Mbijetesë? Besa ecën me ritme për Evropën

anazapta

Besa është skuadra më e re që është futur në grupin e pretenduesve për të luajtur në Europa League, pas fitores 2-0 kundër Kukësit. Skuadra e Artan Mergjyshit vazhdon ngjitjen pa ndalim dhe tani, jo vetëm që ka dalë jashtë zonës së ftohtë, por ka vetëm dy pikë më pak se Partizani i vendit të dytë, e barabartë me Teutën dhe Laçin, ndonëse durrsakët luajnë sot. Pas debutimit me fitore në Ballsh për Kupën, Sulejman Starova detyrohet të pranojë humbjen në ndeshjen e parë në kampionat. Argjend Mustafa dhe Bledar Mancaku ishin autorë të golave për Besën, duke bërë që të mos ndihej mungesa e Fatjon Sefës, i pezulluar për shkak kartonësh. Goli i mbrojtësit nga Presheva u shënua me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, e cila bëri të pavlefshme hedhjen e Halilajt. Besa vazhdoi të luante fort edhe pas avantazhit, duke mos e lejuar Kukësin të dilte në lojën e tij. Në pjesën e dytë, miqtë patën një pretendim për penallti, ndërkohë që një minutë më pas erdhi edhe goli i dytë, këtë herë nga Mancaku, i ardhur në janar nga Teuta. Mesfushori sulmues gjuajti fort sapo hyri brenda zonës, duke siguruar fitoren për verdhezinjtë. Besa kapërcen Kukësin në renditje dhe është ndër skuadrat më në formë, ndryshe nga kundërshtari, që u shfaq zhgënjyes në lojë.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *