Emri i saj prej 20 vjetësh është një ndër më të përmendurit në skenë. Shumë këngë, klipe e koncerte kanë bërë që Leonora Jakupi të jetë një emër i kërkuar në tregun muzikor. Këngëtarja ka bërë të ditur se ka në duar një projekt të ri. Ajo është duke punuar për një këngë, baladë. Sipas saj ky projekt, vjen si nismë për 20-vjetorin e karrierës artistike. Për më tepër këngëtarja ka theksuar se gjatë këtij viti ka plane të mëdha përmes së cilave do të jetë më aktive në skenë. “Do të ketë shumë këngë e projekte të reja nga unë për këtë vit. Por për këto do të flasim kur të vijë koha”. E ndonëse dy dekada pune të suksesshme nuk mund të anashkalohen, këngëtarja ka në plan ta shënojë këtë si ditë të çmuar. “Sigurisht që do ta shënoj 20-vjetorin e karrierës sime. Por, tani për tani ende nuk kam vendosur si do ta festoj këtë ditë. Kanë qenë vite me plot bukuri e sakrificë. Janë gjithë ato vjet dhe normal që duhet shumë punë, shumë mund e shumë vullnet. Por, nuk mund të mohoj që këto 20 vite në skenë janë më të bukura të jetës sime”, ka shtuar ajo.
