Ashtu siç edhe opozita e kishte kërkuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve negociatat për emrin e ri të Presidentit do të zhvillohen në prani të kamerave. Dakordësia që bisedimet të vijojnë sot në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit u arrit në takimin e një dite më parë mes Enkelejd Alibeaj dhe grupit negociator socialist Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali.
Si një formë sfide, kryetari i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ftoi Alibeajn dhe opozitën që të propozojë një emër për Presidentin nëse i ka 20 firma, ndërkohë që tha se mazhoranca pret gatishmëri nga opozita për të vijuar me procesin për Presidentin.
“Unë kam shprehur gatishmërinë për të diskutuar mbi dokumentin e Alibeajt por natyrshëm që të drejtën e propozimit ta kenë të gjitha palët”, tha Balla.
Ndërkohë që nga ana e tij Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Alibeaj tha se për çështjen e presidentit, transparenca është ilaçi kundër pazareve, teksa i ftoi gazetarët që sot të jenë të pranishëm për të mësuar qëndrimin e opozitës për këtë çështje.
“Unë kam durimin që t’i diskutojmë të gjithë hap pas hapi, e kuptoj shpejtësinë që do Balla, por besoj që kushtetuta thotë 1 gjë, që 3 raundet e para duhet shumica e cilësuar. Ne kemi pacaktuar rregullat, pastaj emrat”, tha Alibeaj.
Një reagim ka patur edhe Luçiano Boçi, i mandatuar nga Komisioni i Rithemelimit për të negociuar me opozitën për presidentin e ri, ku thotë se bisedimet mes Alibeajt dhe PS janë false.
Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, ku nuk munguar akuzat dhe kundër akuzat mes palëve. Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk kishte asnjë kandidat për t’u votuar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë ky quhet si një raund votimi i ezauruar për t’ia lënë vendin katër raundeve të tjera.
a.m/dita
