DIMRI I BUXHETIT DHE PRANVERA E SHUMËPRITUR E FASONEVE!

anazapta

Fasonistet kanë kërkuar dhe po presin me padurim që qeveria të aprovojë në pranverë një ulje të tatim-fitimit nga15% në 10%. Fasonistët e shtrijnë aktivitetin e tyre kryesisht në industrinë tekstile dhe atë të këpucëve. Lënda e parë vjen nga jashtë përpunohet (prihet qepet) dhe produkti desitinohet përsëri për tregjet e huaja, kryesisht Itali, Greqi dhe Gjermani. Duke qënë se vetëm përpunohet lënda e parë, Fasonët janë të përjashtuar nga TVSH-ja jo vetëm në eksportin e produktit por edhe në importin e lëndës së parë. Kompanitë e huaja janë të interesuara ta kryëjnë përpunimin këtu për shkak të krahut të lirë të punës. Në media kjo kërkesë është bazuar në justifikimin se kjo industri ndikon ndjeshëm në eksport, nxitjen e investimeve të huaja dhe rritjen e punësimit.

Kuptohet ulja e tatim fitimit për fasonët do të sjellë më pak të ardhura në arkën e shtetit. Por përse këtë ulje po e kërkojnë vetëm fasonistët? A do të ishte ky një vendim i drejtë në kohën që qeveria rriti taksat për të plotësuar gropën e deficitit. Çdo pyetje në ekonomi e ka një përgjigje që gjithmonë varet nga pikëvështrimi dhe nga balancimi i përfitimeve dhe kostove që sjell një vendim ekonomik.

 

Kush e paguan rritjen e barrës fiskale?

Një fakt është katërcipërisht e vërtetë që rritjen e tatim fitimit nga 10% në 15% për natyrën që ka industria e Fasonit, e përballojnë pronarët e këtij biznesi. Kjo do të thotë që ata nuk mund të transferojnë pjësë të barrës fiskale tek punonjësit apo tek çmimi i kontratave që nënshkruajnë me kompanitë e huaja. Nëse kompanitë e tjera mund të kenë mundësi ta kalojnë një pjesë të barrës së rritjes së taksës tek punëmarrësi, nëpërmjet uljes së rrogave, fasonistët e kanë të pamundur, pasi aplikojnë rrogat minimale për pjesën dërrmuese të punonjseve të deklaruar dhe paga nën nivelin minimal për punonjësit e padeklaruar. Po ashtu fasonistët e kanë pothuajse të pamundur të transferojnë qoftë dhe pjesërisht rritjen e tatim fitimit tek çmimet e kontratave pasi i kanë këto kontrata me kompani të huaja dhe konkurrenca rajonale e bën të pamundur këtë. Në këto kushte përpara ligjvënësve shtrohet pyetja: Cilat janë përfitimet e ekonomisë nëse ulim barrën fiskale që e përballojnë totalisht pronarët e fasoneve?

 

Eksportet

Sipas raportit të Komunitetit Europian, Tetor 2013, disa nga të dhënat për ekonominë shqiptare janë si vijon: Ekonomia shqiptare sipas të dhenave të 2012 dominohet nga sektori i shërbimeve, i cili ka zënë 60% të Vlerës së Shtuar Bruto (GVA) e ndjekur nga agrikultura, e cila zë rreth 20% të Vlerës së Shtuar Bruto (GVA) dhe industria nxjerrëse dhe përpunuese, e cila zë rreth 11% të Vlerës së Shtuar Bruto. Pjësa më e madhe e industrisë së përpunimit përbëhet nga përpunimi i tekstileve dhe kepucës, të cilat konsiderohen me vlerë të shtuar të vogël. Kjo do të thotë që përmasat e saj në terma realë në ekonomi janë modeste.

Fakt është se 36% të eksporteve shqiptare e zë eksporti i mineraleve, karburanteve, dhe energjia, 29% e zënë tekstilet dhe kepucët, produkt i fasoneve, dhe materialet e ndërtimit dhe metalet zënë 19% të eskporteve shqiptare. Është e vërtete që eksporti neto ka qenë kontributori kryesor i rritjes ekonomike gjatë viteve të fundit. Por Fasonët ndërkohë importojnë gjithë lendën e parë duke bërë kështu që ndikimi i tyre në eksportet neto të zvogëlohet ndjeshëm.

 

Punësimi

Sipas statistikave zyrtare për vitin 2012 pjesën më të madhe të punësimit e zë buqësia dhe agrikultura rreth 522,000 të punësuar, vend të dytë tregëtia me 82,000 të punësur dhe vend të tretë industria përpunuese (ku pjesë është edhe Fasoni) 50,000 të punësuar. Industira përpunuse si e tërë sipas INSTAT nga viti 2000 deri 2012 ka pasur më shumë punonjës të deklaruar në vitin 2011 rreth 62,000 punonjës. Fasoni punëson gra dhe vajza, të cilat kanë përgjithësisht nivele të ulta arsimimi dhe në të njëtën kohë niveli ekonomik i familjeve të tyre është shumë i ulët. Puna në industrinë e fasonit u ofron, bukën e përditshme, dhe sipas BSPSH për 40% të të punësuarave nuk ofron sigurim shëndetësor dhe shoqëror. Nga studimet e bëra nga organizata joqeveritare dhe ILO (Organizata Ndërkombëtare e Punës), punësimi në Fason “është larg të qenurit një punë e denjë”. (ref. Studimi: Puna e denjë dhe Fasonët në Shqipëri).

 

Investimet

Edhe pse për vite me rradhë taksa ka qënë 10% investimet në industrinë përpunuese nuk duken të kënë ndonjë peshë të madhe në investimet totale të kryera në Shqipëri. Publikimet e INSTAT për vitet 2006 -2011, tregojnë se gjithë Industria përpunuese, ku futet edhe industria e Fasonit, ka realizuar investime propocionalisht me investimet që janë kryer nga të gjithë prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve në Shqipëri, në vlera midis 8,6% në vitin 2011 deri 20% në vitet 2007 dhe 2008. Ndërkohë si në vitin 2007 ku norma e tatimit ka qënë 20% dhe në vitin 2008 ku tatim fitimi ka qënë 10% norma e investimeve të industrisë përpunuse ka qenë 20%. Mëgjithëse është e vështirë të gjesh informacion të saktë sa janë investimet e kryera vetëm nga Fasonistët në Shqipëri, pasqyrat e tyre financiare tregojnë që një pjesë të madhe e tyre makineritë paisjet dhe ndërtesat i kanë marrë me qira.

Në vendet në zhvillim nxitja me anë të taksave është përdorur kur adresohen disa forma të zhvillimeve të qëndrushme të tregut, ku mund të veçojmë ato që sjellim benefite të qëndrushme për ekonominë në tërësi, jo vetëm për përfituesin. Një shembull mund të ishte promovimi me anë të taksave i industrive që përdorin teknologji të lartë, të cilat sjellin zhvillim ekonomik më të shpejtë dhe ndikojnë në rritjen e produktivitetit kombëtar. Fqinjët tanë përdorin nxitjen nëpërmjet taksave vetëm për ato kompani ku niveli i investimit, dhe numri i punësimit arrin shifra të caktuara. Për shembull në industrinë e prodhimit dhe përpunimit në Serbi kufiri minimal i investimit për të përfituar lehtësi tatimore është minimumi 1,000,000 euro dhe numri i të punësuarve është minimumi 50 puntorë, për investime në çdo zonë të Serbisë. Kur investimi behët në zona të pazhvilluara të Serbisë, minimumi i investimit është 500,000 euro dhe numri minimal i të punësuarve 50 puntorë.

Duke pasur parasysh natyrën dhe lidhjen e biznesit të Fasonëve me tregjet e huaja dhe me investitorët e huaj është e pamundur që nga ulja e tatimit të fitimit benefitet të mbeten brenda ekonomisë shqiptare. Edhe në rastin më të rallë ku taksa është faktori kryesor vendimarrës një pjesë e përfitimeve nga taksat do të kalojë jashtë vendit si transferim i kaptialeve të fituara. Studimet dhe experienca kanë treguar se shteti është i kufizuar në mënyrë të konsiderueshme në aftësinë e tij për të ndikuar në sjelljen e biznesit përmes uljes të taksave. Kështu që inkurajimi i rritjes ekonomike nëpërmjet përdorimit të stimujve fiskalë është shumë i vështirë. Mëgjithë shpresën e ligjëvënësve dhe votuesve të tyre, stimujt më anë të taksave nuk arrijnë qëllimet e tyre të deklaruara. Stimujt e taksave rrallë janë faktori vendimtar nëse një biznes zgjedh ose jo të investojë brenda kufijve të një shteti. Tatim-fitimi është vetëm një pjesë e vogël e kostos së të bërit biznes. Ai zë rreth 1.8 % të shitjeve mesatarisht. Madje edhe reduktime të mëdha tatimore kanë ndikime të vogla në rezultatet financiare dhe bilancin e kompanive. Në bazë të vlerësimeve në studimet dhe kërkimet shkencore 9 nga 10 investime të subvencionuara me ulje taksash do të kishin ndodhur pavarësisht uljes së taksave. Shumë pak ekonomistë në kohët e sotme mbrojnë me zë të lartë nxitjen nëpërmjet taksave. Përkundrazi një pjesë e mirë e tyre janë kundra tyre. Siç thotë Bird: “Përveç polullaritetit të tyre pothuajse në çdo vend, nxitja nëpërmjet taksa është e tepruar. Ato pakësojnë të ardhuarat e shtetit, kompikojnë, kompromentojnë, delegjitimojnë sistemin fiskal pa arritur qëllimin e tyre.”

Me sa më sipër nuk dua të them që Fasonët duhet që “ti humbasim” apo ta lemë të “falimentojnë” në konkurencën rajonale, por duhet ofruar ajo që mundet dhe ndoshta jo për të gjitha kompanitë brenda kësaj industrie. Ofrimi i skemave të amortizimit të përshpejtshpejtuar mund të ishte një mënyrë e cila do të ulte tatim-fitimin e atyre kompanive fasoniste që kanë kryer investime reale në makineri paisje dhe ndërtesa në Shqipëri. Në të njëtjen kohë kjo skemë do ti shtynte kompanite Fasoniste për investime të vazhdueshme me qëllim përfitimin e tatimeve të ulta. Ofrimi dhe promovimi i programeve të kredive të buta, mund të jetë një mundësi tjetër për zgjerimin dhe nxitjen e kësaj industrie duke ofruar burime më të lira financimi Korektësia në rimbursimin në kohë dhe pa vonesa të TVSH-së kreditore nga ana e qeverisë mund t’u krijonte më shumë frymëmarrje financiare.

Personalisht besoj se avantazhi konkurues krijohet me investime në teknologji, eksplorim të burimeve të pashfrytëzuara, shtrirje në prodhimin e lëndës së parë, me eficencë operacionale, dhe miksim i drejte i aftësive prodhuese dhe kapaciteteve të prodhimit, si dhe me anë të stimulimit dhe investimit tek pasuria më e madhe e një biznesi, punonjësit. Avatazhi konkurues që krijohet në kuriz të deficitit buxhetor dhe punës së padenjë nuk ka për ti zhvilluar asnjëherë në menyrë të qëndrueshme as Fasonët dhe as Shqipërinë. Ato kanë krijuar dhe do të krijojnë vetëm fluska ekonomike dhe më pas kriza!

Share This Article
4 Comments
  • Ju lumtë për shkrimin që keni bërë!
    Qetësia në fjalët përdoruar dhe fortësia në arsyetim ju bën të mirëpritur edhe për shkrime të tjera!

  • a di kush te shpjegoje si eshte futur termi Fason ne gjuhen tone?

    Artikulli e thote se jane “industria tekstileve dhe kepuceve”

    S’kam problem me fjalen, desha te di a ka term te ngjashem…dhe si hyri tek ne.

  • me sa jam informuar investimet ne linjat e prodhimit njihen si shpenzime kudo ne bote dhe si te tilla nuk kushtezohen nga permasat e tatim fitimit.

  • Shkrim shume i mire! Megjithese mendoj qe autoria duhet te kishte theksuar se eshte e turpshme qe LSI dhe vete biznesmenet sharlatane te fasonit perligjin publikisht punen ne te zeze duke thene qe fasonet kane 100,000 te punesuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *