Quhet Elio Qoshi, 19 vjeç. E takojmë në një aktivitet të realizuar në një qoshe të kryeqytetit, pranë “Tirana Ekspress” fundjavën e kaluar. Zhdërvjelltësia dhe njohuria që ai ka mbi teknologjinë na bëri ta “hiqnim” mënjan, për të kuptuar më shumë për këtë djalosh që duket se ka ndërtuar një urë të re lidhëse mes Shqipërisë dhe një ndër shfletuesit më të njohur të internet, Mozillën. Ndërsa bisedojmë me të, mendojmë që ai mund të jetë një gjeni i së ardhmes, pse jo, një Stiv Xhobs shqiptar. Tregon me një siguri të qartë për çdo gjë që e pyet, duke u shoqëruar nga një modesti që nuk i karakterizon fortë 19-vjeçarët e sotëm. Por, në aktivitetin “Mozilla Weekend”, ai arriti të sjell edhe përfaqësues të Mozillës nga Norvegjia,Greqia dhe Kosova. Por, edhe Elio ka ndjekur një rrugë për të ardhur deri këtu ku është sot…. madje do të ketë shumë udhëtim për të bërë për të arritur atje ku ai do.
Nëse gërmon në Tiranë nuk gjen vetëm të rinj që e harxhojnë kohën kafeneve, por ka edhe nga ata që janë vazhdimisht të angazhuar, të gjithëditur dhe për më tepër me punë e aktivitet deri në fyt. Rinia e kryeqytetit nuk është vetëm ajo e bllokut…Ka edhe shembuj të tillë, si personazhi ynë i sotëm, të cilit rruga i ka nisur 45 kilometra larg nga ku jemi duke bërë bisedën sot…
Nga Librazhdi në qytetin e mëndafshit në Gjermani
“Kam lindur në qytetin e qetë të Librazhdit dhe deri në moshën 3-vjeçare kam kaluar shumicën e kohës aty, por herë pas here shkoja te gjyshërit e mi nga ana e mamit në fshatin e Këmishtaj ku kaloja shumicën e kohës duke trembur pulat (qesh). Në moshën tre vjeçare, në vitin 1998 prindërit e mi dhe unë emigrojmë në Gjermani, ku qëndrojmë për 8 vjet deri në gusht të vitit 2006, në qytetin e Krefeldit, një qytet mjaft i madh dhe i dëgjuar për prodhimet e mëndafshit (Samt und Seide Stadt), shumw pranë Dyseldorfit, të cilët i ndan vetëm lumi Rin. Kam shkuar në kopsht (1998-2000), ku kam rënë në kontakt me gjuhën dhe kulturën gjermane. Më pas kam kryer shkollën (kl.1-6) po në Krefeld (2000-2006). Klasën e shtatë në Tiranë, në Shkollën “Vasil Shanto”. Nisur nga rezultatet e larta dhe gjuha gjermane e angleze regjistrohem ne gjimnazin “Sami Frashëri”, seksioni i gjuhës gjermane, të cilin e përfundoj me rezultate të mira në vitin 2013”.
Ai është i vetmi në Shqipëri që ka një telefon Mozilla, por ku ri ka patur Elio kontaktin e parë me kompjuterin?!
“Në vitin 2000, në moshën 6 vjeçare bie për herë të parë në kontakt me kompjuterin, të cilin babai im e kishte ëndërr për vete. Ka qenë një PC “Big Tower” që nuk e harroj kurrë, e ndërtuar me porosi nga një sipërmarrës gjerman: Procesor “Intel Pentium III 1G Hz”, “HDD 40 GB”, “RAM 256 MB”, në dy slote (motherboard mjaft te avancuar për kohën), “Monitor 14 inch”, Scanner, Printer dhe Subwoofer me 2 bokse nga 40W (të cilët janë dhe sot në përdorim )”.
Student në degën e dëshiruar
Sot ai studion Multimedia -Design, në vitin e parë, një degë që e do aq shumë.
“Dëshira ime, por jo e prindërve te mi, ishte te studioja “Design”, “Multimedia – Design. Kur prindërit më këshillonin Arkitekturën si variant optimal bazuar në aftësitë dizenjuese dhe kompjuterike të mia. Megjithatë unë vendosa të konkurroj në Universitetin e Tiranës pranë Akademisë së Arteve, në degën “Multimedia – Design”, konkurs të cilin e fitoj duke iu afruar sadopak profesionit tim të dëshiruar”.
Për herë të parë Mozilla në Shqipëri
Ne u njohëm më Elion në aktivitetin “Mozzilla Weekend”, por ç’ishte ky organizim që mblodhi, të pasionuarit pas teknologjisë dhe jo vetëm dhe cili ishte qëllimi? 19-vjeçari tregon më shumë.
“Jam shumë krenar të them që sapo mbaruam eventin e parë të këtij lloji në Shqipëri, “Mozilla Weekend”. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme, dhe duke lënë mënjanë modestinë këtu, netë të tëra pagjumë ishin pjesë e rutinës. Fakti që diçka e tillë do të ishte eventi i parë i atij lloji e frymëzoi të gjithë stafin organizator për të punuar gjithnjë e më shumë për përgatitjet. Si përfaqësues i Mozillës në Shqipëri, bashkë me pjesën tjetër të Komunitetit Mozilla këtu, e ndjemë që duhet të organizohej një event i tillë. Ideja dhe planet kanë muaj të tërë që kanë filluar dhe “Mozilla Weekend” ishte kurorëzimi i të gjithë punës tonë disa mujore”.
Mozillën të gjithë e shfletojnë në vendon tonë, por askush nuk di më shumë për të dhe nuk është prezantuar më parë nga afër më këtë shfletues online.
“Arsyeja pse e organizuam një event të tillë nuk ishte thjesht për faktin që nuk ishte organizuar më parë, por në Mozilla, bashkë me të gjithë produktet dhe shërbimet që ofron, duhet të prezantoheshin edhe në Shqipëri. Të gjithë, e jo vetëm ata të me pak lidhje me teknologjinë, duhet të ishin në kontakt me Mozilla-n dhe të merrnin pak informacion më shumë për të. Dhe një aktivitet si Mozilla Weekend ishte gjëja më e mirë që mund të bënim për komunitetin”.
Dëshira? Të zhvilloj teknologjinë në vendin tim
Elio, të gjitha përpjekjet dhe ambiciet në këtë fushë do të donte e t’i konkretizonte me një rezultat në fund. Dhe ai e ka një qëllim.
“Personalisht dhe gjithashtu edhe si pjesë e komunitetit të ‘Open Labs” (qendra e komunitetit Shqiptar promovues të teknologjive dhe kulturës), qëllimet e mia janë që të zhvilloj më shumë teknologjinë në kombin tim. Në Shqipëri është e theksuar negativisht infrastruktura e dobët e teknologjisë dhe terreni për zhvillimin e saj është ende në punim e sipër. Ajo ç’ka bëj dhe dua të bëj është promovimi i teknologjisë, pavarësisht me burim të hapur. Do të doja që çdo kompjuter në Shqipëri të punonte me programe me burim të hapur që bazohet në licenca që respektojnë lirinë e përdoruesit për të studiuar, modifikuar, shpërndarë dhe përmirësuar programin. Faktikisht, nuk është se dua të arrij në ndonjë pozitë të veçantë, por ajo që realisht dua, është të sjell një ndryshim në vendin tim dhe me anë të promovimit të programeve me burim të hapur, përfshirë këtu edhe Mozilla-n, mendoj se jam në një rrugë të mirë për të ndihmuar në zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Të pranishëm, Norvegjia, Greqia dhe Kosova
“Organizimi i “Mozzilla Weekend” përfshinte seksione informuese mbi produkte e shërbime të Mozilla-s duke filluar me Firefox OS e Thunderbird e deri në Lightbeam, shtojcat dhe të gjitha kanalet e shfletuesit Firefox. Nuk munguan edhe disa trajnime dhe uorkshope për pjesëmarrësit ku ato që ishin më të dobishme për këdo ishin ndërtimi i një uebsite duke përdorur Thimble dhe vegla të tjera të Webmaker, e deri në ndërtimin e një aplikacioni të thjeshtë në HTML5 për Firefox OS. Normalisht që veç argëtimit gjatë gjithë kohës, kishte edhe pjesë që spikatnin pak më shumë për argëtim, si “HashtagFest”, fituesi i së cilës fitoi një smartphone Keon me sistem Firefox OS, ose prezantimi i shtojcave që instaluan pjesëmarrësit të cilët fituan bluza Mozilla. U munduam maksimalisht që eventin ta bënim sa më frytdhënës për secilin nga pjesëmarrësit dhe vumë re nga ta një pozitivitet të veçantë. Për këtë, na ndihmuan edhe të ftuar që erdhën posaçërisht për eventin nga Norvegjia, Kosova dhe Greqia. Duke parë kërkesat e tyre në fund të aktivitetit për t’u bërë pjesë e Komunitetit Mozilla në Shqipëri (madje edhe miq të pjesëmarrësve ishin të interesuar kur dëgjuan se çfarë u bë), mendoj se mund ta konsideroj me plot gojën si një event të suksesshëm. Dhe vërtet shpresoj që ndikimi i Mozilla Weekend në komunitet të ketë qenë sa më pozitiv dhe sa më i gjerë”.

Bravo Elio!Suksese!
Stafi i Dita-s, aktivizoheni djalin e talentuar t’ju ridizenjoj web-in , mbase do te perputhet me mire ‘pamja’ me ‘shpirtin’.
Beni shume mire qe prezantoni e stimuloni te rinjte e talentuar, qe nuk rrijne si vazo lulesh artificiale ne dekorin e bllokut duke rrufitur, gjuajtur e tymosur…
Elio, t’u realizofshin endrrat ! Keshtu eshte kur fillon nje pune, nje beteje , nje marredhenie pa friken e humbjen qe erreson perspektiven e fitores .
Ju faleminderit ju te Dita-s,qe sillni dhe nje realitet krejt ndryshe nga ai qe jemi mesuar te degjojme per rinine shqiptare.Duhet te sillni sa me shume shembuj te tille per te na nxjerre sadopak nga erresira ku kemi rene,dhe ti bejme keta te rinj modele per te rinjte e tjere shqiptare.
Suksese Elio ne realizimin e endrres tende!Vertet e meriton nje vemendje te tille.
shpresoj qe media e shkruar dhe vizive ushtonin me shume vemendje shembujve te tille per rinine e cila po drejtohet drejt modeleve shume te gabuara.
Elio je shembulli me i bukur per rinine e te ardhmes se Shqipetareve .
Urimet me te perzemerta ,e lart e me lart emri yt i ndritur!
Se fundi nje shkrim me interes shume te madh per tu lexuar dhe njohur te rinjte tane. Zoterinj te redaksise Shqiperia nuk eshte Facebook-u i Berishes dhe i Islamit. Shqiperia ka nje popull me vitalitet pozitiv. Keta duhen kerkuar dhe motivuar, sic eshte bere ne kete artikull.
Bravo Djalosh me shum sukses FItore perte gjith ne dhe familjen tane Suksese suksese