Ekstradohen nga Italia e Anglia 2 të kërkuar për vrasje dhe vjedhje

redaktor

Interpol Tirana ekstradoi sot drejt Shqipërisë 2 shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje me paramendim mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë. Nga Roma Itali u krye ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Samet Hoxha, 25 vjeç, nga Elbasani.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Elbasan, me vendimin Nr. 199, datë 21.03.2013, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg“ shtetasin Samet Hoxha, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim“ e mbetur në tentativë e parashikuar nga nenet 78, 22 dhe 25 të Kodit Penal.

I ekstraduari Samet Hoxha dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Sokol Sejda kanë tentuar të vrasin shtetasin A.A., më 16.02.2013, në qytetin e Elbasanit.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Po sot nga Londra, Interpol Tirana ekstradoi drejt Shqiperisë shtetasin shqiptar Andi Prençi, vjeç 20, nga Peshkopia. Për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1439, datë 18.10.2012, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg“, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me dhunë“.

I ekstraduari Andi Prençi, më datë 11.08.2011 dhe më datë 24.09.2011 duke përdorur një thikë, kërcenime dhe forcë ka vjedhur me dhunë nga prindërit e tij në të dy rastet një sasi prej 40 mijë lekësh dhe një telefon celular.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Londrën u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Andi Prençi.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas dy shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *