Shpëtim Gjika: Për Mitron kam folur më parë, në gjyq do jem

redaktor

Kryebashkiaku i Vlorës i shmanget komenteve për njohjet e tij me të arrestuarin Marion Mitro, ish-inspektor i INUV në bashki, që akuzohet për vendosjen e bombës në makinën e prefektit Besnik Dervishi më 13 dhjetor 2013, dhe që u gjet teksa hynte në Kryeministri. “Kam dhënë një deklaratë për shtyp më parë për këtë çështje dhe i qëndroj, nuk kam asnjë koment për të bërë”, tha ai. Por Shpëtim Gjika pranoi të flasë për çështjen gjyqësore në ngarkim të tij, duke u shprehur se; “Unë do të jem i pranishëm në çdo seancë gjyqësore”. Ndërkohë që edhe seanca e djeshme në Gjykatën e Tiranës, pas transferimit të dosjes nga Gjykata e Vlorës, u shty prej gjyqtarit Arben Micko, për shkak se 4 prej të pandehurve të çështjes, që nuk ishin njoftuar në kohë nga policia. Seanca e radhës do jetë më 24 shkurt dhe procesi do nisë nga fillimi, duke mos njohur seancat e zhvilluara në Vlorë.

Seanca shtyhet

Seanca nuk zgjati më shumë se 30 minuta. Gjyqtari Micko vendosi gjithashtu që gjyqi të zhvillohet çdo ditë të hëne, në orën 10:00 të paradites. Gjika ishte vetë i pranishëm dhe shoqërohej nga avokati i tij Ardian Leka. Kryebashkiaku akuzohet për 2 leje ndërtimi për pallate të lëshuara, që dyshohet se janë të falsifikuara. I pranishëm edhe i pandehuri tjetër, ndërtuesi Gentjan Sherifaj, por mungonin 6 të pandehurit e tjerë. Dy nga të pandehurit, Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit dhe Gëzim Feta, kishin lëshuar prokurë për t’u përfaqësuar nga avokatët. Ndërkohë që katër të bashkëpandehurit e tjerë mungonin. I ndodhur në këtë situatë, gjyqtari Arben Micko numëroi fletë-thirrjet e dërguara ndaj të akuzuarve për marrjen dijeni. Prokuroria mori përsipër t’i njoftojë vetë dëshmitarët dhe të pandehurit për paraqitjen në gjykatë të hënën e ardhshme.

Reagon Gjika

Gazetarët e pyetën kryebashkiakun teksa dilte nga gjykata rreth çështjes më të fundit për arrestimin e një ish-inspektori të bashkisë që drejton. Por ai u shpreh prerë se nuk kishte lidhje me Marion Mitron, duke iu referuar një deklarate që ka dhënë dy javë më parë. “Për këtë kam dhënë një deklaratë për shtyp, besoj e keni dëgjuar. Vetëm kaq, asnjë koment tjetër. Unë i qëndroj deklaratës sime dhe asnjë koment tjetër”, tha ai. Ai pati dhe një koment për çështjen. “Këto janë vendime të gjykatës, unë do të mundohem t’i respektoj dhe duke qenë se jam mësuar për të bërë shumë punë njëherësh, besoj do t’ia dal dhe këtë herë”, u shpreh Gjika. Ndaj Shpëtim Gjikës prokuroria ka pasur 68 ankesa qytetarësh. Çështja për dy lejet e pallateve nisi në fillim të vitit të kaluar dhe në vjeshtë dosja shkoi në gjykatë. Por në seancën e parë u vu re një tension për shkak të mbështetësve të kryebashkiakut në sallë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *