Lazarati duket nën rrethim, por droga nga fshati nuk ka të sosur. Një kamion i mbushur me 1 ton marijuanë u sekuestrua mbrëmë nga policia e Gjirokastrës, ndërsa narkotiku ishte i fshehur mes thasëve të plehut. Operacion është koduar “Ujëvara” dhe u krye Sektori Kundër Narkotikëve, kurse në pranga ra drejtuesi i mjetit, Ardjan Serezi, 45 vjeç, nga Tirana. Droga kishte destinacion final Italinë.
Postblloku
Pasditen e djeshme, policia vendore mori informacion se një kamion që transportonte pleh organik, dyshohej se po trafikonte një ngarkesë të madhe droge që kishte dalë nga fshati Lazarat. Menjëherë rreth orës 17:00 është ngritur një postbllok në aksin rrugor Gjirokastër-Memaliaj.
Si rezultat i aksionit u bë i mundur bllokimi i kamionit me targa AA308FX, që drejtohej nga Ardjan Serezi, me destinacion kryeqytetin.
Droga
Kamioni ishte i ngarkuar me thasë plasmasi, të mbushur me pleh organik, ku poshtë thasëve kishte një shtrese tjetër plehu të hedhur lirshëm në dyshemenë e mjetit, që shërbente për të mbuluar pakot me lëndë narkotike. Përgjatë dy orëve pas aksionit, policia ka ushtruar kontroll të imtësishëm, duke nxjerrë të gjitha pakot një e nga një dhe peshuar. Pakot me natriban mbanin shënime të ndryshme me bojë të kuqe dhe blu, që tregonin destinacionin apo porositësin. Nga peshimi paraprak rezultoi se ishin rreth 1 ton lëndë narkotike marijuanë.
Destinacioni
“Marijuana është blerë në Lazarat dhe me destinacion përfundimtar Italinë”, thanë burime zyrtare nga policia vendore. Ndërkohë që një tjetër peshim do i bëhet sasisë së narkotikut dhe grupi hetimor, me përbërje prokurorë vendorë, po heton për pjesëtarët e rrjetit të trafikut dhe kapjen e tyre. Në pyetje do merret shoferi i arrestuar, i cili paraprakisht ka thënë se nuk ka dijeni për sasinë e drogës. Gjatë këtij muaji, janë sekuestruar sasi të mëdha droge nga policia në pikat kufitare, por edhe në Gjirokastër, nga ku del hashashi dhe marijuana e Lazaratit.

Shkrimit i mungon nje hollesi ” e vogel “. I arrestuari Ardjan Serezi per drogen eshte EFEKTIV POLICIE. Nuk besoj se jeni kaq te pa vemendshem.