Të vdesësh i ndershëm

anazapta

Në nderim të atdhetarit Qamil Çela

Sot, po kërkoja diçka krejt tjetër, një mesazh lamtumire nga atdhetari i madh, Qamil Çela, njërën ndër figurat me staturën më të ndershme që kishte njohur Shqipëria. Elbansalli i vjetër, e mbaj mend gjithnjë në oborrin e shtëpisë së tij të vogël, mbushur me limonë, portokalle e hurma, disa nga të cilat, në shenjë miqësie, i kishte mbjellur sëbashku me babain tim. I imët në vitet e pleqërisë, duhet të kishte qenë një djalosh i pashëm, hijerëndë dhe që gjithçka e kuptonte dhe e trajtonte shumë seriozisht. Fanolist, mik i Ali Këlmendit,Demir Godellit,Petro Markos, Ashim Vokshit, Bedri Pejanit, Ymer Pukës,Mehmet Shehut; por edhe i Bahri Omarit, Beqir Gjylbegajt, Skender Luarasit, Hasan Cekës,Sejfi Vllamasit,sidomos i Fan Nolit, Sejfulla Malishovës, udhëheqës i KONARE-s, i papajtueshëm e Zogun, e më pas, po ashtu, pas një miqësie të gjatë, i papajtueshëm edhe me Enver Hoxhën, që e thërriste “daja Qamili”,ishte mishërimi i njeriut që i përkushtuar atdheut, nuk e mendoi kurrë vetes.

Vdiq në pikëllimin e tij , sepse Shqipëria nuk u bë ajo që deshi gjithë jetën e tij.Pak para vdekjes i dërgoi një letër familjes sonë, ishte më shumë se gjithçka një mesazh lamtumire, mes rrjeshtave të së cilës, me shumë mall thonte se njohja me babain tonë, pavarësisht ndryshimit në moshë dhe në rrugëtimin e jetës,kishte qenë rinia e dytë e jetës së tij.Dhe, shtonte në fund se, çfarëdo që do të dëgjonim për të, mos të harrojmë kurrë se dajë Qamili vdiq i ndershëm.

Dajë Qamili kishte një nip, Hysni e quanin, punonte si marangoz në teatrin “Skampa” të Elbasanit, i njëllojtë si daja i tij, i ndershëm, i imët, punëtor i jashtëzakonshëm.Zakonisht letrat e tij i sillte me Hysniun, kur vinte në Shkodër me trupën e teatrit, por letrën e fundit e solli me postë, ndoshta si një shenjë dëshmie të ardhjes së saj, por edhe si një sfidë për kohën, pasi ishte i bindur se letrat e tij hapeshin.

Sa herë që shkoja në Elbasan, shkoja edhe tek dajë Qamili. Shumë fisnik në pamje, më shumë se sa fisnik në shpirtin e tij.Jetonte afër qendrës, në një nga rrugicat e para afër kalasë së qytetit, dëshmi autoktone.Më pëlqente të shija letrat që i ruante me kujdes të jashtëzakonshëm, dhe mrekullohesha me letërshkruesit. Fishta, Koliqi, Mjeda, Noli, Malishova, Enver Hoxha, Bahri Omari, Hysni Kapo, Llazar Fundo, Skender Luarasi, Ymer Puka, emëri i të cilit më tërhiqte vazhdimisht pasi ishte daja i babait tonë, dhe nuk ishte kthyer kurrë në Shqipëri që nga Lufta e Spanjës; Bedri Pejani, Ali Këlcyra, Mustafë Kruja, Sejfi Vllamasi, ishin jashtëzakonisht shumë. Dajë Qamili ishte njeri erudit. Ishte kthyer në Shqipëri menjëherë pas luftës, së bashku me delegacionin e Paqes së shtetit të ri shqiptar dhe Enver Hoxha e kishte emëruar drejtor të Bibliotekës Kombëtare.

Kishte humbur pas librave, por nuk e kishte humbur të vërtetën.Në Konferencën Shkencore per lëvizjen qamiliste, kur kërkohej një shembull edhe në Shqipëri për ti ngjarë Purgaçovit rus, dajë Qamili e kishte mjeruar figurën e haxhi Qamilit, adashit të tij emëror,por krejt të kundërt në perceptim. Ishte fjala e vetme kundër kësaj lëvizje dhe i binte ndesh fjalës që do të mbante të nesërmen Enver Hoxha. Në darkë, krejt miqësisht, ky e thirri dajë Qamilin dhe i tha, “Çfarë na bëre mor dajë Qamili. Nuk është kështu, do të bëje mirë të merrje pas diçka nga ajo që the…dhe e mbyllim këtu”. Enver Hoxha e kishte mik që nga vitet në Francë, por edhe me herët.E dinte se, nëse do të ishte dikush që mund të vertetonte se edhe ai, Enveri, kishte qenë dikush në Francë, ky mund të ishte dajë Qamili, sepse kishte qenë i pari i revolucionarëve atje.Dajë Qamili e dëgjoi Enverin, dhe i tha ” nuk bën, or bir, nuk bën. Kur unë hapja shkollat shqipe, ky i vriste mësuesit, kur unë thërrisja për Shqipërinë, ky thërriste “duam babën”, kur unë ngrija flamurin e shqipes, ky kishte një pecë turqie.Nuk bën, e nuk e bëj”.

Pas pak ditësh e larguan nga Biblioteka Kombëtare, e përjashtuan nga partia dhe shkoi në vendlindje, tek motra e tij, pasi dajë Qamili nuk ishte i martuar. Kur im atë, u emërua drejtues i qarkut të Elbasanit, e caktoi si drejtor të Muzeut të Luftës. Por kjo nuk e bëri miqësinë e tyre, dua të besoj se ishte një zanafillë që nga Ymer Puka e deri tek ndershmëria.

E kam takuar për herë të fundit një mbrëmje të fund nëntori,ndërsa shkoja për në qytetin e Korçës. Shkova bashkë me gruan time. U ulëm në sofatin e shtëpisë. Kur hyra, qeni nuk lehu. Plaku u gëzua dhe me tha se më njeh se jam i shtëpisë.Pastaj biseduam për shumëçka. Enver Hoxha sapo e kishte përmendur në një nga librat e tij. Kishte thënë se Qamil Çela ishte njeriu më i ndershëm i emigracionit, dhe unë ia thashë këtë. Plaku qesh lehtë, eshte qeshjen e kishte mirësi, dhe më tha se Enveri është i mënçur, ai e di se plakut i hahet peshku, dhe hedh tash në fund nje kurm. Por, shtoi ai, Enveri nuk është i ndershëm.Të ishte i ndershëm nuk do të bënte gjithë këto që bëri. Dhe filloi të më tregojë për njohjet e para me të, jetën në Paris, presionin që i bënin nga Instituti i Studimeve ML për të shkruar për jetën e Enverit në Francë dhe refuzimin e tij. Brenda pak ditësh ishte hera e dytë që më flisnin haptas, jo mirë, për Enverin. Disa ditë më parë, shkrimtari Besnik Mustafaj, një mbrëmje në shtëpinë time, ndërsa pinim pak verë dhe piqnim gështenja, dhe tani, një burrë në prag të ikjes.

Njeriu duhet të vdesë i ndershëm, tha edhe një herë dajë Qamili.

Ai vdiq i ndershëm, pasi kishte kaluar gjithë jetën si i tillë. Nuk e di nëse ka në Elbasan një përmendore apo një përkujtimore për këtë burrë të jashtëzakonshëm. Kjo do i bënte nder qytetit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *