Persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur brenda një ore dy dyqane veshjesh në kryeqytet. Ngjarjet kanë ndodhur midis orës 19:30 dhe 20:30, kur policia e Tiranës u njoftua për dy sulme. Ngjarja e parë mësohet se ka ndodhur në rrugën “Arkitekt Kasemi”, ku autorët ende të paidentifikuar, kanë marrë xhiron ditore. Kurse grabitja e dytë ndodhi rrugën “George W. Bush”, pranë parlamentit. Autorët kanë goditur shitësen që ka rezistuar, ndërsa nuk bëhet ende me dije nëse arritën të merrnin para dhe sende materiale. Policia dyshon se bëhet fjalë për të njëjtët autorë, pasi subjektet e sulmuara dhe mënyra e grabitjes janë të njëjta. Policia tha se në dyqanin e parë, grabitësit kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash, ende e papërcaktuar dhe janë larguar pa lënduar askënd, ndërsa në dyqanin pranë parlamentit shitësja është goditur nga grabitësit. Forca të shumta të Komisariatit nr. 1 shkuan në vendngjarje, ku në kontrolle dhe postblloqe u ndihmuan edhe nga Policia Rrugore dhe Patrullat. Autorët që sipas shitëseve mbanin armë zjarri dhe veshje sportive, por jo maska, janë larguar nëpërmjet rrugicave të errëta për të mos u kapur nga policia.
