet edhe më tepër me rritjen e moshës. Sipas bluzave të bardha, kjo patologji mbetet shkaku i parë i shtrimeve në spital për moshën mbi 65 vjeç. Diagnostikimi i vonë i saj, bën që shumë pacientë të përballen me sëmundjen në stadet më të rënduara, kohë në të cilën edhe trajtimet mund të mos jenë efikase siç duhet.
Pavarësisht përmirësimeve të bëra vitet e fundit nëpërmjet optimizimit të trajtimit me teknikat invazive dhe medikamentoze, vlerësohet se ka ende një sërë nevojash mjekësore të paplotësuara për pacientët me insufiçienë kardiake, si: Vdekshmëria shumë e lartë dhe shtrimet në spital, pa përfshirë cilësinë e jetesës, të cilat duhen adresuar nëpërmjet ndërhyrjeve të koordinuara për implementimin e strategjive dhe politikave adekuate, për përmirësimin e rezultateve të menaxhimit të kësaj patologjie,ku një rol të rëndësishëm luan ndërgjegjësimi i personelit mjekësor dhe në veçanti popullatës.
Simptomat dalluese
Sa më herët të diagnostikohet sëmundja, aq më i lehtë do të jetë edhe trajtimi i saj. Në Javën e Ndërgjegjësimit për Insufiçiencën Kardiake, autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë për kryerjen e kontrolleve rutinë nëse konstatoni shenja të kësaj sëmundjeje.
Sipas tyre, janë një sërë shenjash që mund të paralajmërojnë zhvillimin e kësaj patologjie. Shenjat dhe simptomat e insufiçiencës kardiake mund të përfshijnë: frymëmarrje me aktivitet ose kur jeni shtrirë,lodhje dhe dobësi, enjtje në këmbë dhe kyçe, rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës, aftësi e zvogëluar për aktivitet fizik. Po ashtu, të tjera shenja paralajmëruese janë edhe prania e simptomave të tilla, si: Kollë e vazhdueshme ose gulçim me mukozë të bardhë ose rozë me ngjyrë gjaku,enjtje e zonës së barkut, shtim shumë i shpejtë në peshë nga grumbullimi i lëngjeve,nauze dhe mungesë oreksi, vështirësi në përqendrim ose ulje e vigjilencës,dhimbje gjoksi nëse dështimi i zemrës shkaktohet nga një atak në zemër.
Nëse përjetoni shenja ose simptoma të insufiçincës kardiake si këto të përmendura më lart duhet që të kërkoni menjëherëndihmë mjekësore të specializuar. Megjithëse këto shenja dhe simptoma mund të jenë për shkak të dështimit të zemrës, ka shumë shkaqe të tjera të mundshme, duke përfshirë sëmundje të tjera kërcënuese për jetën e zemrës dhe mushkërive. Ekspertët e shëndetit publik thonë se gabimi më i madh që bëjnë pacientët është neglizhimi i simptomave dhe vetëpërpjekja që bëjnë për të trajtuar vetë këtë sëmundje. “Mos u mundoni të diagnostikoni veten. Mjekët do të përpiqen të stabilizojnë gjendjen tuaj dhe të përcaktojnë nëse simptomat tuaja janë për shkak të dështimit të zemrës apo diçka tjetër. Nëse keni një diagnozë të insufiçiencës kardiake dhe nëse ndonjë nga simptomat përkeqësohet papritur ose ju zhvilloni një shenjë ose simptomë të re, mund të nënkuptojë se insufiçienca kardiake po përkeqësohet ose nuk i përgjigjet trajtimit. Kontaktoni mjekun tuaj menjëherë”, këshillojnë autoritetet e shëndetit publik në lidhje me kujdesin që duhet të tregohet në trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Çfarë duhet të dini në lidhje me trajtimin
Trajtimi i duhur mund të përmirësojë shenjat dhe simptomat e insufiçiencës kardiake dhe mund të ndihmojë disa njerëz të jetojnë më gjatë. Ndryshimet e stilit të jetesës, të tilla: si humbja e peshës, stërvitja, ulja e kripës (natriumit) në dietën tuaj dhe menaxhimi i stresit, mund të përmirësojnë cilësinë e jetës tuaj. Megjithatë, insufiçienca kardiake mund të jetë kërcënuese për jetën. Njerëzit me insufiçiencë kardiake mund të kenë simptoma të rënda dhe disa mund të kenë nevojë për një transplant zemre ose një pajisje ndihmëse ventrikulare.
“Një mënyrë për të parandaluar insufiçiencën kardiake është parandalimi dhe kontrolli i kushteve që mund ta shkaktojnë atë, të tilla si sëmundja e arterieve koronare, presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe obeziteti. Insufiçienca kardiake mund të jetë e vazhdueshme (kronike), ose mund të fillojë papritur (akute)”, këshillojnë ekspertët e shëndetit publik.
Kërkoni ndihmë nëse vëreni shenja të tilla si:
– Frymëmarrje me aktivitet ose kur jeni shtrirë
– Lodhje dhe dobësi
– Enjtje në këmbë, kyçe
– Rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës
– Aftësia e zvogëluar për aktivitet fizik
– Kollë e vazhdueshme ose gulçim me mukozë të bardhë ose rozë me ngjyrë gjaku
– Enjtje e zonës së barkut
– Shtim shumë i shpejtë në peshë nga grumbullimi i lëngjeve
– Nauze dhe mungesë oreksi
– Vështirësi në përqendrim ose ulje e vigjilencës
– Dhimbje gjoksi nëse dështimi i zemrës shkaktohet nga një atak në zemër
Disa këshilla për një zemër të shëndetshme:

Kujdesi për zemrën tuaj fillon duke kuptuar apo njohur në fillim rrezikun tuaj, ndaj sigurohuni që të njihni (gjendjen tuaj shëndetësore )të gjithë parametrat tuaj shëndetësorë. Vizitoni mjekun tuaj dhe kërkojini disa kontrolle të thjeshta. Ndërkohë që duke treguar kujdes me stilin e përditshëm të jetesës, sa i takon ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik, lënies së duahnit, mbajtjes së një peshe të shëndetshme, si dhe monitorimit të presionit të gjakut, ju do të reduktoni në masë edhe riskun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.
Kujdesi për ushqimin
Ushqyerja dhe marrja e lëngjeve në mënyrë të shëndetshme i jep zemrës tuaj energjinë e nevojshme për të jetuar. Mos u ushqeni me shumë ushqime të përpunuara dhe të parapërgatitura pasi ato kanë shumë sheqer dhe yndyrna. Pakësoni pijet me sheqer dhe lëngjet e frutave, dhe në vend të tyre merrni ujë apo lëngje pa sheqer. Përpiquni të hani 5 porcione në ditë me fruta dhe zarzavate, ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata. Merrni brenda udhëzimeve të rekomanduara sasinë e alkoolit që përdorni. Përgatisni vetë në shtëpi ushqimin për në shkollë apo në punë.
Aktiviteti fizik
Kur qëndroni aktiv, ju mund të reduktoni rrezikun për sëmundje të zemrës dhe të ndiheni mirë. Përpiquni të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet të moderuar deri në intensiv 5 herë në javë. Të gjitha lëvizjet si loja, ecja, punët e shtëpisë dhe kërcimi kanë rëndësi. Ju duhet të jeni më aktiv gjatë ditës si për shembull duke marrë shkallët në vend të ashensorit, të ecni apo të përdorni biçikletën në vend të makinës. Ushtrimet bëjini me shokët dhe familjen, pasi kjo është më argëtuese dhe ju do të ndiheni më të motivuar. Para se të vendosni për të filluar ushtrimet, ju duhet të konsultoheni me personelin shëndetësor apo mjekun tuaj të familjes.
Njihni presionin tuaj të gjakut
Presioni i lartë i gjakut është faktori kryesor i rrezikut për sëmundjet e zemrës. Ai është quajtur ndryshe “vrasës i heshtur” pasi zakonisht nuk ka shenja paralajmëruese apo simptoma, dhe shumë njerëz nuk e dinë që e kanë presionin e gjakut të lartë.
Kujdes me duhanin
Lënia e duhanit është një ndër gjërat kryesore që ju mund të bëni për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj. Të dhënat tregojnë se brenda dy vjetëve pasi keni lënë duhanin, rreziku për sëmundje koronare të zemrës reduktohet ndjeshëm. Pas 15 vjetëve rreziku juaj për të patur sëkundje kronike të zemrës është i njëjtë me atë të një personi joduhanpirës. Ekspozimi ndaj tymit të duhanit është një shkak për sëmundjet e zemrës te joduhanipirësit. Lënia e duhanit do t’ju përmirësojë jo vetëm shëndetin tuaj por edhe atë të njerëzve që ju rrethojnë. Nëse ju keni probleme në lënien e duhanit, kërkoni një këshillë profesionale sesi ta lini atë.
Njihni kolesterolin tuaj dhe IMT-në (BMI)
Niveli i lartë i kolesterolit në gjak është shkak i miliona vdekjeve çdo vit në botë. Prandaj ju duhet të kontaktoni mjekun tuaj të familjes në mënyrë që të masni nivelin tuaj të kolestrolit në gjak, peshën tuaj dhe Indeksin e Masës Trupore (IMT). Në këtë mënyrë mjeku juaj mund t’ju këshillojë për rrezikun që keni për SKV në mënyrë që ju të merrni masa apo veprime për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj.

Pse kane dhe do ndodhin me teprice nga vaksinat?
Po beni njerzit gati dmth. te pranojne realitetin pa ditur shkakun.
Vaksinat dhe helmet tuaja po shkaktojne vdekje.
ASNJE VAKSINE!
LLOGJIKA THERRET!
ASNJE VAKSINE!