Teuta krijoi iluzione se mund të ishte ajo forca e dytë e kampionatit e që ndoshta mund të rrezikonte kryesimin e Skënderbeut, kur shpartalloi me rezultat tenistik Lushnjën në ndeshjen e parë për këtë vit. Shpresat mbetën të tilla, teksa ajo fitore 6-2 është njëherazi edhe e fundit për këtë vit, pasi në tri takimet në vazhdim skuadra e Roberto Sorrentinos ka marrë dy barazime dhe një humbje, pësuar dje në Laç. Skuadra bardhezi fitoi 2-1 duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes, në pritje të ndeshjes së sotme midis Vllaznisë e Partizanit. Gjithsesi, sido që të dalin të kuqtë sot, Laçi do të mbetet në zonën evropiane për këtë javë. E mbështetur nga shumë tifozë, skuadra laçiane nuk e ndjeu mungesën e kapitenit Erjon Vucaj, duke luajtur menjëherë në sulm, ndërkohë që Teuta “italiane” preferon lojën e kujdesshme, pa u ndërmarrë rreziqe, edhe pse ka tre lojtarë në sulm. Ishte mbrojtësi Çela që hapi rrugën e fitores për Laçin, kur shënoi me kokë pas një krosimi të saktë nga Veliaj, nga një goditje e lirë. Durrsakët nuk reaguan me forcë as pas pushimit, kur ishte Nimani ai që dyfishoi shifrat e vendasve. Vetëm pas golit të dytë Sorrentino hodhi në fushë golashënuesin më të mirë të kampionatit, Daniel Xhafaj, si dhe mesfushorin Ansi Nika. Ishte ky i fundit që shkurtoi diferencën për Teutën, por atëherë kur nuk kishte më kohë, në minutën e 93-të, duke lënë në fuqi fitoren e Laçit. Në një tjetër duel për Evropën, Kukësi fitoi 3-2 me Flamurtarin, në një takim që ofroi skena interesante. Vlonjatët e mbyllën në epërsi pjesën e parë, falë golit fantastik të Gilman Likës. Por në të dytën Kukësi përmbysi shifrat me Shametin dhe Hysën, ndërsa Cikalleshi shënoi edhe golin e tretë me penallti. Abilaliaj rihapi ndeshjen, por vetëm për pesë minuta, deri në vërshëllimën e fundit. Kukësi kthehet te fitorja pas dy barazimeve e një humbjeje, duke ringjallur edhe shpresat për kualifikim në Europa League. Ndërkaq, në luftën për mbijetesë Lushnja arriti fitoren e pritshme në shtëpi kundër Bylisit. Trashi dhe Fonseka ishin autorët e suksesit të parë pas shtatë javëve për skuadrën e Artan Banos. Fitore me të njëjtat shifra arriti edhe Skënderbeu në mbrëmje, kundër Kastriotit. Shkëmbi shënoi në fundin e pjesës së parë, ndërsa Pejiç 12 minuta para mbarimit të lojës, për t’i dhënë skuadrës kryesuese tri pikët që e çojnë momentalisht në dhjetë diferencën me vendin e dytë.
KATEGORIA SUPERIORE
Java e 20-të
Sot
Laçi-Teuta 2-1
Çela 31′, Nimani 60′ / Nika 93′
Lushnja-Bylis 2-0
Trashi 12′, Fonseka 88′
Kukësi-Flamurtari 3-2
Shameti 50′, Hysa 71′, Cikalleshi 80′ (p) / Lika 43′, Abilaliaj 85′
Skënderbeu-Kastrioti 1-0
Shkëmbi 43’, Pejiç 78’
Sot
Vllaznia-Partizani 13:00
Tirana-Besa 18:00
Renditja
N Skuadra P Gol F B H
1 Skënderbeu 41 30:15 12 5 3
2 Laçi 31 24:20 9 4 7
3 Partizani 30 18:14 9 3 7
4 Kukësi 30 20:20 8 6 6
5 Teuta 29 29:26 7 8 5
6 Besa 28 22:20 8 4 6
7 Flamurtari* 26 24:24 8 5 7
8 Bylis 23 19:19 5 8 7
9 Vllaznia 22 25:26 6 4 9
10 Kastrioti 21 13:21 6 3 11
11 Lushnja 21 18:28 6 4 10
12 Tirana 19 8:17 5 4 10
* Flamurtari -3 pikë
