“Nymph()maniac” në Berlin

anazapta

Të enjten, më  6 shkurt, u çel edicioni i 64 i festivalit të filmit në Berlin, një ndër më të rëndësishmit në botë dhe që do të përfundojë më 16 shkurt.

Këtë vit, filmat e prezantuar në “Berlinale” janë më shumë se 400, të ndarë në pesë kategori. Juria drejtohet nga producenti dhe skenaristi amerikan James Schamus, i cili do të vendosë për filmin fitues bashkë me regjisorin Michel Gondry, aktoren amerikane Greta Gerwig  dhe aktorin fitues të çmimit “Oscar”, Christoph Waltz.

“The Grand Budapest Hotel”, filmi i ri i Wes Anderson; “The Monuments Men”, prodhimi i pestë kinematografik i George Clooney-t si regjisor; “American Hustle” me protagonistë Christian Bale e Bradley Cooper dhe “Yann Demange” mbi konfliktin irlandez midis  katolikëve dhe protestantëve në Belfast, ishin disa nga filmat e shfaqur në gjashtë ditët e para të festivalit.

Eventi që argëtoi më shumë publikun ishte padyshim prezantimi i  “Nymphomaniac Volume I”, filmi skandaloz i Lars von Trier. Regjisori u paraqit në Berlin bashkë me aktorët Uma Thurman, Christian Slater, Stellan Skarsgard e Stacy Martin, ndërsa veshur mbante një bluzë me simbolin e festivalit të Kanës dhe shkrimin “persona non grata”, duke risjellë në kujtesë vitin 2011, kur festivali francez e përjashtoi dhe e shpalli si person të padëshiruar për shkak të disa frazave anti-semite.

Duartrokitje dhe qeshje të përmbajtura pati gjatë projektimit të pjesës së parë të “Nimph()maniac”. Filmi i shumë debatuar për përmbajtjen e fortë erotike  u prezantua në versionin e pacensuruar, por jashtë konkursit të festivalit.

Ndonëse do të dalë me shumë pjesë “të prera” në vende të ndryshme të botës, në versionin e tij të plotë  nuk druhet të tregojë gjenitalet femërore  dhe mashkullore, shpeshherë në veprim. Në thelb është një ballafaqim i gjatë midis nifmonanes Joe (e interpretuar në moshë të pjekur nga Charlotte Gainsbourg dhe në adoleshencë nga Stacy Martin) dhe burrit që i ofroi siguri, Stellan Skarsgård. Ai e gjeti në gjendje të mjerë në rrugë dhe e strehoi në shtëpinë e tij. Pikërisht aty Joe nis të rrëfejë rrugëtimin e saj të gjatë drejt seksit.

Lars von Trier nuk deshi të merrte pjesë në konferencën për shtyp që vijoi me gazetarët. Shembullin e tij e ndoqi edhe një nga aktorët,Shia LaBeouf, i cili kur e pyetën se çfarë i kishte pëlqyer më shumë gjatë interpretimit në film, u largua i irrituar duke thënë: “ Kur pulëbardhat dalin për gjah, sardelet ikin”./Dorina Gjuzi

Share This Article
1 Comment
  • Ai eshte film danez i mrekullueshem : Artistik, filozofik,psikologjik,social etj te nderthurura ne jeten e njeriut . Skenat pornografike nuk e bejne film pornografik . Filmat pornografik te cojne drejt masturbimit , ndersa ‘Nimfomanic’ te con drejt medimit…

    Pata rastin t’a shoh ne Athine. Muajin tjeter do shoh dhe serine e dyte.

    (ps Ne You Tube jane prere skenat per te mbroltur femijet )

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *