Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një lokal në fshatin Grudë e Re.
Autorët kanë shpërthyer lokalin i cili është në pronësi të policit, Ndrek Rrasa.
E jo vetëm kaq. Autorët, ende të paidentifikuar kanë djegur edhe furgonin i cili ishte i parkuar pranë biznesit në pronësi të Rrasës.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 02:20 minuta, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht, asnjë person nuk ka mbetur i lënduar nga shpërthimi.
Nuk dihet nëse kjo ngjarje lidhet me profesionin e Rasës apo ai ka pasur probleme në të shkuarën me autorët për çështje të tjera.
Vetë polici ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe nuk e ka idenë se kush mund ta ketë vënë tritolin apo djegur autobusin.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Informacion Paraprak
Rreth orës 02:20, në fshatin Grudë e re, Shkodër, ka shpërthyer lëndë plasëse në derën e lokalit të shtetasit N. Rr. 46 vjeç , banues në fshatin Grudë e re, me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Shkodër.
Për pasojë ka vetëm dëme materiale në lokal si dhe është dëmtuar edhe mjeti i tij autobus, i parkuar para lokalit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarje.

j.l./ dita
